Rrëmbimi tronditës i trashëgimtares të manjatit të mediave

Patty Hearst u rrëmbye nga një grup revolucionar në vitin 1974, siç raportoi BBC-ja. Por, 50 vjet më parë, më 20 mars 1976, ajo u shpall fajtore se kishte mbajtur anën e rrëmbyesve të saj.
Nga: Greg McKevitt / BBC (titulli: 'They are prepared to commit murder for their cause': The shocking kidnap of a teenage newspaper heiress)
Përkthimi: Telegrafi.com
“Nënë, baba, jam me një njësi luftarake që është e armatosur me armë automatike”. Patty Hearst, një studente 19-vjeçare dhe trashëgimtare e manjatit të mediave u rrëmbye në shkurt të vitit 1974 nga banesa e saj jashtë kampusit në Berkli të Kalifornisë. Pak më shumë se një javë më vonë, një incizim i zërit të saj ia bëri të ditur familjes se ajo ishte ende gjallë. Ishte ai lloj skenari që shpesh përshkruhet si makthi i çdo prindi, por hollësitë e pazakonta të këtij rasti ishin unike.
Me ndërthurjen e shoqërisë së lartë, traumës psikologjike dhe dhunës radikale, kalvari i Hearstit mbërtheu ShBA-në dhe, për nga mbulimi televiziv, rivalizoi skandalin e Uatergejtit [Watergate] që po zhvillohej në atë kohë. Kur dy muaj pas rrëmbimit ajo u kap nga kamerat e sigurisë gjatë një grabitjeje banke duke vringëlluar mitralozin, ky ishte një zhvillim tronditës. A i ishte bërë në shpëlarje truri apo ishte bashkëpunëtore me vullnetin e saj?
Rrëmbyesit e saj i përkisnin Ushtrisë Çlirimtare Simbioneze, ose SLA-së, një grup i panjohur i së majtës ekstreme - një ndër grupet e shumta të vogla radikale të asaj epoke. Duke raportuar për BBC-në, korrespondenti në ShBA, John Humphrys, tha se për grupin dihej shumë pak, “përveç asaj që kanë shkruar ata për veten në deklaratat e tyre të ndryshme. Kjo dhe fakti se anëtarët e SLA-së janë të gatshëm të kryejnë vrasje për kauzën e tyre”.
Viktima e parë e grupit ishte Marcus Foster, një drejtues i sistemit shkollor në Oukland, krimi i supozuar i të cilit ishte përpjekja për të vendosur roje sigurie në shkollat e mesme të zonës. Ai u qëllua për vdekje në nëntor të vitit 1973, me plumba me maja të lyera me cianid. “Në rastin e Patty Hearstit, viktimës së tij të dytë”, tha Humphrys, “krimi i saj ishte thjesht fakti se kishte lindur në familjen Hearst - jashtëzakonisht e pasur dhe, përmes kontrollit të saj mbi mediat e lajmeve, jashtëzakonisht e fuqishme: një familje që për SLA-në duhet të ketë simbolizuar pikërisht shoqërinë kapitaliste të cilën ajo thotë se synon ta shkatërrojë”.
- Lexo po ashtu: Sindroma e Stokholmit dhe arti i negociatave
Babai i Hearstit, Randolphi, ishte redaktor i San Francisco Examiner dhe kreu i dinastisë mediatike të familjes. Gjyshi i saj, William Randolph Hearst, ishte manjati i gazetave, jeta dhe epoka e të cilit u përdorën nga regjisori Orson Wellesi si bazë për [filmin] Qytetari Kejn [Citizen Kane]. Titujt e bujshëm dhe rrëfimi me ritëm që të mban pa frymë - mbi të cilët Hearsti kishte ngritur perandorinë e tij - u rishfaqën dekada më vonë në mbulimin e pandërprerë televiziv të rrëmbimit të mbesës së tij.
Brenda pak ditësh nga rrëmbimi, SLA-ja filloi t’u dërgonte mediave incizime në kaseta, duke kërkuar që familja Hearst të financonte një program masiv të shpërndarjes së ushqimit për të varfrit në Kaliforni. Udhëheqësi i SLA-së, Donald “Cinque” DeFreeze, në një mesazh drejtuar familjes Hearst tha se ishte “plotësisht i gatshëm ta ekzekutonte vajzën [e tyre] për të shpëtuar jetën e burrave, grave dhe fëmijëve të uritur të çdo race”. Në kasetë dëgjohej edhe zëri i vetë Hearstit, e cila u thoshte prindërve se ndodhej me një grup të armatosur. “Dhe, këta njerëz nuk janë thjesht një tufë të çmendurish. Kanë qenë vërtet të sinqertë me mua, por janë plotësisht të gatshëm të vdesin për atë që po bëjnë”. Në një incizim të dytë, katër ditë më vonë, ajo tha: “Është vërtet dëshpëruese të dëgjosh njerëzit të flasin për mua sikur të kem vdekur”.
Familja Hearst pranoi kërkesën e SLA-së për shpërndarjen e ushqimeve me vlerë dy milionë dollarë, e cila u quajt shpërblesa më e çuditshme e paguar ndonjëherë. John Humphrys i BBC-së vuri në dukje se “William Randolph Hearsti i dikurshëm, një reaksionar arrogant i cili njëherë kishte thënë se vetëm njerëzit e pasur janë interesantë, ndoshta do ta konsideronte të pabesueshme këtë situatë”. Në zonat e varfra në të gjithë Los Anxhelosin dhe San Franciscon u ngritën pika shpërndarjeje, ku u krijuan radhë të gjata për të marrë qese me mish gjeldeti, bukë, qumësht, vezë, fruta dhe perime.
“Kam zgjedhur të qëndroj dhe të luftoj”
Në disa pika të shpërndarjes së ushqimit pati skena kaotike. Në Oukland, turma prej pesë mijë vetash u zemërua kur organizatorët hodhën furnizimet nga një dritare. Një polic u godit me thikë dhe një pjesëtar i turmës mbeti pa ndjenja, ndërsa njerëzit filluan t’i hidhnin përsëri mbrapsht konservat e ushqimit. Shumë prej atyre që duhej të përfitonin nga ndihma e refuzuan atë, duke thënë se ishin të tmerruar nga taktikat e SLA-së. Një banor i Los Anxhelosit tha: “Unë thjesht e vlerësoj jetën e njeriut pak më shumë se një qese me ushqime”.
Hearsti, pasi kishte kaluar një muaj nën trysni të fortë psikologjike, e fshehur në bazat e ngushta të grupit, u dëgjua në një kasetë tjetër duke e përshkruar programin e ndihmës si “një katastrofë të vërtetë”, meqë pjesa më e madhe e ushqimit ishte e cilësisë së dobët. “Sigurisht që nuk dukej si ai lloj ushqimi që familja jonë është mësuar të hajë”, tha ajo. A po fliste ende nën detyrim?
Disa javë më vonë, më 3 prill 1974, erdhi incizimi tronditës i Hearstit: “Më është dhënë mundësia të zgjedh mes, së pari, lirimit në një zonë të sigurt ose, së dyti, bashkimit me forcat e Ushtrisë Çlirimtare Simbioneze dhe luftës për lirinë time dhe lirinë e të gjithë njerëzve të shtypur. Kam zgjedhur të qëndroj dhe të luftoj”. Ajo zbuloi se SLA-ja e kishte riemërtuar Tania, sipas një guerileje gjermano-hebreje që kishte luftuar përkrah udhëheqësit revolucionar marksist Che Guevara në Bolivi. Bashkë me kasetën ishte edhe një poster ku ajo paraqitej me veshje tamam luftarake, duke mbajtur në duar një armë automatike përpara emblemës së SLA-së - një kobër me shtatë koka.
Randolph Hearsti, i cili nuk mund të besonte, u tha gazetarëve: “E kemi pasur pranë për 20 vjet, ata e kanë pasur për 60 ditë dhe nuk besoj se ajo do t’i ndryshonte bindjet e saj kaq shpejt apo në mënyrë kaq të përhershme”. Nëna e saj, Catherine, ishte e pajtimit. “E njoh shumë mirë vajzën time dhe e di se ajo nuk do t’i bashkohej kurrë një organizate të tillë pa qenë e detyruar”, tha ajo.
Më 15 prill 1974, Patty Hearst nga viktimë u shndërrua në të arratisur, kur pamjet e kamerave të sigurisë nga një grabitje banke e shfaqën duke mbajtur një armë sulmi. Për publikun, kjo ishte marramendëse: a e kishte përqafuar vërtet ekstremizmin apo i ishte bërë një shpëlarje truri? Mediat dhe organet e zbatimit të ligjit ishin po aq të ndara. Në një kasetë të publikuar një javë më vonë, ajo nuk shfaqi asnjë pendesë: “Për ata njerëz që ende besojnë se më është bërë shpëlarje truri ose se kam vdekur, nuk shoh asnjë arsye për ta mbrojtur më tej qëndrimin tim ... Jam ushtare në Ushtrinë e Popullit”. Disa ditë më vonë, ajo e denoncoi të fejuarin e saj, Steven Weed - i cili ishte me të kur ajo u rrëmbye - si një “derr seksist dhe përçmues ndaj moshës”.
Me gjithë këtë trysni mbi SLA-në, grupi u zhvendos nga San Francisco në Kompton, në pjesën jugqendrore të Los Anxhelosit. FBI-ja e rrethoi vendstrehimin e grupit më 17 maj 1974, pasi mori një informacion se disa persona të armatosur ishin parë duke transportuar armë të rënda. Ekipet televizive morën vesh për rrethimin që po zhvillohej dhe nxituan drejt vendngjarjes. Pasi policia hodhi granata me gaz lotsjellës brenda ndërtesës dhe pati shkëmbim zjarri, shtëpia mori flakë. Gjashtë anëtarë të SLA-së vdiqën në zjarr, përfshirë disa nga rrëmbyesit e Hearstit.

I gjithë shkëmbimi i zjarrit u transmetua drejtpërdrejt në televizionin kombëtar, duke u bërë përplasja e parë me armë që u transmetua si lajm në zhvillim e sipër. As shikuesit dhe as policia nuk e dinin se Hearsti nuk ndodhej askund pranë vendngjarjes, por po e ndiqte transmetimin nga një dhomë moteli pranë Diznilendit. Për disa orë torturuese, prindërit e saj nuk e dinin nëse ajo ishte gjallë apo kishte vdekur.
Një dënim me shtatë vjet burg
Në incizimin e saj të fundit, më 7 qershor 1974, ajo u thuri lavde atyre që u vranë në shkëmbimin e zjarrit. “Dua të flas për gjashtë shokët tanë të vrarë ashtu siç i njihja unë, sepse mediat e derrave fashistë, natyrisht, kanë paraqitur një tablo tipikisht të shtrembëruar të këtyre motrave dhe vëllezërve të mrekullueshëm”, tha ajo. Pas kësaj, heshti. Për më shumë se një vit ishte në arrati, derisa më 18 shtator 1975, u arrestua në San Francisco. Kur oficerët e pyetën për profesionin, ajo u përgjigj: “Guerile urbane”.
Në kohën kur filloi gjyqi i saj për grabitje banke me armë, ajo e kishte ndryshuar qëndrimin. Mbrojtja argumentoi se ajo ishte kërcënuar me vdekje, ishte sulmuar seksualisht dhe i ishte bërë shpëlarje truri përmes “bindjes me detyrim”. Ajo u paraqit si një viktimë e traumatizuar që kishte marrë pjesë në veprimtaritë e SLA-së për shkak të instinktit të mbijetesës. Avokatët e saj pretenduan se ajo vuante nga Sindroma e Stokholmit - një term kundërthënës që ishte krijuar pak kohë më parë për të shpjeguar ndjenjat e ngrohta, në dukje të paarsyeshme, të disa pengjeve ndaj rrëmbyesve të tyre.
Prokuroria u kundërpërgjigj me incizimet dhe fotografitë që e tregonin duke marrë pjesë në krime, duke folur rrjedhshëm me retorikën e SLA-së dhe duke refuzuar mundësitë për t’u arratisur. Prokurorët këmbëngulën se ajo kishte vepruar vullnetarisht ose, të paktën, me vetëdije. Gjatë gjithë gjyqit, Hearsti rrinte e ngrirë, shpesh duke u dukur e mpirë ose e shkëputur. Mbrojtja tha se kjo sjellje ishte pasojë e traumës. Prokuroria tha se ajo pasqyronte indiferencën e saj.
Para pesëdhjetë vjetëve, më 20 mars 1976, pas një gjyqi që zgjati shtatë javë, juria e shpalli fajtore. Ajo u dënua me shtatë vjet burg federal, megjithëse presidenti Jimmy Carter ia zbuti dënimin pasi kishte vuajtur 22 muaj. Në vitin 2001, presidenti Bill Clinton i dha falje të plotë. Hearsti ishte përcaktuar për një jetë më të qetë dhe, dy muaj pas lirimit nga burgu, u martua me truprojën e saj. Ajo e kishte takuar për herë të parë në vitin 1976, kur ishte liruar me kusht kundrejt dorëzanisë, në pritje të shqyrtimit të apelit. Ajo iu përkushtua shkrimit dhe aktrimit dhe më vonë u portretizua nga Natasha Richardson në një film biografik të vitit 1988, të bazuar në autobiografinë e saj. Ajo u shfaq në disa filma të skenaristit dhe regjisorit provokues John Waters, të cilin e kishte takuar gjatë një udhëtimi promovues në Festivalin e Filmit në Kanë.
Në vitin 1981, ndërsa po promovonte autobiografinë e saj, ajo u intervistua nga Barbara Walters e ABC News-it. Ajo tha se gjatë kohës që kishte kaluar me SLA-në, nuk besonte se i ishte bërë shpëlarje truri, por që më pas kishte ndryshuar mendim. “Kam një personalitet mjaft të fortë”, tha ajo. “Nuk më pëlqen ta mendoj veten si dikë që mund të thyhet apo si aq të dobët sa të mund të kontrollohem nga të tjerët, e megjithatë ata mundën ta bënin dhe e bënë”. /Telegrafi/





































