Diktatura e tij përfundoi më shumë se 80 vjet më parë, megjithatë kulti i personalitetit të Duçes doli të jetë jashtëzakonisht i vështirë për t’u shuar.

Nga: Andrew Roberts / The Telegraph
Përkthimi: Telegrafi.com


Diktatorët sillen vërdallë. Siç shkruan Stephen Gundle në Mussolini’s Ghost [Fantazma e Musolinit], “ata nguliten në vetëdijen e vendeve që tiranizojnë, duke tërhequr shprehje dashurie dhe adhurimi të cilat, sado të mbrapshta ose artificiale që mund të duken dhe sado brutal e i tmerrshëm të jetë sundimi i tyre, rrallëherë treten në asgjë”.

Kjo është më e vërtetë për Italinë sesa për çdo vend tjetër në Evropë. Diktatura e Benito Mussolinit nga viti 1925 deri më 1943 ishte e mbushur plot me mite - se ai e rigjallëroi shoqërinë dhe politikën italiane, zgjidhi dikotominë ndërmjet kapitalit dhe punës dhe bëri që trenat të qarkullonin në orar - të cilat që të gjitha refuzuan të shuheshin në periudhën e pasluftës. Seria kaotike e krizave politike që çoi në ndryshime të shumta të qeverive italiane - në vitet ‘50, ‘60 dhe ‘70 të shekullit XX - bëri që sundimi i Mussolinit të paktën të dukej i qëndrueshëm. Edhe sot, Mussolini mbetet një prani serioze në politikën italiane dhe ky libër argumenton se ai ka qenë një pikë orientimi për “udhëheqjen e fortë, maskuline”.

Lexo po ashtu:
- Totalitarizmi dhe virtyti i gënjeshtrës
- Fashizmi ka ndryshuar, por nuk ka vdekur
- Debati për arkitekturën fashiste në Evropë
- Adleri, Mussolini dhe kompensimi për ndjenjën e përgjithshme të inferioritetit
- Pushtimi i Shqipërisë dhe letra e Duçes që Hitleri nuk e mori kurrë

Nofulla e nxjerrë përpara, helmeta e çeliktë, fjalimet ekstravagante me duart në ijë nga ballkoni i Palazzo Venezia-s, dashnoret, tharja e Kënetave Pontine: këto janë imazhet që shumë njerëz kanë ende për Mussolinin. (Në vend të tyre, ata duhet të kujtojnë helmimin me gaz të civilëve etiopianë, mbështetjen si hienë tek Adolf Hitleri dhe poshtërimin përfundimtar të trupit të tij - të varur me kokën poshtë në trarin e çeliktë të një pike karburanti në vitin 1945, pasi ishte kapur dhe ekzekutuar nga partizanët komunistë.)

Larg nga rrëshqitja e tij në histori, Mussolini po gëzon aktualisht, pas vdekjes, një jetë të jashtëzakonshme në kulturën dhe politikën italiane, të cilën as republikanizmi italian, as demokracia dhe as integrimi në Evropë nuk kanë arritur ta zbehin. Në vitin 1996, Giorgia Meloni - atëherë anëtare aktive e krahut rinor të Lëvizjes Sociale Italiane - tha se Mussolini kishte qenë një “politikan i mirë” i cili “bëri gjithçka për Italinë”. Silvio Berlusconi ishte dakord, duke thënë se Mussolini “bëri mirë në shumë aspekte”. Shpjegimi i Gundleit se përse Mussolini vazhdon të mbetet kaq fuqishëm në imagjinatën popullore italiane është se, siç shprehet ai, “vetë regjimi fashist nuk shihet më si tërësisht ose kryesisht negativ”. Përkundrazi, ai shihet “përmes syzeve rozë”, si një forcë modernizuese krahasuar me një nazizëm të orientuar nga e kaluara.

Të marrim si shembull filmin. Gundle, i cili është profesor i studimeve të filmit dhe televizionit në Universitetin e Uorikut, është veçanërisht i mirë në përshkrimin e mënyrës se si Mussolini është trajtuar nga mediat audiovizuale dhe në shtyp gjatë 81 vjetëve që nga ekzekutimi i tij. George C. Scott dhe Bob Hoskins e kanë portretizuar që të dy në ekran, por portretizimi më i mirë i diktatorit ishte ai i Rod Steigerit në filmin e vitit 1974, Mussolini Ultimo Atto [Ditët e fundit të Musolinit], në të cilin Lisa Gastoni luajti Clara Petaccin, dashnoren e tij.

Kulti i Mussolinit ishte “kulti i parë modern i personalitetit”, argumenton Gundle, duke u paraprirë madje edhe atyre të Leninit dhe Stalinit. Këta udhëheqës sovjetikë, si dhe Hitleri, mësuan nga Mussolini se si të krijonin një përkushtim pothuajse fetar ndaj udhëheqësit - Il Duce në rastin e Musolinit - ku imazhet e tyre ishin aq të kudondodhura saqë krijonin përshtypjen e të gjithëdijshmëve. Shumë parulla në mure nga epoka fashiste ekzistojnë ende, si njëra që shpall “fuqinë dhe lavdinë e punës” dhe një tjetër se “Roma është e destinuar të bëhet edhe një herë qyteti kryesor i qytetëruar në të gjithë Evropën Perëndimore”.

Debatet nëse duhen restauruar ndërtesat e rëndësishme publike të ngritura gjatë sundimit të Mussolinit, veçanërisht ato “që nuk janë pa vlerë të konsiderueshme arkitekturore - dhe nganjëherë artistike”, janë gjithnjë të pranishme në politikën italiane. Kur rindërtohen dhe restaurohen, këtyre ndërtesave shpesh u lejohet të ruajnë atë që autori e përshkruan si “motivet imituese romake që ishin buka e përditshme ideologjike e fashizmit”, në një mënyrë në të cilën, për shembull, svastikat nuk do të kishin mundur kurrë të mbijetonin në Gjermani.

Një nga arsyet përse Mussolini në përgjithësi ka arritur t’i shpëtojë turpit publik të rezervuar për nazistët është se në Itali nuk kishte kampe shfarosjeje për hebrenjtë. Megjithatë, nga ditarët e Petaccit e dimë se Mussolini ishte thellësisht antisemit dhe se “Republika Sociale Italiane”, një kukull e tij në Salo - nga shtatori 1943 deri në prill 1945 - ndoqi në mënyrë aktive Zgjidhjen Përfundimtare, duke identifikuar hebrenjtë dhe duke i transportuar ata në kampet e vdekjes të Holokaustit në Poloni. Megjithatë, meqë nuk pati një version italian të Gjyqeve të Nurembergut, as ai krim nuk e ka dëmtuar mitin se Mussolini qëndronte në një plan më të lartë moral se Hitleri.

As italianët nuk e vajtuan diktatorin e tyre, siç bënë shumë gjermanë me Hitlerin. (Prandaj, beson Gundle, “ata nuk u shkëputën psikologjikisht prej tij në mënyrë konstruktive”.) Duke i dhënë kaq shumë rëndësi rimëkëmbjes dhe rritjes ekonomike kombëtare si burim i identitetit kombëtar në vitet e pasluftës, demokristianët lejuan që fantazma e Mussolinit të “familjarizohet” dhe e bënë atë “diçka më të menaxhueshme dhe më të njohur”. Tirania që Mussolini kishte ushtruar realisht - burgosja e sindikalistëve dhe socialistëve, vrasja e gazetarëve, kontrollimi i mediave - u minimizua në një pjesë të madhe të kulturës italiane të pasluftës, kështu që “lidhja nuk u këput dhe Mussolini vazhdoi të ushtronte një magjepsje spektrale”.

Ky është një libër i hulumtuar mirë dhe që nxit mendimin, me një rëndësi urgjente për kohën e sotme, veçanërisht në një botë ku Tucker Carlson dhe të tjerë në të djathtën ultra-MAGA në Shtetet e Bashkuara po përpiqen ta paraqesin fashizmin në një dritë më tërheqëse. Libri paraqet argumente të mira për rëndësinë që ka historia për politikën, megjithëse besoj se Gundle gabon, për shembull, kur sugjeron se Mussolini mësoi nga Napoleoni, pasi ky i fundit nuk kishte asnjë dëshirë t’i impononte Francës apo perandorisë së tij ndonjë gjë që t’i afrohej totalitarizmit.

“Shumica e vendeve gjejnë një mënyrë për ta kapërcyer një diktator”, vëren Gundle, “për t’u çliruar nga skllavërimi - mendor dhe kulturor, nëse jo më politik - të cilit i janë nënshtruar njerëzit”. Ai ka treguar mënyrën se si Italia ende nuk ka arritur ta bëjë këtë, ndonëse tashmë kanë kaluar 104 vjet nga marshimi i Mussolinit drejt Romës. Duhet të shpresojmë se nuk do të duhet po aq kohë me kultet e udhëheqësve si presidentët Xi dhe Putin. /Telegrafi/