Aleanca do të kërkojë referimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese

Aleanca nuk do të marrë pjesë në vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, e cila është thirrur për të mërkurën në orën 11:00.
Kështu ka bërë të ditur kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, pas mbledhjes së kryesisë së partisë, ku janë diskutuar zhvillimet e fundit politike në vend, si dhe çështjet që lidhen me organizimin dhe funksionimin e Aleancës, raporton KosovaPress.
Gjini ka thënë se Aleanca ka konfirmuar vullnetin e shumicës së Grupit Parlamentar dhe të Kryesisë që të mos marrë pjesë në seancën e nesërme, duke e cilësuar situatën aktuale si shkelje të vazhdueshme të Kushtetutës.
“Më duhet t'ju tregoj që sot Aleanca e ka konfirmuar vullnetin e shumicës së grupit të deputetëve, të kryesisë që nesër mos të marrim pjesë dhe mos të legjitimojmë shkeljen e vazhdueshme dhe brutale të Kushtetutës së Kosovës nga partia që ka dalë si e kaluara. Domethënë, Kosova sot është tërësisht jashtë normës kushtetuese. Ne e dimë që edhe pas 30 ditësh që po flasim për dëgjimin e rezultateve të zgjedhjeve, kemi qenë vetë jashtë e kemi toleruar një interpretim politik të Kushtetutës nga vetë partia fituese, duke ia dhënë vetes edhe 30 ditë të tjera prej atij 30-ditëshi që ekziston në bazë të interpretimit të kushtetutëqa, nga Gjykata Kushtetuese. E kemi parë që dy herë seanca është thirrur në ditët e fundit të skadimit të atij 30-ditëshi, ndërsa këtë thirrjen e fundit, të cilën e kanë bërë katër ditë pas skadimit edhe të interpretimit të vet politik, e shohim si fyerje ndaj Kosovës, fyerje ndaj qytetarëve, fyerje ndaj shtetit tonë edhe ndaj Kushtetutës e ndaj deputetëve.”, ka deklaruar Gjini.
Gjini ka bërë të ditur se Aleanca ka qenë e gatshme të marrë pjesë në seancë nëse ajo do të thirrej deri të shtunën, kur sipas tij kishte skaduar afati i dytë 30-ditor.
Ai ka paralajmëruar gjithashtu se pas zhvillimeve të fundit, Aleanca do të kërkojë referimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese, në koordinim me dy partitë e tjera opozitare.
“Ajo që e pret Kosovën është patjetër një referim në Gjykatën Kushtetuese, të cilën duhet me e dakorduar me dy partitë e tjera të cilat po i shohim... që ende janë në opozitë, se ku do të jemi nesër ne nuk e dimë, sepse asnjë parti nuk e di. Por deri sot që janë në opozitë, duhet të dakordohemi me ta edhe t'i referohemi Gjykatës Kushtetuese, për shkak se nuk kemi rrugë tjetër sot përveç kësaj rruge” ka deklaruar Gjini.
Kryetari i Aleancës ka thënë se në mbledhjen e Kryesisë, shumica e anëtarëve kanë mbështetur qëndrimin për mospjesëmarrje në seancën e së mërkurës, ndërsa një anëtar ka pasur qëndrim ndryshe.
“Asnjëri prej deputetëve ka qenë kundër, një anëtar i kryesisë e ka dhënë mendimin ndryshe. Një prej anëtarëve prezent vetëm një. Ekzakt sipas rregullores korrekt me tema. Çka do të ndodhë nesër... shihni, përbindja ime prej asaj që po e kuptojmë edhe çka po shohim që po ndodh me Kosovën në këtë epokë të mashtrimit të madh, ne mundohemi me besuar që edhe nesër nuk konstituohet. Edhe sikur të konstituohet nesër, do të jetë jashtë normës kushtetuese, është jashtë kushtetutës. Por, besojmë ose jo, këto maskarada që i kemi parë më herët mos na defasojnë se edhe nesër edhe në këtë situatë jashtëkushtetuese nuk konstituohet”, tha ai.
Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës është thirrur për të mërkurën në orën 11:00, ndërsa në të pritet të procedohet me konstituimin e legjislaturës dhe zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit. Tri partitë e mëdha parlamentare, VV, PDK dhe LDK kanë konfirmuar pjesëmarrjen në vazhdimin e seancës konstitutive e cila do të mbahet të mërkurën.




































