Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka vendosur që të mos marrë pjesë në seancën e nesërme të Kuvendit të Kosovës.

Këtë e ka bërë të ditur kryetari i AAK-së, Ardian Gjini, pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë së partisë.


Gjini tha se vendimi është marrë me mbështetjen e shumicës dërrmuese të deputetëve dhe anëtarëve të Kryesisë, me arsyetimin se pjesëmarrja në seancë do të nënkuptonte legjitimim të, siç tha ai, shkeljes së vazhdueshme të Kushtetutës nga partia fituese e zgjedhjeve.

“Dua me ju treguar që sot Aleanca ka konfirmuar vullnetin e shumicës dërrmuese të deputetëve, të anëtarëve të Kryesisë që nesër mos me marrë pjesë edhe mos me e legjitimuar shkeljen e vazhdueshme dhe brutale të Kushtetutës së Kosovës”, tha Gjini.

Sipas tij, Kosova aktualisht ndodhet “jashtë normës kushtetuese”.

Gjini tha se AAK-ja e kishte toleruar edhe një afat të dytë 30-ditor pas afatit fillestar për konstituimin e Kuvendit, por se mosmbajtja e seancës deri të shtunën, kur sipas tij skadoi edhe ky afat, ka qenë pika pas së cilës partia ka vendosur të mos marrë pjesë.

“Aleanca ka qenë e gatshme me marrë pjesë në seancë sikur të thirrej deri të shtunën, kur edhe ka skaduar tridhjetëditëshi i dytë”, tha ai.

Gjini shtoi se bojkoti i seancës synon të dërgojë një mesazh politik dhe institucional.

“Mendojmë që po fyehet Kuvendi, po fyehen deputetët, po fyehet Kosova, po fyehen qytetarët e Kosovës. Edhe një herë, në këtë seancë nuk do të marrim pjesë”, deklaroi ai.

Kreu i AAK-së paralajmëroi gjithashtu se çështja duhet t’i referohet Gjykatës Kushtetuese.

Sipas tij, për një veprim të tillë nevojitet dakordim edhe me dy parti të tjera opozitare.

“Duhet të dakordohemi me ta edhe t’i referohemi Gjykatës Kushtetuese, për shkak se nuk kemi rrugë tjetër sot”, tha Gjini.

Vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit është thirrur për nesër në ora 11:00.

Në rend të ditës është vazhdimi i procedurave për zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.