Rritja e përdorimit të shërbimeve bankare digjitale në Kosovë po shoqërohet edhe me shtim të rasteve të raportuara për keqpërdorim të kartelave dhe mashtrime përmes kanaleve elektronike.

Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ka bërë të ditur për Telegrafin se nga janari deri më 30 qershor 2026, Departamenti për Mbrojtjen e Konsumatorit ka pranuar 82 ankesa lidhur me keqpërdorimin e kartelave.


Nga këto ankesa, 48 raste kanë plotësuar kriteret për t’u trajtuar nga BQK-ja, ndërsa 34 të tjera janë udhëzuar që fillimisht t’i drejtohen institucionit të tyre financiar, në përputhje me procedurat për trajtimin e ankesave.

“Sipas të dhënave të Departamentit për Mbrojtjen e Konsumatorit në BQK, prej muajit janar deri me 30 qershor 2026 janë pranuar 82 ankesa lidhur me keqpërdorimin e kartelave, prej të cilave 48 ankesa i kanë plotësuar kriteret për t’u trajtuar, ndërsa, 34 ankesa të tjera janë udhëzuar që së pari të parashtrojnë ankesën e tyre te institucioni financiar, meqë, bazuar në kërkesat e Rregullës së brendshme për Trajtimin e Ankesave”, thuhet në përgjigjen e BQK-së.

BQK ka bërë të ditur se në disa prej rasteve të trajtuara është konstatuar se vetë poseduesit e kartelave kanë shpalosur të dhënat e tyre përmes lidhjeve të dyshimta, duke rënë pre e mashtrimeve digjitale.

Kjo tregon se një pjesë e mashtrimeve realizohen përmes teknikave të manipulimit të përdoruesve, ku qytetarët joshen që të klikojnë në lidhje dhe të japin të dhënat e kartelave apo informacione të tjera të ndjeshme.

“BQK-ja do të kërkojë nga ankuesi së pari që të dëshmojë se fillimisht e ka shfrytëzuar të drejtën e tij/saj për ankesë pranë institucionit financiar”. Nga rastet e trajtuara, sipas verifikimeve përkatëse është konstatuar se poseduesi i kartelës ka shpalosur të dhënat e kartelës në linkun përkatës në mënyrë të gabuar, duke rënë pre e mashtrimit digjital”, ka theksuar BQK.

BQK shton se institucionet financiare raportojnë në vazhdimësi për incidentet dhe mashtrimet elektronike, megjithatë të dhënat e detajuara për rastet individuale nuk publikohen, pasi përdoren kryesisht për qëllime mbikëqyrëse, analizë të rrezikut dhe forcim të masave parandaluese.

Pas incidenteve të sigurisë, institucionet financiare janë të obliguara të bëjnë rishikim të detajuar të rasteve, të identifikojnë shkakun dhe ndikimin e tyre dhe të ndërmarrin masa korrigjuese për parandalimin e rasteve të ngjashme.

Sipas BQK-së, institucionet duhet të përmirësojnë politikat dhe procedurat e sigurisë, si dhe të trajnojnë stafin lidhur me mësimet e nxjerra nga incidentet.

Rritja e ankesave për keqpërdorim të kartelave vjen në një kohë kur përdorimi i shërbimeve bankare digjitale në Kosovë është rritur ndjeshëm.

Vetëm gjatë vitit 2025, 88.3 për qind e transfereve të kreditit janë iniciuar në mënyrë elektronike, ndërsa përdorimi i pagesave me kartela në terminalet POS është rritur për 33.4 për qind krahasuar me vitin paraprak.

BQK ka paralajmëruar rëndësinë e edukimit financiar dhe digjital të qytetarëve, veçanërisht për rreziqet nga phishing-u, malware-i dhe vjedhja e identitetit, në mënyrë që përdoruesit të jenë më të mbrojtur nga mashtrimet online. /Telegrafi/