Telefoni po e zëvendëson sportelin, kartela po e sfidon paranë e gatshme e kuleta digjitale po hyn në përditshmëri, ndërsa një transfer që dikur kërkonte paraqitje fizike në bankë sot mund të kryhet brenda pak sekondash nga një aplikacion.

Në Kosovë, ky ndryshim nuk është më vetëm perceptim. Shifrat tregojnë se sistemi financiar po kalon me shpejtësi në ekranin e telefonit.


Ekspertë të fintech-ut dhe sigurisë kibernetike, Banka Qendrore e Kosovës dhe përfaqësues të komunitetit të biznesit, në përgjigjet për Telegrafin, tregojnë se revolucioni financiar tashmë ka nisur – por pyetja është nëse Kosova është plotësisht e përgatitur për të.

Sipas të dhënave nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, në periudhën 2023-2025, rreth 84% e transfereve të kreditit janë iniciuar në mënyrë elektronike, kurse në vitin 2025 kjo përqindje është rritur në rreth 89%.

Në të njëjtën periudhë, pjesëmarrja e transfereve të iniciuara në sportele ka rënë nga 16% në rreth 11%, duke dëshmuar zhvendosjen graduale të klientëve drejt kanaleve digjitale.

Nga të dhënat deri në fund të majit 2026, 1 milion e 290 mijë e 989 klientë të institucioneve financiare kishin qasje në shërbimet elektronike bankare.

Vetëm brenda vitit 2025, numri i përdoruesve të e-banking është rritur rreth 19 për qind, ndërsa numri i pagesave të kryera në terminalet POS është rritur me 33.4 për qind krahasuar me vitin paraprak (2024).

Kosova ka tejkaluar madje para kohe edhe një prej objektivave të veta kombëtare: në vitin 2024 janë realizuar mesatarisht 48.14 transaksione jo-cash për kokë banori, pothuajse dyfish më shumë se objektivi prej 25 pagesash që ishte paraparë të arrihej deri në vitin 2026.

Por a mjaftojnë këto shifra për të thënë se Kosova është gati për revolucionin financiar digjital?

Përgjigjja që del nga bisedat e Telegrafit me njohës të sektorit, rregullatorin dhe komunitetin e biznesit është më e ndërlikuar: infrastruktura po ecën shpejt, por transformimi teknologjik është vetëm njëra pjesë e ekuacionit.

Nga sporteli në telefon, 88.3 për qind e transfereve tashmë elektronike

Në përgjigjen e saj për Telegrafin, BQK-ja e përshkruan një zhvendosje të qartë të klientëve drejt kanaleve digjitale.

“Përdorimi i shërbimeve bankare digjitale në Kosovë ka shënuar rritje të vazhdueshme gjatë viteve të fundit, duke reflektuar orientimin gjithnjë e më të madh të qytetarëve dhe bizneseve drejt kanaleve elektronike për kryerjen e pagesave dhe menaxhimin e financave. Përdorimi i instrumenteve elektronike të pagesave dhe i kuletave digjitale, përfshirë ApplePay dhe GooglePay, është zgjeruar ndjeshëm. Këto zhvillime konfirmojnë kalimin gradual të qytetarëve dhe bizneseve drejt pagesave elektronike dhe shërbimeve financiare digjitale”, kanë deklaruar nga BQK.

Gjithashtu sipas BQK-së nga rreth 1.2 milion qytetarë mbi moshën 16-vjeçare, rreth 73% posedojnë së paku një llogari pagese.

“Nga këta, afërsisht 46% janë femra dhe 54% meshkuj, çka tregon për një nivel të konsiderueshëm të përfshirjes financiare në vend. Kjo rritje mbështetet edhe nga zhvillimet e rëndësishme rregullative dhe infrastrukturore. Ligji i ri për Shërbimet e Pagesave krijon bazën për ofrimin e shërbimeve të reja digjitale, përfshirë bankingun e hapur (Open Banking), autentifikimin e fortë të klientit (Strong Customer Authentication – SCA), hyrjen në treg të ofruesve të rinj të shërbimeve të pagesave dhe qasjen e institucioneve jo-bankare në sistemet e pagesave”, theksohet tutje në përgjigjen e BQK-së.

Paralelisht, Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) po avancon projekte strategjike, si integrimi në Zonën Unike të Pagesave në Euro (SEPA) dhe zhvillimi i sistemit të pagesave të menjëhershme (Instant Payments).

Këto iniciativa pritet të mundësojnë pagesa më të shpejta, më të sigurta dhe më efikase për qytetarët dhe bizneset.

Shifra tjetër e rëndësishme është numri i qytetarëve që tashmë kanë mundësi ta menaxhojnë llogarinë pa hyrë në një degë bankare.

“Nga të dhënat deri në fund të majit 2026, gjithsej 1,290,989 klient të institucioneve financiare kanë qasje në shërbimet elektronike bankare (e-banking). Po ashtu, 56.74% e numrit të përgjithshëm të llogarive rrjedhëse në sistemin bankar kanë të aktivizuar qasjen në internet, duke treguar një nivel të konsiderueshëm të adoptimit të shërbimeve bankare digjitale në vend”, thuhet në përgjigjen e BQK-së për Telegrafin.

Përveç e-banking dhe mobile banking, në përdorim gjithnjë e më të gjerë janë kartelat, kuletat digjitale dhe paraja elektronike.

“Shërbimet financiare digjitale më të përdorura në Kosovë janë e-Banking, Mobile Banking, transferet e kreditit të iniciuara në mënyrë elektronike, pagesat me kartela, kuletat digjitale (digital wallets) si ApplePay dhe GooglePay, si dhe shërbimet e parasë elektronike. Gjatë viteve të fundit është evidentuar një rritje e konsiderueshme në përdorimin e kuletave digjitale dhe pagesave elektronike në përgjithësi, duke reflektuar adoptimin në rritje të teknologjive moderne të pagesave nga qytetarët dhe bizneset”, kanë deklaruar nga BQK-ja për Telegrafin.

Nga bankingu online te Open Banking - çfarë mund ta ndryshojë tregun financiar në vitet e ardhshme

Nëse bankingu online është pjesa e dukshme e transformimit, revolucioni financiar shkon shumë më tej.

Open Banking, pagesat që ekzekutohen në sekonda dhe funksionojnë 24 orë në ditë e shtatë ditë në javë, integrimi me SEPA-n, inteligjenca artificiale dhe hyrja e kompanive të reja teknologjike në treg mund ta ndryshojnë rrënjësisht mënyrën se si qytetarët ndërveprojnë me paranë.

Eksperti i fintech-ut Gazmend Selmani, në një deklarim për Telegrafin, thotë se Kosova ka bërë përparim, por ende nuk ka arritur në fazën e një ekosistemi të plotë.

“Kosova ka bërë progres të mire në digjitalizimin e shërbimeve financiare, por ende jemi në fazën e kalimit drejt një ekosistemi të plotë fintech. Krahasuar me disa vende të rajonit, kemi ende hapësirë në Open Banking, pagesa instant, interoperabilitet me SEPA dhe zhvillim te infrastrukturës financiare. Megjithatë, reformat e fundit krijojnë mundësi që Kosova ta zvogëlojë shpejt këtë diferencë”, ka thënë Selmani për Telegrafin.

Gazmend Selmani

Ai pret që pesë zhvillime të kenë ndikim të veçantë në vitet e ardhshme.

“Ndikimin më të madh pritet ta kenë Open Banking, pagesat instant 24/7, integrimi ne SEPA, ndërlidhja e sistemeve me Administratën Tatimore si dhe inteligjenca artificiale”, ka deklaruar ai.

Open Banking, në thelb, e ndryshon modelin tradicional ku banka e ka pothuajse ekskluzivisht marrëdhënien digjitale me klientin. Me pëlqimin e përdoruesit, ofrues të tjerë të licencuar mund të ndërtojnë shërbime mbi të dhënat dhe llogaritë financiare – nga aplikacione për menaxhimin e financave personale deri te mënyra të reja të inicimit të pagesave.

Pikërisht këtu mund të hapet një treg i ri edhe për kompanitë kosovare.

“Po, potenciali është i madh. Kosova ka popullsi ë re, sektor të zhvilluar të ICT-së, talent teknologjik dhe lidhje të forta me diasporën. Legjislacioni po lëviz në drejtimin e duhur, por duhet zbatim më i shpejtë, procedura proporcionale të licencimit, regulatory sandbox dhe qasje më e hapur në infrastrukturën financiare. Fintech-u mund të behët jo vetëm mjet për modernizimin e sektorit financiar në Kosovë, por edhe një produkt eksportues i vendit, për çka në IBAS po punojmë ne vazhdimësi”, ka thënë Selmani për Telegrafin.

Kjo do të nënkuptonte që transformimi financiar të mos shihej vetëm si import teknologjie nga jashtë, por edhe si potencial ekonomik për kompani që zhvillojnë produkte në Kosovë dhe i shesin ato në tregje të tjera.

Banka po kalon në telefon, por paraja e gatshme vazhdon të jetë pjesë e fortë e ekonomisë

Megjithatë, ekziston një paradoks. Nga njëra anë, gati nëntë në dhjetë transfere të kreditit bëhen elektronikisht. Nga ana tjetër, paraja e gatshme vazhdon të mbetet thellësisht e pranishme në jetën ekonomike.

Selmani e lidh këtë jo vetëm me teknologjinë, por edhe me kulturën financiare dhe ekonominë joformale.

“Cash-i vazhdon të përdoret për shkak të kulturës, ekonomisë joformale, dhe faktit që shumë nga bizneset nuk pranojnë pagesa digjitale. Këto të fundit e vështirësojnë shumë ekosistemin dhe përfitimet e vetë bizneseve, pastaj edhe shoqërisë në tërësi. Ka vite qe insistojmë ne detyrimin e një forme te pagesës digjitale. Pastaj bizneset le ta zgjedhin në mesin e mbi 10 ofertuesve të zgjidhjeve tëtilla. Pak a shumë, si arkat fiskale. Por, për dallim nga ato, në treg ka konkurrencë të gjerë. Sepse, siç thash më sipër, janë mbi 10 ofertues - institucione financiare qe ofrojnë zgjidhje të pagesave digjitale”, ka deklaruar ai për Telegrafin.

Për ta bërë pagesën elektronike normë dhe jo alternativë, sipas tij nuk mjafton vetëm ekzistenca e aplikacioneve bankare.

“Duhet një ekosistem me i plotë: pagesa instant, Open Banking funksional, më shumë pika pranimi të pagesave digjitale - nëse jo të gjitha, tarifa më të ulëta dhe më shumë shërbime publike digital-first. Gjithashtu, duhet më shumë edukim financiar”, ka thënë Selmani.

Kryetari i AKB-së, Agim Shahini

Edhe Aleanca Kosovare e Bizneseve e sheh rezistencën ndaj largimit nga cash-i si çështje kulturore, jo thjesht teknologjike.

Kryetari i AKB-së, Agim Shahini, ka deklaruar për Telegrafin se tranzicioni do të kërkojë kohë.

“Një prej pengesave kryesore është edhe kultura financiare. Kosovari ende e ka një lidhje të fortë me paranë fizike – dëshiron ta shohë dhe ta ketë paranë në dorë, në kuletë apo në arkën e biznesit. Përveç kësaj, ndikojnë edhe kostot e shërbimeve financiare, mungesa e edukimit, frika nga mashtrimet dhe siguria digjitale, si dhe fakti se jo çdo aktivitet ekonomik mund të zhvillohet vetëm përmes transaksioneve elektronike. Ky është një emancipim financiar dhe një tranzicion kulturor, i cili kërkon kohë. Megjithatë, kalimi drejt një ekonomie më digjitale është i pashmangshëm”, ka thënë Shahini për Telegrafin.

Prishtina dominon pagesat me kartela, ndërsa zonat jashtë qendrave mbeten më prapa

Mesatarja kombëtare mund ta fshehë edhe një ndarje tjetër. Jo të gjitha grupmoshat dhe jo të gjitha pjesët e vendit po e përjetojnë transformimin financiar njësoj.

Sipas analizave të BQK-së, grupmosha 26 deri 35 vjeç është përdoruesja më aktive e kartelave të pagesave, kredit kartelave dhe tregtisë elektronike. Edhe gjeografia e transaksioneve tregon përqendrim të fortë.

“BQK nuk disponon statistika të ndara sipas klasifikimit urban-rural. Megjithatë, janë në dispozicion të dhëna sipas qyteteve. Sipas analizave të përdorimit të kartelave, rreth 58% e numrit të transaksioneve me kartela në ATM dhe POS realizohen në Prishtinë, ndërsa pjesa tjetër në qytetet e tjera më të mëdha të Kosovës. Edhe për nga vlera e transaksioneve, Prishtina përfaqëson afërsisht gjysmën e totalit. Megjithëse këto të dhëna nuk mundësojnë krahasim të drejtpërdrejtë ndërmjet zonave urbane dhe rurale, ato sugjerojnë se përdorimi i instrumenteve elektronike të pagesave është më i përqendruar në qendrat urbane”, ka deklaruar BQK-ja për Telegrafin.

Kjo nënkupton se transformimi financiar ka edhe dimension të përfshirjes sociale. Nëse shërbimet zhvendosen gjithnjë e më shumë online, qytetarët me më pak aftësi digjitale, lidhje më të dobët në internet ose më pak qasje në teknologji mund të mbesin prapa.

Vetë BQK-ja i rendit këta faktorë ndër pengesat kryesore.

“Ndër faktorët që ndikojnë në përdorimin më të gjerë të bankimit digjital përfshihen niveli i edukimit financiar dhe digjital, mungesa e njohurive mbi funksionalitetet dhe përfitimet e shërbimeve elektronike, qasja më e kufizuar në internet dhe pajisje teknologjike për kategori të caktuara të popullsisë, si dhe shqetësimet lidhur me sigurinë kibernetike dhe mashtrimet online. Një pjesë e qytetarëve vazhdojnë gjithashtu të preferojnë shërbimet tradicionale bankare dhe kontaktin fizik me institucionet financiare”, thekson BQK.

Krahas zhvillimit të infrastrukturës moderne për pagesa dhe shërbime tjera financiare, mbetet me rëndësi rritja e edukimit financiar, ngritja e vetëdijes së publikut mbi përfitimet e shërbimeve digjitale, si dhe përfshirja më e madhe e grupeve të ndjeshme dhe e banorëve të zonave më pak të përfshira financiarisht.

Po ashtu, BQK thekson se sfida mbeten edhe përshtatja e sistemeve teknologjike me standardet e reja, garantimi i sigurisë kibernetike dhe zbatimi i kërkesave për autentifikim të fortë të klientëve.

Megjithatë, trendet e deritanishme tregojnë se besimi dhe përdorimi i kanaleve digjitale po rritet vazhdimisht në Kosovë

Cash-i mbetet zgjedhja e shumë bizneseve të vogla

Edhe nga ana e biznesit, transformimi nuk është uniform. Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulëzim Rafuna, në një përgjigje për Telegrafin thotë se përparimi është i dukshëm, por dallimet mbeten të mëdha.

“Në përgjithësi, bizneset kosovare janë më të përgatitura se sa para një dekade, në veçanti bizneset e mesme dhe të mëdha, si dhe ato që veprojnë në tregti, hoteleri, shërbime dhe shitje online, kanë investuar më shumë në infrastrukturën dhe mjetet për pranimin e pagesave digjitale. Megjithatë, te bizneset e vogla dhe mikro-bizneset, gatishmëria ende nuk është në të njëjtin nivel, qoftë për shkak të kostove, mungesës së njohurive ose shprehive tradicionale për pagesat me para në dorë”, ka thënë Rafuna për Telegrafin.

Sipas tij, rritja e kërkesës nga vetë konsumatorët po i shtyn bizneset drejt pagesave elektronike.

“Po, ka një trend pozitiv dhe rritje të përdorimit të POS terminaleve, kartelave dhe formave të tjera të pagesave elektronike. Fatmirësisht Bankat te ne janë shumë të zhvilluara dhe janë të gatshme për ti mbështetur bizneset. Edhe konsumatorët po kërkojnë gjithnjë e më shumë mundësinë për të paguar me kartelë ose në mënyrë digjitale, prandaj bizneset po përshtaten gradualisht me këtë kërkesë.

Sidoqoftë, ende ekziston hapësirë e madhe për zgjerimin e kësaj infrastrukture, veçanërisht te bizneset e vogla dhe në zonat jashtë qendrave kryesore urbane”, ka deklaruar Rafuna.

Tregtia, bankat, telekomunikacioni, hoteleria, gastronomia, shërbimet profesionale dhe shitjet online janë, sipas OEK-ut, sektorët që kanë avancuar më shumë.

Por cash-i ende ka terren të fortë te bizneset e vogla.

“Po sigurisht se ka ende ka biznese që vazhdojnë t’u japin përparësi pagesave me para në dorë. Arsyet janë të ndryshme si psh: -tradita dhe shprehia e përdorimit të parasë së gatshme, -perceptimi se pagesat cash janë më të thjeshta, -shmangia e kostove të transaksioneve elektronike, -mungesa e infrastrukturës së përshtatshme ose njohurive teknologjike. Kjo zakonisht është më e theksuar te bizneset shumë të vogla individuale që ofrojë shërbime dhe te disa sektorë me qarkullim të përditshëm dhe pagesa me vlerë të ulët”, ka thënë Rafuna për Telegrafin.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulëzim Rafuna

Ai kërkon bashkëpunim mes bankave, institucioneve publike, BQK-së, odave ekonomike dhe bizneseve.

“Nevojitet një bashkëpunim më i madh ndërmjet bankave, institucioneve publike, Bankës Qendrore, dhomave të tregtisë dhe vetë bizneseve. Bankat do të ofrojnë tarifa më konkurruese dhe transparente, procedura më të thjeshta për instalimin e POS terminaleve dhe integrimin e shërbimeve digjitale, si dhe mbështetje teknike cilësore. Nga ana tjetër, institucionet publike duhet të promovojnë më fuqishëm pagesat digjitale, të rrisin edukimin financiar dhe digjital, si dhe të krijojnë stimuj për bizneset e vogla që të investojnë në këto teknologji”, ka deklaruar Rafuna për Telegrafin.

Kryetari i OEK-ut thekson se është e rëndësishme që digjitalizimi të mos shihet vetëm si një obligim, por si një mundësi për të ulur kostot, për të rritur efikasitetin dhe transparencën dhe për të përmirësuar përvojën e konsumatorit.

“Me pakë fjalë për fund themi se digjitalizimi i pagesave është një proces i domosdoshëm dhe pozitiv. Me qëllim që dinamika këtij transformimi që të jetë më i shpejtë dhe i plotë, zgjidhjet financiare digjitale duhet të jenë përballueshme, më të thjeshta për t’u përdorur, më të sigurta dhe me qasje të lehtë për të gjitha kategoritë e bizneseve”, ka deklaruar Rafuna.

Edhe Aleanca Kosovare e Bizneseve e përkrah transformimin, por paralajmëron për rrezikun që kompanitë më të vogla të mbeten prapa.

“Jo plotësisht. Kompanitë e mëdha kanë më shumë kapacitete financiare, teknologjike dhe njerëzore për t’i përdorur këto shërbime. Bizneset e vogla dhe mikro-bizneset shpesh përballen me kosto më të larta, mungesë të njohurive dhe vështirësi në përshtatjen me sistemet e reja digjitale. Prandaj, digjitalizimi duhet të jetë më i qasshëm dhe më i përballueshëm për të gjithë”, ka deklaruar kryetari i AKB-së, Agim Shahini, për Telegrafin.

Edukimi, sipas tij, është po aq i rëndësishëm sa teknologjia.

“Po, dhe kjo është një nga sfidat kryesore. Në Kosovë ende mungon në nivel të mjaftueshëm edukimi financiar dhe digjital, sidomos te bizneset e vogla. Nevojiten programe të vazhdueshme trajnimi, jo vetëm individuale, por edhe trajnime kolektive për komunitetin e biznesit, në mënyrë që ndërmarrësit të kuptojnë më mirë pagesat elektronike, bankimin online, sigurinë kibernetike, menaxhimin financiar dhe përdorimin e teknologjive të reja”, ka thënë Shahini.

Një problem tjetër janë kostot. Sipas Shahinit në Kosovë, shërbimet financiare në përgjithësi janë ende të shtrenjta për shumë biznese dhe qytetarë, ndërsa kostot e transaksioneve mund të jenë veçanërisht të ndjeshme për bizneset e vogla që operojnë me marzhe të ulëta.

“Nëse kërkojmë që bizneset të largohen nga cash-i dhe të përdorin më shumë pagesat elektronike, atëherë duhet të krijojmë edhe kushte më të favorshme ekonomike për këtë tranzicion”, ka deklaruar Shahini për Telegrafin.

Në vlerësimin përfundimtar, AKB-ja e sheh digjitalizimin si të pashmangshëm, por kërkon që ai të mos jetë privilegj i atyre që kanë më shumë kapital.

“Në përfundim, AKB e mbështet fuqishëm digjitalizimin financiar, sepse ai sjell më shumë transparencë, shpejtësi, efikasitet dhe formalizim të ekonomisë. Por digjitalizimi nuk duhet të nënkuptojë vetëm vendosjen e teknologjisë; duhet të shoqërohet me ulje të kostove, edukim financiar e digjital, siguri më të madhe dhe qasje të barabartë për bizneset e vogla dhe qytetarët. Kosova nuk mund ta ndalë këtë revolucion financiar, por duhet të sigurohet që ai të mos krijojë një hendek të ri mes bizneseve të mëdha dhe atyre të vogla. Tranzicioni drejt ekonomisë digjitale është i domosdoshëm, por duhet të jetë i drejtë, i sigurt dhe i përballueshëm për të gjithë”, ka thënë Shahini për Telegrafin.

Kur sulmi nuk nis te banka, por te përdoruesi

Por revolucioni financiar digjital krijon një ekuacion të ri sigurie. Në botën e parasë fizike, rreziku kryesor mund të ishte vjedhja e kuletës. Në botën digjitale, sulmuesit nuk kanë gjithmonë nevojë të thyejnë sistemin e bankës, shpesh mjafton ta bindin përdoruesin që t'ua japë vetë çelësin.

Eksperti i sigurisë kibernetike Blerton Abazi, në një deklarim të detajuar për Telegrafin, thotë se pikërisht manipulimi i përdoruesit është sot një nga kërcënimet kryesore.

“Sot, rreziku më i madh për përdoruesit e bankave online nuk është domosdoshmërisht një sulm teknik direkt ndaj bankës, por manipulimi i vetë përdoruesit. Phishing-u dhe format e ndryshme të social engineering janë ndër kërcënimet më të zakonshme. Përdoruesit mund të marrin SMS, email apo mesazhe në rrjete sociale që duken sikur vijnë nga banka dhe që i kërkojnë të klikojnë në një link, të konfirmojnë një transaksion, të përditësojnë të dhënat ose të shmangin gjoja bllokimin e llogarisë. Një tjetër rrezik është mashtrimi përmes telefonatave, ku sulmuesi paraqitet si punonjës i bankës (vishing attack) ”, ka deklaruar Abazi për Telegrafin.

Blerton Abazi

Ai shton se gjithashtu duhet të kemi parasysh skemat që lidhen me tregtinë online, investimet e rreme, platformat e falsifikuara të pagesave dhe komprometimin e llogarive të emailit apo rrjeteve sociale.

“Pra, sulmi modern nuk synon vetëm cënimin e sistemit bankar, por më shumë synon të bindë klientin që vetë t’ia dorëzojë sulmuesit të dhënat e llogarisë”, ka thënë Abazi.

Teknologjia, ndërkohë, po i ndihmon jo vetëm institucionet financiare, por edhe mashtruesit.

“Ndërgjegjësimi është duke u rritur, por ende nuk kemi arritur një nivel të mjaftueshëm. Teknologjia e sigurisë po zhvillohet shumë shpejt, ndërsa metodat e mashtrimit po bëhen gjithnjë e më avancuara.

Gabimet më të zakonshme janë klikimi në linke të dyshimta, përdorimi i të njëjtit fjalëkalim në disa shërbime, dhënia e kodeve apo të dhënave të kartelës, instalimi i aplikacioneve nga burime jo të besueshme dhe përdorimi i rrjeteve Wi-Fi të pasigurta për veprime financiare. Një gabim veçanërisht problematik është perceptimi se “nëse mesazhi duket sikur vjen nga banka, atëherë duhet të jetë i sigurt”. Sot, me përdorimin e inteligjencës artificiale, sulmuesit mund të krijojnë mesazhe shumë më profesionale, më të sakta dhe më bindëse. Prandaj, siguria digjitale nuk mund të trajtohet vetëm si çështje teknologjike. Ajo është edhe çështje e kulturës dhe edukimit digjital të përdoruesit”, ka thënë Abazi.

Këshilla e tij për qytetarët mund të përmblidhet në një rregull të thjeshtë: të mos veprojnë nën presion.

“Duhet të ekzistojë një rregull shumë i thjeshtë: mos vepro nën presion. Nëse një mesazh thotë “llogaria juaj do të bllokohet”, “transaksioni duhet të konfirmohet menjëherë” ose “keni fituar një shumë parash”, duhet të ngrihet menjëherë dyshimi. Përdoruesi duhet të kontrollojë adresën reale të dërguesit dhe URL-në e faqes, të mos klikojë në linkun e mesazhit dhe, nëse ka dyshim, të hyjë vetë në aplikacionin zyrtar të bankës ose të kontaktojë bankën përmes numrit zyrtar. Një tjetër element i rëndësishëm është aktivizimi i njoftimeve për transaksionet dhe përdorimi i autentikimit multifaktor kur është i disponueshëm”, ka deklaruar ai për Telegrafin.

82 ankesa për keqpërdorim kartelash në gjashtë muaj

Rreziku nuk është teorik. BQK-ja i ka bërë të ditur Telegrafit se vetëm nga janari deri më 30 qershor 2026, Departamenti për Mbrojtjen e Konsumatorit ka pranuar 82 ankesa lidhur me keqpërdorimin e kartelave.

Nga to, 48 kanë plotësuar kriteret për trajtim, ndërsa 34 qytetarë janë udhëzuar që fillimisht t'i drejtohen institucionit financiar.

Por një detaj është veçanërisht domethënës: në rastet e verifikuara, përdoruesit kishin shpalosur vetë të dhënat e kartelës në linkun e mashtrimit.

“Sipas të dhënave të Departamentit për Mbrojtjen e Konsumatorit në BQK, prej muajit janar deri me 30 qershor 2026 janë pranuar 82 ankesa lidhur me keqpërdorimin e kartelave, prej të cilave 48 ankesa i kanë plotësuar kriteret për t’u trajtuar, ndërsa, 34 ankesa të tjera janë udhëzuar që së pari të parashtrojnë ankesën e tyre te institucioni financiar, meqë, bazuar në kërkesat e Rregullës së brendshme për Trajtimin e Ankesave, “BQK-ja do të kërkojë nga ankuesi së pari që të dëshmojë se fillimisht e ka shfrytëzuar të drejtën e tij/saj për ankesë pranë institucionit financiar”. Nga rastet e trajtuara, sipas verifikimeve përkatëse është konstatuar se poseduesi i kartelës ka shpalosur të dhënat e kartelës në linkun përkatës në mënyrë të gabuar, duke rënë pre e mashtrimit digjital”, ka bërë të ditur BQK-ja për Telegrafin.

Rritja e përdorimit të kanaleve online po sjell, paralelisht, edhe më shumë tentativa mashtrimi.

“Rritja e numrit të ankesave për gjysme vjetorin e 2026 reflekton një trend në rritje të tentativave për mashtrime financiare përmes kanaleve digjitale, i cili duhet të shihet krahas përdorimin gjithnjë e më të madh të shërbimeve bankare elektronike dhe kanaleve të pagesave në distancë”, thuhet në përgjigjen e BQK-së.

Banka mund të jetë e sigurt – por klienti mund të mashtrohet

Për ekspertin Blerton Abazi, këtu duhet bërë një dallim thelbësor mes sigurisë së sistemit bankar dhe sigurisë së klientit.

“Nuk do të ishte korrekte të japim një vlerësim të përgjithshëm për të gjitha bankat, sepse niveli i sigurisë nuk është i njëjtë dhe një pjesë e rëndësishme e masave të sigurisë nuk është publike. Megjithatë, sektori bankar është ndër sektorët ku siguria kibernetike ka rëndësi kritike dhe ku investimet në kontrollin e qasjes, monitorim, autentikim, segmentim të rrjetit, backup, zbulim të incidenteve dhe menaxhim të rrezikut duhet të jenë të vazhdueshme. Por këtu duhet të bëjmë një dallim të rëndësishëm: siguria e bankës dhe siguria e klientit nuk janë e njëjta gjë.

Një bankë mund të ketë infrastrukturë shumë të avancuar të sigurisë, por nëse një klient mashtrohet përmes phishing-ut dhe vetë autorizon një transaksion, problemi zhvendoset nga siguria e infrastrukturës tek siguria e identitetit dhe sjellja e përdoruesit. Prandaj, mbrojtja duhet të jetë shumë-shtresore: teknologji, procese, monitorim, reagim ndaj incidenteve, edukim i stafit dhe, po aq e rëndësishme, edukim i klientëve”, ka deklaruar ai për Telegrafin.

BQK-ja thotë se institucionet financiare duhet të zbatojnë standarde minimale, përfshirë autentifikimin me shumë faktorë, enkriptimin e komunikimit dhe monitorimin e qasjeve të dyshimta.

“BQK ka siguruar që të gjitha institucionet financiare të zbatojnë standardet minimale të sigurisë, përfshirë: Autentifikimi me Shumë Faktorë (MFA): Të paktën 85% e institucioneve financiare kanë zbatuar MFA për të gjitha llogaritë e klientëve; Enkriptimi i Komunikimit: Të gjitha komunikimet midis klientit dhe bankës janë të enkriptuara me standarde TLS 1.2 ose më të larta; dhe Monitorimi i Qasjes: Sistemet e zbulimit të anomalive monitorojnë qasjet e dyshimta në kohë reale.

Përveç kësaj, BQK ka kërkuar nga institucionet financiare të ofrojnë trajnim të rregullt për klientët mbi sigurinë kibernetike, përfshirë ndërgjegjësimin mbi rrezikun e phishing-ut, malëare-it dhe mashtrimit të identitetit”, thuhet në përgjigjen për Telegrafin.

SEPA dhe pagesat instant – hapi tjetër

Transformimi që po ndodh brenda Kosovës është vetëm një pjesë e procesit. Objektivi më i madh është që infrastruktura financiare e vendit të lidhet gjithnjë e më shumë me ekosistemin evropian.

BQK-ja po e lidh këtë me integrimin në SEPA dhe me ndërtimin e infrastrukturës së pagesave të menjëhershme.

“Një element i rëndësishëm i këtij progresi është angazhimi aktiv i BQK-së në projekte të përbashkëta rajonale për modernizimin e sistemeve të pagesave. Përmes bashkëpunimit me bankat qendrore të vendeve të rajonit dhe institucionet partnere ndërkombëtare, BQK po kontribuon në avancimin e procesit të integrimit në SEPA dhe në modernizimin e infrastrukturës së pagesave përmes zbatimit të reformave të reja rregullative, të harmonizuara me standardet e Bashkimit Evropian. Këto përpjekje synojnë rritjen e efikasitetit, sigurisë dhe ndërveprueshmërisë së pagesave ndërkufitare, duke afruar më tej standardet e Kosovës me ato evropiane”, ka deklaruar BQK-ja për Telegrafin.

Në kuadër të kësaj, projekti i pagesave të shpejta/instant TIPS Clone, në të cilin BQK është e angazhuar së bashku me vendet e rajonit, përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt modernizimit të infrastrukturës rajonale të pagesave dhe integrimit me ekosistemin modern evropian të pagesave.

Revolucioni ka nisur, por sfida e madhe mbetet ndërtimi i besimit

Në fund, sfida më e madhe mund të mos jetë në serverët e bankave, në ligje apo në terminalet POS, mund të jetë te vetë përdoruesi.

Nëse ekonomia zhvendoset nga kartëmonedha te aplikacioni, qytetari duhet jo vetëm të mësojë si ta përdorë teknologjinë, por edhe si ta mbrojë veten brenda saj.

Eksperti i sigurisë kibernetike Blerton Abazi e përmbledh këtë si nevojë për një revolucion paralel – atë të sigurisë dhe edukimit digjital.

“Sulmet moderne funksionojnë pikërisht duke kombinuar dobësitë teknologjike me dobësitë njerëzore.

Megjithatë, në kontekstin e mashtrimeve ndaj përdoruesve të bankimit online, faktori njerëzor mbetet një nga sipërfaqet më të rëndësishme të sulmit. Ne mund të ndërtojmë sisteme shumë të sigurta, por nëse një përdorues i jep sulmuesit fjalëkalimin, kodin OTP ose autorizon vetë një transaksion pas një telefonate mashtruese, teknologjia e ka shumë më të vështirë ta parandalojë këtë. Prandaj, revolucioni financiar digjital duhet të shoqërohet me një revolucion të sigurisë dhe edukimit digjital. Nuk mjafton që qytetarët të dinë të përdorin aplikacionin bankar; duhet të dinë edhe kur të mos i besojnë një mesazhi, një linku apo një kërkese”, ka thënë Abazi për Telegrafin.

Ai thekson se siguria nuk është vetëm përgjegjësi e bankës, është një zinxhir përgjegjësish që përfshin bankën, operatorët teknologjikë, institucionet dhe vetë përdoruesin.

Pra, a është Kosova gati?

Kosova nuk po e pret më revolucionin digjital – ajo tashmë po jeton brenda tij. Me mbi 1.29 milionë përdorues në e-banking dhe me kartelat e kuletat digjitale që po zëvendësojnë gradualisht kuletën fizike, sjellja financiare e kosovarëve po ndryshon rrënjësisht.

Megjithatë, përplasja mes vrullit të teknologjisë dhe rezistencës së cash-it tregon se infrastruktura është vetëm gjysma e rrugës, gjysma tjetër, ajo më e vështira lidhet me ndërtimin e besimit.

Për sa kohë që bizneset e vogla tremben nga kostot e transaksioneve dhe qytetarët mbeten të ekspozuar ndaj mashtrimeve online, paraja e gatshme do të vazhdojë të gjejë strehë në ekonominë kosovare. /Telegrafi/