Teoria e habitshme e viteve 1960 se Stonhenxhi ishte kompjuter parahistorik

Në gusht të vitit 1966, një profesor amerikan i astronomisë ndau me BBC-në gjetjet e tij befasuese. Ai besonte se rrethi neolitik ishte ndërtuar për të parashikuar eklipset.
Nga: Fiona Macdonald / BBC
Përkthimi: Telegrafi.com
Ekspertët kanë debatuar prej kohësh për kuptimin e Stonhenxhit [Stonehenge], rrethit parahistorik prej gurësh në jugperëndim të Anglisë. Ata kanë hamendësuar se monumenti misterioz mund të ketë qenë një vend për përkujtimin e të vdekurve, një altar flijimi ose një vend ku zhvilloheshin ceremoni të tjera fetare. Por, në gusht të vitit 1966, Gerald Hawkins, një profesor i astronomisë në Boston, i tha programit Chronicle të BBC-së se e kishte zgjidhur enigmën falë një konfigurimi të veçantë numrash - dhe një kompjuteri të hershëm IBM.
Teoria e Hawkinsit përbënte bazën e librit të tij të njohur dhe me ndikim të vitit 1965, Dekodimi i Stonhenxhit [Stonehenge Decoded]. Shkencëtari me origjinë britanike i sugjeroi BBC-së se vendosja në vijë e pllakave të stërmëdha prej guri dhe e harqeve nënkuptonte se “rrathët në Stonhenxhit mund të jenë përdorur si kompjuter për të ndjekur Hënën dhe për të parashikuar eklipset”. Eklipset, si ato të dëshmuara në mbarë botën këtë muaj, mund të jenë parashikuar me saktësi nga britanikët e lashtë - më shumë se 4500 vjet më parë.
Në pamjet e BBC-së, Hawkins tregoi me dorë një model të Stonhenxhit të punuar saktësisht sipas shkallës, duke treguar se në rrethin më të madh që shënon perimetrin e vendit, ndodhen 56 vrima. “56 ishte i vetmi numër që përputhej me një model të caktuar të Hënës”, pohoi ai, duke sugjeruar se vrimat “përbëjnë një pajisje të thjeshtë numërimi për parashikimin e eklipseve”.
Kuptimi që kjo kishte për ata që ndërtuan Stonhenxhin ishte, sipas tij, domethënës. “Eklipset janë ngjarje spektakolare të cilat me siguri zgjonin emocionet më të thella të paraardhësve tanë primitivë”, tha Hawkins. “Drita e Hënës e cila, natyrisht, merret nga Dielli, ndërpritet. Ajo kalon në hijen e Tokës. Hëna, nga e ngjyra bardhë e argjendtë, bëhet e kuqe. Të lashtët e konsideronin atë të kuqe si gjaku dhe i jepnin kuptime ogurzeza”.
Dekodimi i Stonhenxhit pati “efektin befasues të heshtjes së spekulimeve për disa dekada”, thuhej në një artikull të vitit 2007 në revistën britanike Current Archaeology.
Sipas Hawkinsit, ajo ishte “teoria e parë përkitazi me qëllimin e Stonhenxhit që është pranuar në qarqe akademike dhe është botuar në revista shkencore”. Ndonëse lidhja mes këtij vendi dhe solsticit të verës ishte njohur që nga shekulli XVIII, profesori e çoi idenë më tej, duke propozuar se ajo që ishte konsideruar si një tempull i adhurimit të Diellit mund të kishte qenë një “observator astronomik” i sofistikuar.
Në vitin 1961, ai kishte vizituar Stonhenxhin në përpjekjen për të kuptuar “se si monumenti duhej të shënonte lindjen e Diellit”. Siç i tha BBC-së pesë vjet më vonë: “Vështrova përreth në dritën e agimit në Stonhenxh ... mes harqeve të mëdha prej guri. Ndjeva se pamja ime ishte e kontrolluar, e kufizuar. Harqet dukej sikur më detyronin të shikoja pika të caktuara në horizont. Çfarë duhej të shihja”?
I befasuar nga mënyra se si arkitektët e lashtë ia kishin kornizuar fushëpamjen, Hawkinsi u kthye në ShBA me skicat e vendit, duke përcaktuar pozicionet e pikës qendrore dhe të çdo guri, harku, vrime dhe kodrine.
Përpjekja për të përcaktuar “saktësisht se çfarë do të ishte parë në kohën e Stonhenxhit ... do të ishte e gjatë dhe e mundimshme dhe ndoshta i kishte zmbrapsur të tjerët para meje”, i tha Hawkinsi, BBC-së. “Për fat të mirë, kisha në dispozicion një makinë llogaritëse, kompjuterin elektronik”.
Në Observatorin Harvard-Smithsonian në Masaçusets, Hawkinsi dhe ekipi i tij e udhëzuan kompjuterin të llogariste se çfarë do të ishte parë përgjatë secilës vijë të shtrirjes në kohën kur u ndërtua Stonhenxhi. Ai i përdori këto llogaritje si bazë për Dekodimin e Stonhenxhit. /Telegrafi/






































