Haxhiu pas vrasjes së 25-vjeçares në Malishevë: Gratë nuk janë të sigurta as në shtëpitë e tyre

Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas vrasjes së rëndë të një 25-vjeçareje, e cila ishte në javën e 34-të të shtatzënisë.
Haxhiu ka shprehur tronditjen e saj për rastin, duke theksuar se siguria e grave duhet të jetë përgjegjësi e të gjithë shoqërisë.
“Shoqëria jonë nuk mund të jetë e sigurt përderisa gratë nuk janë të sigurta as në shtëpitë e tyre”, ka deklaruar Haxhiu.
Një grua humb jetën nga të shtënat në Malishevë, policia: Çifti u gjet i plagosur në dhomën e gjumit

Ajo ka theksuar se familja dhe martesa nuk duhet të përdoren për të fshehur apo arsyetuar dhunën ndaj grave, ndërsa ka kërkuar nga organet e drejtësisë që ta zbardhin plotësisht rastin dhe të veprojnë me përgjegjësi.
“Kur një gruaje i rrezikohet jeta, kjo nuk është më çështje private. Është një çështje që na përket të gjithëve dhe përballë së cilës institucionet duhet të veprojnë pa vonesë”, ka shkruar u.d. e Presidentes.
Në fund, Haxhiu i ka shprehur ngushëllime familjes së të ndjerës për humbjen e rëndë. /Telegrafi/





































