Vrasja e trefishtë në Gllogjan, tre të akuzuarit shpallen të pafajshëm

Gjykata Themelore në Pejë ka shpallur të pafajshëm Halil, Kreshnik dhe Kastriot Mehmetajn, të akuzuar për vrasjen e trefishtë në Gllogjan.
Aktgjykimi u shpall të hënën nga kryetari i trupit gjykues, Leon Përlaska.
Kastriot dhe Kreshnik Mehmetaj u liruan nga akuza për veprën penale “Vrasje e rëndë” në bashkëkryerje, kurse Halil Mehmetaj u lirua nga akuza për veprën penale “Shtytje në vrasje të rëndë”. Kastriot Mehmetaj u lirua nga akuza edhe për armëmbajtje pa leje.
“Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Pejë, departamenti për Krime të Rënda, trupi gjykues vlerësoi se kjo gjykatë është kompetente dhe se nuk ka nevojë për rihapje të shqyrtimit kryesor andaj duke vendosur për çështjen që është objekt shqyrtimi turpi gjykues merr vendim njëzëri këtë aktgjykim: të pandehurit Kastriot dhe Kreshnik Mehmetaj lirohen nga akuza për veprën penale “bashkëkryerje, vrasje e rëndë”. I pandehuri Halil Mehmetaj lirohet nga akuza për veprën penale “shtytje në vrasje të rëndë””, ka theksuar gjyqtari Përlaska.
Halil dhe Kreshnik Mehmetaj u shpallën fajtorë për armëmbajtje pa leje. I pandehuri Halil për këtë vepër u dënua me 3 vjet burgim, kurse i pandehuri Kreshnik u dënua me 1 vit burgim.
Rasti lidhet me ngjarjen e 26 nëntorit 2021, kur një autobus ishte qëlluar me armë zjarri, ku mbetën të vrarë shoferi Gani Gjokaj dhe dy nxënës 17-vjeçarë, L.H. dhe G.M. Një person tjetër ishte plagosur rëndë.
Prokuroria i kishte akuzuar Mehmetajt për përfshirje në sulm, ndërsa pretendonte se objektiv ishte shoferi Gjokaj.
Procesi ishte rihapur në korrik pas administrimit të një videoincizimi të ri.
Pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor, gjykata vendosi që të tre të akuzuarit të shpallen të pafajshëm.
Prokuroria pretendonte se familja Mehmetaj e konsideronte Gjokajn përgjegjës për vetëvrasjen e vajzës së tyre, Heroina Mehmetaj, dhe se kjo kishte shërbyer si motiv për sulmin.
Sipas versionit të Prokurorisë, Kastriot Mehmetaj kishte dalë në rrugë përpara autobusit i armatosur dhe, pasi autobusi kishte ngadalësuar, kishte shtënë në drejtim të tij.
Më pas, sipas aktakuzës, ai ishte larguar në drejtim të Shaptej, ku e kishte pritur Kreshnik Mehmetaj me veturë. Halil Mehmetaj akuzohet se kishte nxitur dy djemtë e tij për vrasjen e Gjokajt. /Telegrafi/






































