LAJMI I FUNDIT:

ChatGPT po krijon artikuj të rremë të Guardian-it

ChatGPT po krijon artikuj të rremë të Guardian-it
Foto: Nicolas Economou/NurPhoto/REX/Shutterstock

Nga: Chris Moran /  The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com

Muajin e kaluar, një nga gazetarët tanë merr një email interesant. Një studiues kishte hasur në përmendjen e një artikulli të [ditores] Guardian, të shkruar disa vjet më parë – për një temë specifike – nga ai gazetar. Por, artikulli rezultonte i pakapshëm në faqen tonë të internetit dhe në kërkuesin tonë. A kishte ndryshuar ndoshta titulli, pasi u publikua? A ishte hequr qëllimisht nga faqja e internetit, për shkak të ndonjë problemi që kemi identifikuar? Apo ishim detyruar ta hiqnim nga subjekti i temës, përkitazi me çështjet ligjore?


Gazetarit nuk i kujtohej se e ka shkruar atë artikullin specifik, por titulli me siguri dukej si diçka që ndonjë gazetar do ta kishte shkruar. Ishte temë me të cilën ata ishin të njohur dhe kishin histori të mbulimit të saj. Të shqetësuar se mund të ketë pasur ndonjë gabim në fund të procedurës, u kërkuan kolegëve t’ju ktheheshin përsëri sistemeve tona, për ta gjetur atë. Pavarësisht të dhënave të detajuara që mbajmë për gjithë përmbajtjen tonë, dhe veçanërisht rreth fshirjeve apo çështjeve ligjore, nuk mund ta gjenin asnjë gjurmë të ekzistencës së saj.

Pse? Sepse kurrë nuk ishte shkruar.

Për fat të mirë, raportuesi tha se e kishte kryer kërkimin duke e përdorur ChatGPT-in. Në përgjigje të pyetjes për artikujt për këtë temë, AI [inteligjenca artificiale] thjesht i kishte krijuar disa. Rrjedhshmëria e saj dhe të dhënat e shumta të trajtimit mbi të cilat është ndërtuar, nënkuptonte që ekzistenca e pjesës së shpikur të dukej madje e besueshme për personin që absolutisht nuk e kishte shkruar atë.

Shumë gjëra janë shkruar për tendencën gjeneruese të AI-së për të prodhuar fakte dhe ngjarje. Por, ky rast specifik – shpikja e burimeve – është veçanërisht shqetësues për organizatat dhe për gazetarët e besuar të lajmeve, përfshirja e të cilëve ia shton legjitimitetin dhe peshën një fantazie të shkruar në mënyrë bindëse. Dhe, për lexuesit dhe ekosistemin më të gjerë të informacionit, hap pyetje krejtësisht të reja nëse citimet mund të besohen – në çfarëdo mënyre – dhe nëse mund të ushqejë mirë teoritë konspirative rreth heqjes misterioze të artikujve mbi çështjet e ndjeshme që në radhë të parë nuk kanë ekzistuar kurrë.

Nëse duket si rast problematik, është e rëndësishme të theksohet se ChatGPT, nga një fillim i brishtë në nëntor, regjistroi 100 milionë përdorues mujor në janar. TikTok-ut – pa diskutim ky një fenomen digjital – iu deshën nëntë muaj për ta arritur të njëjtin nivel. Që nga ajo kohë, e kemi parë Microsoft-in të zbatojë të njëjtën teknologji në Bing, duke i bërë presion Google-it që ta ndjekë shembullin e vet me Bard-in.

Ata tani po i implementojnë këto sisteme në Google Workplace dhe në Microsoft 365. Një studim i fundit me një mijë nxënës në ShBA, zbuloi se 89 për qind e tyre e kanë përdorur ChatGPT-in si ndihmë për detyrat e shtëpisë. Teknologjia, me të gjitha gabimet e saj, është normalizuar me shpejtësi të jashtëzakonshme dhe tani është në qendër të sistemeve që veprojnë si pika kyçe të zbulimit dhe të krijimtarisë për një pjesë të konsiderueshme të botës.

Dy ditë më parë, ekipi ynë i arkivave u kontaktua nga një student që pyeti për një artikull tjetër – që mungonte – i një gazetari me emër. Në sistemet tona sërish nuk kishte asnjë gjurmë të artikullit. Burimi? ChatGPT.

Është e lehtë të përhumbesh në detajet e AI-së gjeneruese, sepse në thelb është e padepërtueshme. Idetë dhe implikimet, tashmë të eksploruara nga akademikët nëpër disiplina të shumta, janë jashtëzakonisht komplekse; teknologjia po zhvillohet me shpejtësi dhe kompanitë me aksione të mëdha në treg po e integrojnë atë sa më shpejt që munden – për të fituar avantazh konkurrues, për ta dëmtuar njëra-tjetrën dhe mbi të gjitha për t’i kënaqur aksionarët.

Por, pyetja për organizatat e përgjegjshme të lajmeve është e thjeshtë dhe urgjente: çfarë mund të bëjë kjo teknologji sot dhe si mund të përfitojë nga raportimi i përgjegjshëm në një kohë kur ekosistemi më i gjerë i informacionit tashmë është nën presionin e keqinformimit, të polarizimit dhe të aktorëve të këqij.

Kjo është pyetja me të cilën po përballemi aktualisht në Guardian. Dhe, kjo është arsyeja se pse ne nuk e kemi shpallur ende një format ose produkt të ri të ndërtuar mbi AI-në gjeneruese. Në vend të kësaj, e kemi krijuar një grup pune dhe një ekip të vogël inxhinierik për t’u fokusuar në mësimin rreth teknologjisë, duke i marrë parasysh politikat publike dhe çështjet e IP-së rreth saj, duke i dëgjuar akademikët dhe praktikuesit, duke folur me organizata e tjera, duke konsultuar dhe trajnuar stafin tonë dhe duke eksploruar në mënyrë të sigurt dhe të përgjegjshme se si funksionon teknologjia kur zbatohet për përdorim gazetaresk.

Duke vepruar kështu, kemi gjetur se tok me pyetjen se si mund ta përdorim AI-në gjeneruese, ne po reflektojmë gjithnjë e më shumë se për çfarë shërben gazetaria dhe çfarë e bën atë të vlefshme. Jemi të ngazëllyer nga potenciali, por detyra jonë e parë duhet të jetë ta kuptojmë atë, ta vlerësojmë dhe ta deshifrojmë ndikimin e tij të mundshëm në botën e gjerë.

Në javët e ardhshme do ta publikojmë një shpjegim të qartë dhe konciz se si planifikojmë ta përdorim AI-në gjeneruese. Me fjalë të thjeshta, do të vazhdojmë të mbajmë veten në standardet më të larta gazetareske dhe të mbetemi përgjegjës para lexuesve tanë dhe para botës për gazetarinë që botojmë. Teksa kaq shumë kanë ndryshuar gjëra në gjashtë muajt e fundit, në këtë aspekt krucial asgjë nuk ka ndryshuar. /Telegrafi/

AI mund të shkaktojë dëme të tmerrshme – duhet të kontrollohet
Lexo po ashtu AI mund të shkaktojë dëme të tmerrshme – duhet të kontrollohet