LAJMI I FUNDIT:

Profil për aktorën Shirine Morina

Profil për aktorën Shirine Morina

Aty ku duhesh të jesh vetvetja, ku emocioni, origjinaliteti nuk duhet të fshihen, por janë vlerë dhe i dallojnë të jashtëzakonshmit nga të tjerët.

Kjo përçohet më së miri nga artisti tek audienca përmes teatrit. Kur flet me një aktor, nuk ka mundësi mos të të lejë mbresa lidhja dhe dashuria që e kanë për dërrasat, ndriçuesit edhe kostumet, që shumë shpejt bëhen pjesë e pandashme e jetës së tyre.


E tillë është edhe aktorja e njohur kosovare Shirine Morina. Edhe pse tashmë në moshë të shtyre, shpirti i saj artistik vazhdon të jetë evident.

“Edhe si e vogël e kam dashtë teatrin kam filluar në moshën 14 vjeçare, atëherë e kemi bo një shfaqje me Agim Zatriqin, me Fatmir Bajramin, Lecin, Cimen patëm luajt në sallën e pionerve . Ka qenë veç për fëmije, aty e përgatitem shfaqjen shumë shpejt për një muaj na veç startuam në skenë, pastaj e vazhduam ne disa vende kështu. Si teatër amator ka qenë, edhe mua gjithë më ka tërheq kjo skena. U hap mandej këtu për teatër. Njëherë ka qenë studio më pas është bërë si akademi. Edhe unë konkurrova 160 kemi qenë atëherë unë u pranova, dhjetë persona u pranuan, e më pas vazhdova me studiu”, u shpreh ajo.

Familja e saj nuk ishte e pajtimit për studim në degën e aktrimit. Mirëpo, ajo e ndjeku ëndrrën e saj deri në fund, duke e demonstruar që në fillim një ndër vetitë më të nevojshme për një aktore – guximin për të qenë ndryshe.

“Edhe pse familja ka qenë kundër, atëherë kanë qenë botëkuptime të ndryshme, jo aktore me u bo, jo ,jo e unë thashë more po edhe vazhdova me studiu”. 

E të jesh në qendër të vëmendjes, e përherë në sytë e publikut nuk është aspak e lehtë. Presioni rritet, e me të shtohen edhe fjalët, paragjykimet, komentet here pozitive por shumë shpesh negative. Këto ishin të pranishme te Shirine Morina dhe karriera e saj në një shoqëri relativisht të mbyllur dhe patriarkale. Madje ajo nuk ndjehet aspak keq në qoftëse dikush nuk e parapëlqen. I duket më se normale.

E vepra ku e gjeti më së miri i takon zhanrit më sfidues për cilindo aktor, monodramës – ku aktori gjatë tërë kohëzgjatjes së shfaqjes gjendet i vetëm në skenë. Monodrama që ia mundësoi ta pasqyrojë më së miri vetveten e saj ishte “Mbretëresha Teutë”, e shkruar nga Rexhep Qosja.

“Baba im ishte i sëmurë, i thashë babi im jam duke punuar për këtë monodrama, hë a të pranoj, bëja disa prova lexuese te shtëpia, tha po shumë çika jeme ime unë edhe nëse vdes ti gjithqysh me lujt këtë monodramë qenka shumë e mire”. 

E nëse teatri është komunikim i lirë dhe shumë i vlefshëm për pasurimin e një shoqërie, pse atëherë artistat japin shumë e marrin  pak, pse ndodh kjo? Ku është shkaku?

“Ashtu është teatri. Japim shumë prej vetes, dëgjo gjithkush ik prej punës aktori nuk ik, aktori bile bile kërkon rolin mat madh, rolin kryesor. Se rolin kryesor ti mundesh me nxjerr rolin ki kohe me të japësh të gjithë prej vetes e ashtu pak kemi qenë të paguar gjithmonë”.

Jashtë teatrit Shirinën shumëkush e mban mend në emsionin “Pa pengesa”. Ose në serialin Banda e Luta Fukaras të realizuar në vitet e 70. E në teatër ajo njihet nga Hotel Kashta, Makbethi, Gjenerali i ushtrisë së Vdekur etj. Ajo luajti edhe në filmin Era dhe Lisi të Besim Sahatciut. Por ekranit televiziv nuk i mungoi as në serialet vendore si: Cimerat, Kombinati e Pleqt, si dhe së fundmi në Ça ka Shpija.