LAJMI I FUNDIT:

Lufta kundër “armikut të padukshëm”, gjithçka që ndodhi në Kosovë gjatë vitit të pandemisë COVID-19

Lufta kundër “armikut të padukshëm”, gjithçka që ndodhi në Kosovë gjatë vitit të pandemisë COVID-19

Një vit pas konfirmimit të rasteve të para me COVID-19 në Kosovë, vendi ynë po vazhdon të përballet me shifra të mëdha të të infektuarve, rritje të numrit të personave që po humbin jetën nga ky virus, pa vaksina, me masa parandaluese, me humbje të mëdha ekonomike, kurse në aspektin politik jemi në proces të formimit të institucioneve të reja.

Qytetarët e vendit tonë u përballën me shumë sfida që nga data 13 mars 2020, kur u konfirmuan dy rastet e para me coronavirus. Ndërkaq, Qeveria e Kosovës më 15 mars shpalli edhe gjendje emergjente të shëndetit publik.

Pasoi ajo që në botë u bë e njohur si “LOCKDOWN”, pra mbyllje totale, kufizimi i orarit të lëvizjes, mbyllja e shkollave dhe vazhdimi i mësimit online, ndalimi i tubimeve publike, mbyllja e parqeve, pra gjithçka përveç shërbimeve esenciale.


Klinika Infektive / Foto: Ridvan Slivova

Mjekë, infermierë, policë, ushtarak e gazetarë ishin në vijën e parë të frontit, gjatë këtij viti të luftës me “armikun e padukshëm”, pandeminë COVID-19 që përfshiu gjithë globin.

Edhe një vit më pas, kjo luftë po vazhdon ku më 12 mars 2021 në Republikën e Kosovës janë konfirmuar 730 raste të reja me coronavirus brenda 24 orëve e numri i rasteve aktive është 10 mijë e 530 raste.

Policia e Kosovës gjatë pandemisë / Foto: Ridvan Slivova

Si pasojë e infektimit me COVID-19, deri më tani kanë vdekur 1 mijë e 688 qytetarë të Kosovës, të moshave të ndryshme.

Megjithëse situata nuk duket se po shkon drejt përmirësimit, e ardhja e vaksinave po shtyhet nga muaji në muaj, ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj deklaroi një ditë më parë se Kosova është shembull i menaxhimit të pandemisë.

“Kemi qenë dhe mbetemi shembull i menaxhimit të pandemisë”, tha Zemaj në mbledhjen e Komitetit për koordinimin dhe vlerësimin e situatës epidemiologjike lidhur me COVID-19.

Ndërkaq, drejtori i Instituti Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK), Naser Ramadani theksoi se vetëm gjatë dy javëve të fundit janë raportuar 7 mijë raste pozitive dhe 94 raste fatale.

“Deri më 12 mars 2021 me coronavirus janë konfirmuar 75 mijë e 180 raste. Deri më 11 mars, 63 mijë 380 raste janë shëruar, raste aktive janë 10 mijë 318. Në dy javët e fundit janë raportuar 7 mijë raste pozitive, 94 raste fatale”, tha Ramadani.

Kurse, kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti theksoi se për disa javë pritet fillimi i vaksinimit masiv të popullsisë, deklaratë kjo që është përsëritur disa herë gjatë muajve të fundit.

“Jemi në fazën finale të kësaj pandemie, për disa javë presim arritjen e vaksinave dhe do të fillojmë vaksinimin masiv”, tha Hoti.

13 nëntor – 13 dhjetor 2020, më së shumti raste të reja me COVID-19 dhe 400 të vdekur

Gjatë 365 ditëve përballje me coronavirusin, në Republikën e Kosovës janë testuar rreth 20 për qind e popullsisë.

Derisa qytetarët e vendit tonë janë duke pritur ardhjen e vaksinës anti-COVID, vendet e rajonit kanë filluar tash e disa muaj vaksinimin e popullsisë.

Gjatë këtij viti ku si i gjithë globi, edhe Kosova u përballë me pandeminë, në krahasim me katër vendet e rajonit, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe Serbinë, në të shumtën e rasteve vendi ynë ka qenë i fundit, apo i parafundit sa i përket rasteve të reja me COVID-19.

E megjithatë, gjatë muajve qershor, korrik e gusht, dhe në pjesën e parë të shtatorit Kosova ishte e dyta nga vendet e rajonit sa i përket numrit më të lartë të rasteve me COVID-19.


Numri më i lartë i viktimave brenda 24 orëve është shënuar më 3 dhjetor ku brenda ditës kishin vdekur 22 persona, ndërsa numri më i lartë i të infektuarve për 24 orë është shënuar më 13 nëntor, ku ishin shënuar 963 raste.

Kurse, më së shumti qytetarë të infektuar në Kosovë pati nga 13 nëntori deri më 13 dhjetor 2020, ku u shënuan 18 mijë e 729 raste të reja.

E gjatë të njëjtës periudhë, 400 pacientë të infektuar humbën betejën me coronavirusin, që ishte edhe numri më i lartë i vdekjeve në këta 12 muaj.

Po ashtu, edhe numri i të shëruarve gjatë kësaj kohe ishte më i larti por që nuk e kalon atë të rasteve të reja, ku 16 mijë e 738 persona u shëruan nga kjo sëmundje.

Testimi i qytetarëve në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës / Foto: Ridvan Slivova

Ndërkaq, marsi i vitit që lamë pas ishte fillimi i pandemisë në Kosovë, dhe shifrat e të infektuarve janë më të ulëtat.

Nga 13 marsi e deri më 13 prill 2020, në Kosovë u konfirmuan 362 raste, teksa u shëruan 59 persona.

Kurse, në periudhën 13 maj deri më 13 qershor 2020, kishte rënë dukshëm numri i personave të infektuar që humbën jetën, pasi ishin vetëm dy raste të vdekjeve gjatë kësaj kohe.

Në javën e fundit të janarit 2021 po ashtu janë konfirmuar disa raste me versionin e ri të coronavirusit, por që më vonë nuk u bë e ditur asnjë rast i ri, apo gjendja e të infektuarve.


Komuna e Prishtinës është komuna më e prekur nga coronavirusi, ku gjatë këtij viti rreth 30 mijë qytetarë të kryeqytetit janë infektuar me COVID-19, të shëruar janë mbi 25 mijë qytetarë, ndërkaq të vdekur mbi 250.

Sa i përket numrit të personave që kanë humbur jetën, pas Prishtinës, në Prizren janë shënuar shifra më të larta të vdekjes, mbi 190 persona.

Ndërkaq, në Komunën e Vitisë ku u paraqitën rastet e para me COVID-19, gjatë këtij viti ka shënuar mbi  1 mijë e 200 raste me coronavirus, ku të shëruar janë rreth 1 mijë e 100 persona, e raste të vdekjes mbi 45.

Komunat me më së shumti raste deri më tani janë: Prishtina, Gjilani, Prizreni, Fushë Kosova, Peja, Mitrovica e Jugut, Podujeva, Ferizaji, Gjakova e Lipjani.


Rrëzimi i dy qeverive, marrëveshja e Uashingtonit dhe arrestimet nga Specialja

Përveç përballjes me pandeminë, gjatë këtyre muajve ka pasur zhvillime të jashtëzakonshme edhe politike, si formimi dhe rënia e dy qeverive, ftesat e Gjykatës Speciale për ish-liderët e UÇK-së dhe zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare.

Shumë shpejt pas formimit të Qeverisë Kurti, janë paraqitur edhe rastet e para me coronavirus në Kosovë.

Menjëherë pas rasteve të para, Qeveria më 15 mars kishte shpallë edhe gjendje emergjente të shëndetit publik.

Sheshi “Skëndërbeu”, i zbrazët gjatë marsit / Foto: Ridvan Slivova

Qeveria e Kosovës përgjatë vitit kishte marrë masa të ndryshme për të parandaluar përhapjen e COVID-19, ndër to edhe kufizimi i orarit të lëvizjes, mësimi online, ndalimi i tubimeve publike, mbyllja e parqeve etj.

Top ngjarjet e vitit 2020 – ballafaqimi me pandeminë, rrëzimi i dy qeverive dhe aktakuzat e para nga Specialja
Lexo po ashtu Top ngjarjet e vitit 2020 – ballafaqimi me pandeminë, rrëzimi i dy qeverive dhe aktakuzat e para nga Specialja

Në kohën kur vendi përballej me pandeminë, edhe zhvillimet politike ishin në kulm.

Lidhja Demokratike e Kosovës, partneri në koalicion i Lëvizjes Vetëvendosje, kishte ngritur mocion mosbesimit për të rrëzuar Qeverinë Kurti.

Pas një debati të gjatë dhe me tensione, Kuvendi i Kosovës më 25 mars ka miratuar mocionin e ngritur nga Lidhja Demokratike e Kosovës për rrëzimin e ‘Qeverisë Kurti’.

Pas rrëzimit të Qeverisë Kurti, më 29 prill Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kishin arritur marrëveshje për bashkëqeverisje.

Këtë e kishte konfirmoi kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj pas takimit që kishte pasur me kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa dhe kandidatin për kryeministër, Avdullah Hoti.

Më shumë se një muaj pas arritjes së marrëveshjes për bashkëqeverisje ndërmjet LDK dhe AAK-së, më 3 qershor Kuvendi i Kosovës me 61 vota pro, 24 kundër dhe 1 abstenim kishte votuar për Qeverinë Hoti.

Përballja me pandeminë ka ndikuar edhe në rënien ekonomike në Kosovë. Sipas parashikimeve të Bankës Qendrore të Kosovës rënia do të jetë deri në 7.2 për qind.

Qeveria Hoti

Më 13 gusht 2020, Qeveria e Kosovës ka miratuar Programin e Rimëkëmbjes Ekonomike në vlerë prej 365 milionë eurove përmes së cilës synohej të ndihmohej ekonomia nga dëmi që po e shkakton pandemia COVID-19.

Më 4 dhjetor 2020, Kuvendi i Kosovës miratoi edhe Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike me 13 amendamente të propozuara, ndërsa kjo përfshinë edhe tërheqjen e 10 përqindëshit nga Trusti.

Kjo pako ishte kritikuar për vonesën në miratimin e saj dhe ishte vlerësuar si e vonuar nga ekspertët e ekonomisë.

Kosova dhe Serbia më 4 shtator kanë nënshkruar marrëveshje në Uashington, marrëveshje kjo që cilësohej si historike dhe e nënshkruar nga kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në prani të presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

Nënshkrimi i marrëveshjes në Uashington

Përveç arritjes së marrëveshjes Kosovë-Serbi në fillim të shtatorit në Uashington, në këtë muaj ndodhi edhe arrestimi i parë nga Gjykata Speciale.

Më 24 shtator Zyra e Prokurorit të Specializuar ka konfirmuar arrestimin e Salih Mustafës në bazë të një fletarrestimi, urdhri për transferim dhe aktakuzës së konfirmuar, të lëshuara nga një gjykatës i procedurës paraprake i Dhomave të Specializuara të Kosovës.

Gjykata Speciale, pas Salih Mustafës arrestoi më 25 shtator edhe krerët e OVL e UÇK-së, Hysni Gucatin dhe Nasim Haradinajn.

Pas arrestimeve në fund të shtatorit, Gjykata Speciale në nëntor vazhdoi me arrestimin edhe të figurave kryesore të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.

Më 4 nëntor Jakup Krasniqi është transferuar për në paraburgim në Hagë, ndërsa shtëpitë e tij në Prishtinë dhe Negroc ishin bastisur me orë të tëra.

Më 5 nëntor presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në një konferencë për media ka bërë të ditur se Gjykata Speciale ka konfirmuar aktakuzën ndaj tij.

Në këtë konferencë, Thaçi kishte kumtuar edhe dorëheqjen nga pozita e presidentit të Kosovës. “Nuk do të lejoj në asnjë rrethanë që para gjyqit të dalë presidenti i Republikës së Kosovës”, ishte shprehur ai.

Pas dorëheqjes së Thaçit, detyrën e presidentit të vendit e mori kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani.

Më pas, Gjykata Speciale kishte konfirmuar edhe aktakuzën ndaj kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli dhe deputetit të LVV-së, Rexhep Selimit.

Në tetor të 2020-së Kosova është përballur me një ndër skandalet më të mëdha, atë të vjedhjes së mbi dy milionë eurove nga Thesari i Shtetit.

Pas rrëzimit të Qeverisë Kurti, edhe Qeveria Hoti nuk e pati gjatë.

Kushtetuesja hedh poshtë votën e deputetit Arifi, vendi shkon në zgjedhje
Lexo po ashtu Kushtetuesja hedh poshtë votën e deputetit Arifi, vendi shkon në zgjedhje

Gjykata Kushtetuese më 21 dhjetor nxori aktgjykim pro kërkesës së Lëvizjes Vetëvendosje për shpalljen të pavlefshëm votimin në Kuvendin e Kosovës për zgjedhjen e Qeverisë Hoti më 3 qershor, pasi për këtë qeveri kishte votuar edhe deputeti Etem Arifi, i cili kishte një aktgjykim përfundimtar nga Gjykata e Apelit.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare 2021 / Foto: Ridvan Slivova

U.D e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani shpalli zgjedhjet e parakohshme parlamentare 2021, të cilat u mbajtën më 14 shkurt dhe fitues doli Lëvizja Vetëvendosje, në listën e së cilës u radhitën edhe kandidatët për deputet nga lista e Vjosa Osmanit, që gjithsej do të kenë 58 mandate në Kuvendin e Kosovës.

Ndryshe, pritet që institucionet e reja të vendit të formohen gjatë javëve në vazhdim.

Ndërkaq, pak shpresë ka dhënë Guvernatori i Bankës Qendrore Kosovës(BQK), Fehmi Mehmeti, i cili pas takimit me përfaqësuesit e bankave dhe bizneseve, theksoi se nëse vendi shkon në një mbyllje totale për shkak të rritjes së rasteve me COVID-19, ka kapacitete për ta mbështetur ekonominë e vendit.

Arti dhe kultura gjatë pandemisë COVID-19, shuhen ikonat e veniten mbrëmjet muzikore me publik

Pandemia globale COVID-19 la pasoja të mëdha në artin dhe mbarë kulturën shqiptare

Fatkeqësisht ishte po ky vit (2020), që mori në amshim shumë prej emrave të njohur të muzikës, gazetarisë e teatrit.

Më 7 shkurt ndahet nga jeta këngëtarja e mirënjohur shqiptare, Nexhmije Pagarusha, e cilësuar shumë herë si “bilbili i këngës shqipe”, dhe vetëm një muaj më vonë, për në botën tjetër u nis edhe aktorja Leze Qena. Gazetarja dhe këngëtarja e mirënjohur Violeta Rexhepagiqi do të ndahej nga jeta më 19 prill të atij viti po ashtu, e vetëm pak kohë më pas, më 7 maj, arti shqiptar do të ishte në zi për zërin e veçantë të Shahindere Bërlajollit.

Pas disa muajve qetësi e rikthimi në jetën normale, Kosova humb edhe dy emra të shquar të artit, aktorin e madh Adem Mikullovci dhe këngëtarin nga Gjakova, Ismet Peja.

Arti shqiptar në zi gjatë vitit pandemik, me humbjen e shumë prej ikonave të kulturës (Foto: Arkiv)

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në një intervistë për Telegrafin, e cilësoi vitin pandemik si një vit i brishtë me humbje të mëdha të këtyre ikonave.

“Sigurisht që çdo humbje të sjell trishtim, e sidomos njerëzit që kanë kultivuar këtu në aspekte të ndryshme kulturore. Sigurisht që si Minsitre e MKRS-së, por edhe si qytetare e këtij vendit, ka qenë një trishtim, një shqetësim, sidomos në kohë pandemie, sepse njerëzit i kushtohen dhe i përkushtohen një jete të tërë duke dhënë më të mirën për vendin e vet, edhe pjesa e vdekjes është pjesa e fundit dhe njerëzit duhet ta tregojnë respektin. Për mua ka qenë një shqetësim dhe jam angazhuar me mundësitë të cilat i kemi pasur në atë kohë, në kohë pandemie, sado pak të tregojmë respektin për punën e tyre”, ka thënë Dumoshi.

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi (Foto: Telegrafi)

Me futjen në karantinë gjatë muajit mars, në Kosovë fillojnë e anulohen koncertet, dasmat e ahengjet muzikore, të cilat për shumë prej emrave të njohur të muzikës, janë burim i mbijetesës.

Në muajin qershor Kosova tashmë kishte dalë nga karantina dhe i ishte rikthyer jetës normale, por me masa sigurie të përcaktuara nga Qeveria e Kosovës, e cila nuk lejonte tubimet dhe mbledhjet e shumta në njerëz, që rrjedhimisht ndalonte me ligj organizimin e dasmave apo ahengjeve familjare. Të pakënaqur nga kjo situatë, emra të njohur të estradës por edhe përfaqësues të gastronomëve protestuan para dyerve të qeverisë, duke kërkuar lejimin e organizimit të manifesteve që përfshinin numra të mëdha njerëzish.

Në krye me Labinot Tahiri, emrat e njohur si: Edona Llalloshi, Edi Furra, Afrim Muçiqi, Norik Uka e Burak Vehapi ishin të pranishëm në protestë, ndërsa Labi do të përfundonte në kryetitujt e shumë mediave me deklaratën bombastike “S’ka virus”, nga ku më pas kishte marrë edhe brohoritje nga mbështetësit, të cilët thërrisnin “Bravo Lab”. Këto fraza u shndërruan në pikën e dobët të shumë prej faqeve satirike në rrjetet sociale.

Pamje nga protesta e organizuar nga artistët dhe gastronomët para Qeverisë së Kosovës, qershor 2020 (Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi)

Pavarësisht prezencës jo-fizike pranë publikut, shumë prej emrave të njohur të muzikës, e shfrytëzuan rastin që edhe gjatë mbylljes totale në pranverë, t’i gëzojnë fansat e tyre me interpretime live në lidhje direkt nga shtëpitë e tyre, përmes rrjeteve sociale. Lyrical Son, Shpat Deda e Florent Abrashi, janë vetëm disa prej emrave që dhuruan për publikun performanca të tilla.

Shpat Deda, Lyrical Son, Florent Abrashi e shumë artistë të tjerë argëtuan publikun me interpretime live në rrjetet sociale (Foto: Instagram)

Po ashtu gjatë muajve të karantinë, si për t’u çmallur me hitet e vjetra ndër vite, disa prej artistëve më në zë të muzikës shqiptare realizuan gala-koncerte nga qytete të ndryshme, të cilat transmetoheshin direkt në televizionet vendore.

Kjo ide nisi me këngëtarin e mash, Sabri Fejzullahu, i cili i këndoi Prishtinës e mbarë Kosovës në një koncert live të organizuar pa publik, në arenën më të madhe në vend, stadiumin “Fadil Vokrri”.

Koncerte të ngjashme u organizuan më pas nga grupi TNT në Mitrovicë, Ramadan Krasniqi – Dani në Pejë, e Shkelzen Jetishi – Xeni në Gjakovë.

TNT, Sabri Fejzullahu, Ramadan Krasniqi e shumë të tjerë organizuan gala koncerte nga qytete të ndryshme, për të argëtuar popullin gjatë muajve të pandemisë (Foto: Arkiv)

Në aspektin e prurjeve muzikore, viti 2020 mund të thueht se ishte relativisht më i dobët, kjo edhe për vet faktin se të hyrat për shumë prej artistëve ishin më të cunguara, dhe puna për projektet madhore e të kushtueshme muzikore, nuk arsyetonte mungesën e mbajtjes së koncerteve.

Sporti gjatë pandemisë COVID-19

Prej sektorëve më të goditura nga pandemia COVID-19 ka qenë padyshim sporti.

Gjatë bllokimit, sport u ndal për tre muaj, ndërsa që atëherë e deri më tani ende tifozët e sporteve janë larg terreneve sportive.

Madje një nga sportet më të popullarizuara basketbolli, mbylli sezonin para kohe, duke mos shpallur kampionin. Kjo me kërkesë të klubeve, pasi që pagimi i lojtarëve pa zhvilluar aktivitet ishte barrë e rëndë për ta.

Për dallim nga basketbolli, sporti më i madh në vend futbolli u rikthye, por me probleme edhe pse ia arriti ta mbyll sezonin.

Ndeshja Prishtina-Drita pa shikues / Foto: Telegrafi

Pas pothuajse tre muajsh me 5 qershor Superliga e Kosovës u kthye, si e vetmja garë nga FFK, pasi garat tjera, nuk kishin kushte për zhvillim.

FFK kishte krijuar një fond për ndihmë lojtarëve dhe personave që punojnë në klube, ku të gjithë pjesëmarrësit përfituan nga 350 euro deri në 100 euro.

Në anën tjetër ka pasur edhe grante nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), për evitimin e situatës së krijuar nga situata e emergjencës së shëndetit publik në aktivitetet sportive dhe kulturore, në vlerë prej pesë milionë (5.000.000.00 €) euro.

Që nga ajo kohë e deri më tani, kushtet për tu kthyer shikuesit në stadiume nuk u plotësuan, duke bërë që shuma të rëndësishme të hyrash tu mungojnë klubeve.

Edhe Përfaqësuesja e Kosovës, gjatë këtij viti zhvilloi disa ndeshje pa “Dardanët”, duke mos arritur të kualifikohej.

Ndeshjet me Maqedoninë e Veriut për play-off të Ligës së Kombeve e zhvilluar në Shkup ku ekipin ynë humbi 2-1, nuk u lejuan tifozët, gjë që ndikoi në disponimin e lojtarëve.

Ndeshja Kosovë-Moldavi pa shikues, Foto: Ridvan Slivova

Ndeshjet me Greqinë, Sloveninë dhe Moldanivë të zhvilluara në “Fadil Vokrri”, po ashtu zhvilluan pa shikues.

Raportimi i gazetarëve gjatë kësaj kohe ka qenë i vështirë, sidomos kur aktivitet u ndalën në të gjithë botën.

Redaksia e Sportit organizoi disa intervista me lojtarët më të njohur si Arbër Zeneli, Edon Zhegrova, Herolind Shala, Albert Bunjaku e Kastriot Imer e disa të tjerë, ku folën për kohën e tyre në karantinë.

Humbjet në sport llogaritet të jenë me mijëra euro, pasi klubet kanë humbur sponsorët kryesorë, por garat këtë vit po zhvillohen normalisht, duke bërë që sporti të mbijetojë.

Kthimi i shikuesve do të ishte ndihmëse e madhe për klubet si në anën financiare, po ashtu edhe në anën emocionale.

Për këtë artikull kanë punuar: Xhejlane Kaçiu, Albert Spahiu, Lavdim Pireva dhe Butrint Avdyli.

Gjatë gjithë këtij viti të vështirë, nga vija e frontit për të gjitha fotografitë (përfshirë edhe ato në këtë artikull) nga vendet e ngjarjes, konferencat e shpeshta për medie, nga sheshet e zbrazëta e nga QKUK-ja ku po luftohej për jetën, është përkujdesur fotoreporteri i Telegrafit, Ridvan Slivova. /Telegrafi/


Në trend Lajme

Më shumë
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost

“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin

Lajme
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht

Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht

Politikë
Plagosja e dyfishtë në Prishtinë, plumbi qëlloi derën e shtëpisë së ish-koordinatorit në dialog

Plagosja e dyfishtë në Prishtinë, plumbi qëlloi derën e shtëpisë së ish-koordinatorit në dialog

Lajme
Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve

Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve

Drejtësi
Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje

Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje

Kronika e Zezë
“Ka vdekë një grua nga mbidoza, gjithë natën dëgjohen zhurma”, shtëpitë e pabanuara në kryeqytet strehë e narkomanëve

“Ka vdekë një grua nga mbidoza, gjithë natën dëgjohen zhurma”, shtëpitë e pabanuara në kryeqytet strehë e narkomanëve

Sociale
Kalo në kategori