LAJMI I FUNDIT:

Viti 1969: Kundërkultura, Hëna dhe shqiptarët në dy botë

Viti 1969: Kundërkultura, Hëna dhe shqiptarët në dy botë

Cilat janë ngjarjet që kanë shënuar shqiptarët dhe botën në vitin 1969?

Reklama

Viti 1969 ishte një nga vitet më të suksesshme në aspektin shkencor; nga më të mëdhatë për njerëzimin: anija kozmike amerikane Apollo 11, më 20 korrik zbret në sipërfaqen e Hënës. Afro 500 milionë njerëz në botë e panë transmetimin e këtij momenti në aparatet televizive dhe e dëgjuan astronautin Neil Armstrong tek përmend një prej thënieve më të famshme sot: “Ky është një hap i vogël për mua, por i madh për njerëzimin” . Në shtetin “reaksionar”, Bashkimin Sovjetik, lajmi u dha në mediat kryesore. Por, u cek se njeriu i parë në hapësirë megjithatë është rusi Yuri Gagarin. E, në Shqipëri, më 1969 lajm kryesor ishte botimi i fjalimeve të Enverit, të mbajtura më 1967 e 1968 – vite këto kur ai kërkonte të hiqej edhe synetllëku. Në Kosovë, lajmi për zbarkimin në Hënë u plasua mirë. Disa e besuan, e disa jo. Meqë nuk ishte i kënaqshëm numri i atyre që dinin shkrim e lexim, e meqë radio apo televizion pakkush kishte nëpër fshatra, lajmi u përhap edhe fjalë më fjalë. Disa që e përhapën atë tek “më të mençurit”, u shpallën budallenj. Ndërkaq, një plak “intelektual” katundi, kishte dyshime. Kur i thanë se njerëzit shkelën në Hënë, u ndal dhe e dha me bindje këtë përgjigje: “Rren o, kanë ra diku në Qyqavicë!” Kaq e madhe për të ishte bota. Sepse, kaq të kufizuar ishin shumica e shqiptarëve të Kosovës që izolimin e shihnin edhe si mjet mbrojtjeje.

Pamje nga misioni Apollo 11 rreth të cilit janë krijuar shumë e shumë teori konspirative

Sidoqoftë, pas demonstratave të vitit 1968, hapen rrugët për gjëra të reja e më të mira për të gjithë shqiptarët e Kosovës, si: themelimi i Universitetit të Prishtinës. Viti 1969 mbahet mend edhe si vit i kulturës, në radhë të parë i poezisë. Në “Zërin e rinisë” botohen poezitë e shumë poetëve shqiptarë, të njohur dhe të panjohur. Në këtë revistë shkruhej dhe flitej për muzikë, shkencë, kritikë filmi, fantastikë shkencore, e bile edhe për Athur Clarkun dhe filmin e Stanley Kubrickut, “2001: A Space Odyssey” (2001: Odiseja hapësinore), për analfabetizmin në Deçan, në Drenicë etj. Por, çuditërisht, krahas analfabetizmit kishte edhe shumë artikuj për edukatën seksuale. “Femrat nuk i shmangen seksit, por meshkujve të vrazhdë”, ishte titulli i një artikull i asaj kohe. Flitej edhe për shundin, jo atë muzikor, mirëpo në letërsinë e shkruar. Duket paradoksale, por sado të kufizuar në informata e në komunikim, aq më të hapur ishin shqiptarët e Kosovës 50 vjet më parë. Thjesht, kishin një qëllim për vlera e për përparim.

Ndërkohë, në Shqipëri nuk ndodhi asgjë me rëndësi. Raportet thonë se u shënuan disa përmirësime në sistemin arsimor dhe shëndetësor dhe se procesi i elektrifikimit i nisur më 1960 – projekt që u tha se do të përfundojë më 1985 – merr fund më 1969. Kështu, Shqipëria u bë shteti i parë në botë me elektrifikimin që e mbulon tërë vendin. Por, ai sistem mundte ta ndizte një poç elektrik, sepse shumica e popullatës kishte pak pajisje elektrike. Madje, s’e dinin as se çfarë janë ato. Kjo kuptohet më 1992 kur dështon sistemi energjetik i vendit.

Meqë një italian po bënte filma për Perëndimin e Egër, realizimet e regjisorit Sergio Leone talleshin duke u quajtur shpageti-uestern… por, talljet shpejtë u shndërruan në komplekse: Pamje nga filmi antologjik “Once Upon a Time…”, ku muzikën e ka bërë Ennio Morricone

Vitin 1969 në Perëndim do ta shënojnë filmat “Butch Cassidy and the Sundance Kid” (Buç Kesidi dhe Sandens Kid), “Easy Rider” (Kalorësi i prajt) dhe “Once Upon a Time in the West” (Na ishte njëherë në Perëndim). Tek ne aktuale do të jetë kinematografia jugosllave me tematikën “partizan-e-gjerman”. Mirëpo, vend të posaçëm do të zë ende filmi i parë i produksionit kosovar, “Uka i Bjeshkëve të Nemuna” , ku regjisor ishte një serb si dhe shumica e aktorëve. Madje, edhe rolin kryesor të Ukës e luante serbi, si dhe të djalit që ia “merr fytyrën babës” sepse bëhet me italianët fashistë “në krimet kundër popullit të tij”! Ndaj, sukses më i madh u cilësua dokumentari “Një lindje” që flet për Teatrin e atëhershëm Popullor të Prishtinës, pasi atë e bëri shqiptari Ekrem Kryeziu.

Në Shqipëri u xhiruan ndër të tjera filmat – me pak vlera artistike e më shumë propagandistike – si: “Horizonte të hapura” (me regjisor Viktor Gjikën e skenar të Dritëro Agollit) dhe “Njësiti gueril” (me regjisor Hysen Hakanin e skenar nga Muharrem Skënderi).

Pamje nga filmi tjetër antologjik, “Easy Rider”, që merret me temat aktuale të viteve 1960

Viti 1969 i takonte edhe muzikës rok dhe ideologjisë: “Sex and drugs and rock and roll” (Seks e drogë dhe rokënrol)! Këtë vit mbahet një nga koncertet më të famshme në histori: Vudstok (Woodstock). Në fakt, koncerti nuk u mbajt në Vudstok po nja 87 kilometra larg, në Bethel, pasi autoritetet e qytezës me shtatë mijë banorë kishin frikë nga turmat. Mbase me të drejtë, meqë mbi 500 mijë vetë e ndoqën koncertin më të përfolur në histori, ku ndër të tjera interpretuan: Joan Baez, Santana, Grateful Dead, Janis Joplin, The Who, Jefferson Airplane, Joe Cocker, The Band, Jimi Hendrix…

Më 1969, John Lennon dhe Yoko Ono martohen në Gjibraltar dhe menjëherë e nisin protestën unike paqësore – të shtrirë në shtrat. Nga kjo protestë që u quajt “Bed-In”, xhirohet dokumentari “Bed Peace” (Shtrati i paqes). Është kjo koha kur vazhdonte lufta në Vietnam, por edhe kur nis tërheqja e trupave amerikane nga aty. Rokerët dhe hipikët propagandonin përfundimin sa më të shpejtë të kësaj lufte dhe paqen kudo në botë. Por, kjo ideologji merr fund më 1969, kur anëtarët e grupit të ashtuquajtur Familja Manson, vrasin aktoren Sharon Tate – gruan shtatzënë të regjisorit Roman Polanski. Në shtëpinë e aktores ata vranë edhe katër të tjerë. Të njëjtin vit, grupi i motoçiklistëve i quajtur “Hells Angels” (Engjëjt e Ferrit) – të cilët ishin bërë pjesë e kundërkulturës dhe skenës rok duke luajtur rolin e rojave në ngjarjet kulturore të asaj kohe – në koncertin e grupit Rolling Stones vrasin të riun Meredith Hunter, veç pse i afrohet skenës. Kështu, miti i fëmijëve të luleve për botën ku do të mbizotëronte dashuria, pëson debakël.

Krejt rinia mendjen në… Woodstock

Më 1969, Golda Meir bëhet kryeministre e Izraelit, ndërsa Willy Brandt kryeministër i Gjermanisë. Ky i fundit do të jetë më meritori për paqen dhe mirëbesimin gjermano-izraelit. Në Suedi, kryeministër zgjidhet Olof Palme i cili vritet më 1986 në rrethana ende të pasqaruara. Më 1969 lindin shumë artistë të famshëm të ditëve të sotme. Ndërsa, vdesin: presidenti i 34-të amerikan, Dwight D. Eisenhower, aktorja Judy Garland, si dhe revolucionari i Vietnamit të atëhershëm Verior, Ho Chi Minh.

Po më 1969 ndodhë një ngjarje me rëndësi: në BBC transmetohet programi “Monty Python’s Flying Circus” (Cirku fluturues i Monti Pajtoni). Anëtarët e kësaj trupe – Graham Chapman, John Cleese, Terry Gilliam, Eric Idle, Terry Jones dhe Michael Palin – me stilin sa të zi aq surreal dhe absurd, si dhe lojën dhe tekstet unike, krijojnë situata qesharake nga gjërat tërësisht joqesharake. Me ta humori do të ndryshojë… përgjithmonë. /Telegrafi/

Monty Python!