LAJMI I FUNDIT:

Plaçkitësit e argjendarisë në Suharekë me të kaluar kriminale, ekspertët: Shteti dështoi, nuk i monitoroi pas burgut

Plaçkitësit e argjendarisë në Suharekë me të kaluar kriminale, ekspertët: Shteti dështoi, nuk i monitoroi pas burgut

Policia e Kosovës njoftoi se e ka “neutralizuar” një të dyshuar dhe se një pjesëtar i saj është plagosur të enjten, pasi u sulmua me armë zjarri gjatë një operacioni të gjerë hetimor në tri lokacione të ndryshme lidhur me grabitjen e javës së kaluar në një argjendari në Suharekë.

Të dyshuarit për grabitjen në argjendari kanë të kaluar kriminale me “dyshimet e bazuara për përfshirje në vepra penale si: vrasje, grabitje, vjedhje e rëndë, sulm, kanosje, lëndim trupor, detyrim, armëmbajtje pa leje”, sipas Policisë.


Ekspertët e sigurisë dhe avokatët po e konsiderojnë dështim të shtetit, faktin që persona me precedent penal kryejnë sërish krime të rënda.

Hajrullah Tërnava tha në RTV Dukagjini se kriminelët kanë shfrytëzuar edhe situatën kur forcat policore janë përqendruar në veri të vendit.

“Kriminelët që kryejnë vepra të përsëritura, recidivistët, shfrytëzojnë çdo hapësirë për të arritur te qëllimi. Edhe në rastin e Suharekës, ata e kanë parasysh se një pjesë e madhe e forcave policore tashmë janë përqendruar në veri të vendit për të ruajtur atje sigurinë”.

Plaçkitje dhe vrasje në shifra shqetësuese, ekspertët thonë se po rrezikohet siguria publike
Lexo po ashtu Plaçkitje dhe vrasje në shifra shqetësuese, ekspertët thonë se po rrezikohet siguria publike

Avokati Ardian Bajraktari thotë se burgjet dhe institucionet tjera dështuan të risocializojnë personat që kishin kryer vepra penale.

”Është shumë shqetësua fakti që një pjesë e madhe e këtyre që po kryejnë këto vepra janë recidivist, pra që janë ballafaquar me ligjin edhe më parë. Kjo tregon se më së buti trajtimi i tyre në burgje ka dështuar, por edhe politikat ndëshkimore kanë dështuar. Ata kanë dështuar të risocializohen dhe të bëhen të dobishëm për shoqërinë”, ka deklaruar Bajraktari.

Edhe ish-zëvendësministri i Brendshëm Selam Shkodra thotë se pavarësisht se pjesëtarët e grupit që kryenin plaçkitje kishin kryer plagosje e tentimvrasje, ata mbeten në liri.

“Siguria publike në vend nuk është në nivelin e duhur. Po supozohet se të gjithë pjesëtarët e këtij grupi që kanë shtënë mbi policinë janë me një të kaluar kriminale. Sipas të dhënave të policisë të njëjtët kanë kryer plagosje, tentim vrasje e tjera dhe ata janë lënë në liri pa u monitoruar veprimtaria e tyre”.

Ai thotë se sot është rrezikuar edhe siguria publike pasi ka pasur të shtëna mes policisë dhe grupit në një lagje shumë të banuar të Prishtinës./Telegrafi/