LAJMI I FUNDIT:

Ambasadorja Yuri Kim mbylli misionin e saj në Shqipëri, flet Rama

Ambasadorja Yuri Kim mbylli misionin e saj në Shqipëri, flet Rama

Kryeministri Edi Rama ka thënë se ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA), Yuri Kim e mbylli misionin e saj në Shqipëri.

Rama përmes një statusi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se Kim qëndroi në Shqipëri sa të gjithë ambasadorët e tjerë, por siç u shpreh ai qëndrimi i saj zgjati më shumë se sa i të tërë të tjerëve bashkë.


“Sepse ndryshe nga gjithë të tjerët, ajo nuk ndenji një ditë pa u shfaqur, sa ekran më ekran, e vrenjtur edhe kur buzëqeshte, sa në instagram, e qeshur edhe kur pejsazhet nga Shqipëria ishin të vranëta, e sa përmes cicërrimave, ku ëmbëlsisht serioze e ku seriozisht të hidhura,  nga frëngjia e Tëitterit; sa në rrugët e jetës politike në Tiranë, ku me dylbi e me pushkë në stërvitjet ushtarake, ku me shpatë në brez në mbledhjet e organeve të drejtësisë, ku me lot në sy për viktimat e Armikut të Padukshëm, ku me helm në gjuhë për armiqtë e Reformës në Drejtësi, e ku me llokume e raki për komisionin multipartizan të reformës zgjedhore…”, ka shkruar Rama.

Ai po ashtu tha se Yuri Kim u largua duke lënë pas në pamje të parë, miq e armiq, që e deshën apo e urryen.

“Ndërkohë që më pranë të vërtetës është fakti se askush s’e deshi dot pa e urryer asnjëherë dhe asnjë se urreu dot pa e dashur qoftë edhe njëherë. Në radhën e tërë atyre që deri më sot janë ulur në zyrën e ambasadorit amerikan në Shqipëri, ajo ishte më amerikania mes shqiptarëve dhe më shqiptarja mes amerikanëve. Kush më shumë e kush më pak, ambasadorët e supërfuqisë në vendin tonë kanë rënë në kurthin e ëmbëlsisë admiruese të Shqipërisë, ku Amerika shihet si Arusha e Madhe në qiell dhe një ambasador amerikan trajtohet kudo ku shkon, si mik i rënë nga qielli, e për rrjedhojë fatale bie brenda dhe ndjehet si një Zot në tokë, i cili duhet të jetojë e të veprojë në emër të popullit shqiptar, të bëhet jo vetëm zëdhënësi i halleve të tij, po edhe luftëtari që për llogari të tij përleshet me padrejtësitë, fshikullon të pushtetshmit, godet të paudhët, poshtëron të pandreqshmit, një lloj gjykatësi suprem, i cili merr frymë me detyrimin moral karshi njerëzve të thjeshtë që të kontestojë deri edhe vetë vendimet e gjykatave”, theksoi Rama. /Telegrafi/