LAJMI I FUNDIT:

Viti 1952: Fillimi i fundit i Mbretërisë së Egjiptit

Viti 1952: Fillimi i fundit i Mbretërisë së Egjiptit
Liderët e Revolucionit të Egjiptit: Mohammed Naguib dhe Gamal Abdel Nasser

Cilat janë ngjarjet që kanë shënuar shqiptarët dhe botën në vitin 1952?

Më 6 shkurt 1952, Dukesha e Edinburgut bëhet mbretëreshë e Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës Veriore, si dhe Dominioneve Britanike: Kanadasë, Zelandës së Re, Afrikës së Jugut, Pakistanit dhe Cejlonit. Fjala është për mbretëreshën Elizabeth II, që do të sundojë për 70 vjet, deri në vdekjen e saj më 8 shtator 2022.

Pamje nga kurorëzimi i mbretëreshës Elizabeth II

Në shkurt, Greqia dhe Turqia i bashkohen NATO-s. Ndërsa, në Tribunalin e Hagës, Izraeli kërkon reparacione prej Gjermanisë, në vlerë të tre miliardë dollarëve. Në gusht, Gjermania pranon të paguajë tre miliardë marka.


Në prill, me Traktatin e San Franciskos përfundon lufta mes Japonisë dhe Aleatëve, si dhe pushtimi ishujve japonezë. Po këtë vit, me Traktatin e Taipeit përfundon lufta mes Republikës së Kinës (Tajvanit) dhe Japonisë.

Ndërkohë, mbreti Farouk i Egjiptit shpall veten trashëgimtar të profetit Muhamed. Në fakt, ai ishte trashëgimtar i dinastisë mbretërore të Egjiptit, të krijuar nga shqiptari Mehmet Ali Pasha. Por, në një grusht shteti bie nga pushteti. Vendin e tij do ta zë i biri, Fuadi II. Por, as kjo nuk i kënaq organizatorët e Revolucioni i Egjiptit, që udhëhiqej nga Gamal Abdel Nasseri – që më vonë do të bëhet shok i mirë i Titos dhe i cili me këtë të fundit dhe me Jawaharlal Nehrun, do ta formojnë Organizatën e të Painkuadruarve. Një vit më vonë përmbyset monarkia e Egjiptit.

Mbreti Farouk me familjen në ekzil në ishullin Kapri

Vlen të ceket se që nga viti 1811, kur Mehmet Ali shkatërroi përfundimisht regjimin e feudal të mamlukve, Egjipti u shndërruar në një strehë jo vetëm për ushtarakët shqiptarë. Thuhet se Farouku truprojat i kishte shqiptarë dhe se ata mbanin plisin në kokë. Egjipti apo Misiri kishte diasporë të fuqishme shqiptare, ku vepronin disa shoqëri dhe ku botoheshin gazetat “Besa”, “Toska”, “Sëpata” dhe “Shkrepëtima”. Elementi shqiptar, qoftë mysliman apo i krishterë, gëzonte privilegje nën sundimin e kësaj dinastie.

Për mbretin Fuad I – të birin e Faroukut që kërkonte fronin mbretëror të Shqipërisë më 1913 – flitet se kur një fallxhore i tha se fati i tij ishte nën përcaktimin e germës “F”, të pesë fëmijëve të vet ua vuri emrat: Farouk, Fawzia, Faiza, Faika dhe Fathia. Fawzia, ish-gruaja e Mohammad Reza Pahlavit, perandorit të Iranit, nga Hollivudi është shpallur si gruaja më e bukur në botë.

Koleksioni i veturave i mbretit Farouk

Farouku njihet si hamës, feminist, lojtar i bixhozi dhe koprrac. Pas abdikimit dhe largimit nga Egjipti, për zakonet e tij u përgojua, për çfarë ka shumë anekdota për të, përfshirë atë se ishte kleptoman dhe se Winston Churchillit ia vodhi orën, ndërsa Shahut të vdekur të Persisë – kur arkivoli u ul transit në aeroportin e Kajros – ia vodhi shpatën ceremoniale, rripin dhe medaljet (nga uniforma e kufomës). Por, ishte edhe koleksionist i madh. Në fondin e koleksionit të tij përfshiheshin rreth 8 500 monedha ari dhe mijëra të tjera argjendi. Po ashtu, ishte koleksionist i pullave postare. Në koleksionet e tij renditen armët, orët, botimet e vjetra, veprat e artit prej ari dhe argjendi, medaljet, shishet antike, vezët perandorake ruse, veturat …

Fawzia e bukur

Më 1952, Kisha Katolike ndalon veprat e autorit Andre Gide. Ndërsa, në Argjentinë vdesë Maria Eva Duarte De Peron – që shkurtimisht njihet si Evita. Ajo ishte gruaja e presidentit Juan Peron. Evita – që frymëzon shumë artistë, edhe sot – mbahet mend për hapje të mijëra spitaleve, shkollave, jetimoreve, shtëpive të pleqve dhe për shumë institucione bamirëse. Po ashtu, luftoi për të drejtat e grave. Tre vjet pas përmbysjes së Peronit, trupi i saj i balsamosur vidhet dhe fshihet në Itali për 16 vjet. Kundërshtarët kurrë nuk lanë trupin e saj të pajetë që të prehet si duhet në qetësi.

Më 1952 vihet në zbatim Komuniteti Evropian i Qymyrit dhe Çelikut (ECSC), si organizatë evropiane për të rregulluar industrinë e qymyrit dhe të çelikut. U krijua më 1951 me Traktatin e Parisit të nënshkruar nga Belgjika, Franca, Italia, Luksemburgu, Holanda dhe Gjermania Perëndimore. Po më 1952 hapet Asambleja Parlamentare Evropiane që dhjetë vjet më vonë do të njihet si Parlamenti Evropian.

Shpërthimi i bombës hidrogjenike

Më 29 gusht, kompozitori John Cage interpreton veprën “4′33″. Pse është e veçantë kjo vepër? Sepse s’e ka asnjë notë të shkruar, ndërsa gjatë interpretimit muzikantët rrinë pa bërë asnjë lëvizje. Si hulumtues dhe eksperimentues i madh, ai ka dashur t’i hulumtojë tingujt e heshtjes si dhe zhurmat e publikut – gjërat që rëndomë nuk dëgjohen në koncerte. Kjo vepër unike ka bërë që nga shumëkush ai të njihet edhe si “autor i heshtjes”. Se sa vizionar ka qenë Cage, dëshmon kjo deklaratë e dhënë më 1937: “Besoj se përdorimi i zhurmës për të krijuar muzikë do të vazhdojë të rritet derisa të arrijmë te muzika e krijuar me instrumentet elektronike, që do të jenë të qasshme për nevoja muzikore dhe për çfarëdo tingulli që do ta dëgjojmë”.

Viti 1952 ishte vit i rëndësishëm për mjekësinë. Në ShBA përdoret për herë të parë zemra mekanike. Ndërsa, në Universitetin e Minesotës bëhet operacioni i parë në zemër të hapur. Po këtë vit realizohet operacioni “Ivy”: ShBA-ja shpërthen me sukses bombën e parë me hidrogjen.

Më 1952 lindin: fituesi i Nobelit për Letërsi, Orhan Pamuk, aktorët Liam Neeson, Dan Aykroyd, Patrick Swayze dhe Roberto Benigni, si dhe muzikanti David Byrne, lider i grupit kult, Talking Heads. Ky i fundit këndonte në mënyrë të çuditshme sepse, sipas tij, sa më i mirë është zëri i këngëtarit aq më vështirë është për të kuptuar atë që thotë. Pra, të metën e përdorte si përparësi. Më 1952 lindi edhe Ahmet Prishtina që shërbeu si kryetar i Izmirit nga viti 1999 deri më 2004. Më 1952 lindin edhe këta emra: aktori Nimon Muçaj, këngëtarja Nazmije Hoxha, shkrimtarët Zejnullah Rrahmani, Visar Zhiti dhe Skënder Rusi, kompozitori durrsak me prejardhje armene, Hajg Zaharjan … Më 1952 lind edhe historiani Bernd J. Fischer, autor i shumë librave për shqiptarët, si dhe një nga emrat më të urryer të shekullit XXI: diktatori rus Vladimir Putin, i cili 70 vjet më vonë do të nis pushtimin e Ukrainës dhe tentimin për të zhdukur kombin ukrainas, duke e futur Evropën në krizën më të madhe që nga Lufta e Dytë Botërore.

Më 1952 vdesë nobelisti norvegjez, shkrimtari Knut Hamsun, i cili gjatë Luftës së Dytë Botërore bëhet simpatizant i nazistëve. Pas mbarimit të luftës, shteti e akuzoi atë për tradhti, por nuk u dënua meqë u shpall se është mendërisht i sëmurë.

Hafiz Ibrahim Dalliu

Më 1952 vdesë edhe Hafiz Ibrahim Dalliu – hoxhë, intelektual dhe veprimtar i çështjes kombëtare. Dalliu studio në Stamboll. Pas mbarimit të studimeve emërohet imam i Tiranës dhe mësues në shkollën fillore të këtij qyteti që drejtohej nga Filip Ashiku. Më 1908 hapi shkollën për mësuese të vajzave. Ishte pjesë e partisë “Bashkimi”, që aspironte mëvetësinë kombëtare në kohën e shpalljes së Kushtetutës (Hyrjetit). Në vitin 1909, ishte një ndër delegatët e Tiranës në Kongresin e Elbasanit, ku u vendos edhe hapja e Shkollës Normale e ku u emërua mësues. Gjatë viteve 1909-1911 u arrestua disa herë nga regjimi osman, si veprimtar për arsimin shqip dhe për çështjen kombëtare. Gjatë arrestimeve iu sekuestruan materialet didaktike dhe shtypi patriotik në gjuhën shqipe. Ishte imam, por mjedisin fetar e shfrytëzoi si shkollë ku u mësonte fëmijëve gjuhën shqipe, sipas alfabetit latin – sipas vendimit të Kongresit të Manastirit. Në vitin 1911 u burgos nga regjimi osman në Manastir dhe më pas edhe në kështjellën e Selanikut ku u lidh me zinxhirë dhe u akuzua si “Hoxhë kaur”. Pas disa muajve u lirua nga burgu, për shkak të përpjekjeve Hasan Prishtinës dhe Mihal Gramenos. Pas vitit 1912, drejtoi gazetën “Dajti”, ndërsa ishte pjesëmarrës në ngritjen e flamurit kombëtar, më 26 nëntor 1912 në Tiranë. Regjimi komunist e gjeti si mësues në Medresenë e Përgjithshme të Tiranës. U arrestua në fillim të shkurtit të vitit 1948 dhe u dënua me pesë vjet burg “për faje penale kundër popullit e shtetit – agjitacion e propagandë”, me konfiskimin e pasurisë dhe humbjen e të drejtave civile për tre vjet. Ndonëse në moshë të shtyrë, torturohet pa mëshirë për shtatë muaj. Në fund të vitit 1948 lirohet nga burgu, si i gjymtuar.

Gani bej Kryeziu

Më 1952 vdesë edhe Gani bej Kryeziu, luftëtar i rezistencës antikomuniste. Ishte vëllai i Saidit, Hasanit dhe Ceno bej Kryeziut, që të gjithë bij të Riza bej Kryeziut që ishte pjesë e luftës për pavarësinë e Shqipërisë, por që, sipas Hasan Prishtinës, ishte fanatik fetar që çështje kryesore kishte lirimin e Sulltanin Hamidit II nga burgu i Selanikut. Ganiu studioi në një akademi ushtarake në Sarajevë dhe shërbeu në ushtrinë serbe në fillim të viteve 1920, po ashtu si adjutant i mbretit serb Aleksandri I.  Për një kohë të shkurtër shërbeu edhe në Shqipëri, gjatë vitit 1925, pas Revolucionit të Qershorit dhe pas kthimit të Ahmet Zogu në pushtet, me ndihmën e serbëve. Pas vrasjes së vëllait të tij në Pragë, më 1927 – nga Alqiviadh Bebi që ishte agjent i Zogut – bëhet armik i regjimit zogist. Në vitin 1932, ai dhe vëllai i tij u dënuan me vdekje në mungesë, për kinse përpjekje për të prishur rendin e brendshëm të Shqipërisë. Me pushtimin italian të Shqipërisë iu bashkua rezistencës, duke mbajtur kontakte të ngushta me inteligjencën britanike. Ishte armik i komunistëve shqiptarë dhe jugosllavë. Partizanët shqiptarë e kapën në vitin 1945, ia dorëzuan komunistëve jugosllavë të cilët e dënuan me vetëm pesë vjet punë të rëndë. Thuhet se shpëtoi nga britanikët.

Sipas studiuesit Bajram Mjeku, Aleksandar Rankoviqi i dërgoi telegram Miladin Popoviqit dhe Fadil Hoxhës. Në telegram thuhej: “Urgjentisht na lajmëroni pse e burgosët Gani Beun dhe pse e pushkatuat vëllain e tij Hasanin së bashku me njëzetedy shoqëruesit e tij”. Se ç’rol kishte Fadil Hoxha në eliminimin e Kryezinjëve, flet më së miri letra e tij drejtuar Liri Gegës më 23 shtator të vitit 1944, i cili për vëllezërit Kryeziu shprehej kështu: “Nuk kanë besim se me çlirimin e Jugosllavisë, Kosova do ta fitojë lirinë dhe Kosovën e quajnë pjesë të pandame të Shqipnisë”. Fadil Hoxha përmes letrës drejtuar Liri Gegës veçse konfirmon frymën e vëllezërve Kryeziu për një Kosovë të bashkuar me Shqipërinë. Gjatë qëndrimit të tij në burgun e Mitrovicës së Sremit, Gani Kryeziu pati oferta nga udhëheqja jugosllave për rrëzimin e pushtetit në Shqipëri, më saktë nga Sllobodan Peneziqi i njohur me nofkën “Kërcun”. Peneziqi ishte njeriu i dytë në hierarkinë e UDB-së jugosllave, por që të gjitha këto i refuzoi Gani Kryeziu, derisa të burgosurve shqiptarë u thoshte: “Më mirë në vorr se sa horr!”

Më 1952, në burgun e Burrelit vdiq edhe ish-deputeti dhe ish-ministër i shtetit shqiptar, Qemal bej Vrioni.

Viti 1952 është vit i rënd për shqiptarët e Kosovës, meqë fillojnë shpërnguljet masive për në Turqi. /Telegrafi/

Ahmet Zogu dhe Ceno bej Kryeziu