LAJMI I FUNDIT:

Marrëveshja Kosovë – Serbi për energjinë, reagimet nga ambasadat dhe deklaratat e opozitës 

Marrëveshja Kosovë – Serbi për energjinë, reagimet nga ambasadat dhe deklaratat e opozitës 

Kosova dhe Serbia të martën kanë arritur të nënshkruajnë marrëveshjen në Bruksel, lidhur me çështjen e energjetikës.

Arritjen e marrëveshjes fillimisht e kishte njoftuar i dërguari i posaçëm i BE-së, për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Pas Lajçakut, për marrëveshjen kanë reaguar edhe zyrtarët shtetëror, ambasadorët e huaj të akredituar në Kosovë.


Për marrëveshjen kanë reaguar edhe partitë opozitare, duke thënë se kryeministri Albin Kurti është pajtuar me një marrëveshje të 2013, të cilën dikur e kishte kundërshtuar.

Kosova dhe Serbia arrijnë marrëveshje për energjinë
Lexo po ashtu Kosova dhe Serbia arrijnë marrëveshje për energjinë

Lajçak arritjen e marrëveshjes Kosovë-Serbi e ka quajtur hap të madh para.

“Me kënaqësi ju njoftoj se Kosova dhe Serbia sapo miratuan Udhërrëfyesin për zbatimin e marrëveshjeve për energjinë në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Ky është një hap i madh përpara”, ka shkruar Lajçak.

E kryeministri Albin Kurti arritjen e marrëveshjes për energjinë e ka quajtur lajm të mirë.

“Është lajm i mirë që është arritur dakordimi pas bisedimeve të gjata e takimeve të shumta, kjo është rezultat i punës tonë të palodhshme dhe i qëndrimeve tona parimore. Në bazë të ligjit dhe kushtetutshmërisë së Republikës së Kosovës në bazë të rregullave tona ka ndodhur dakordimi më në fund për zbatimin e udhërrëfyesit që do të mundësojë inkasimin e energjisë elektrike të konsumuar edhe në veri të lumit Iber, në komunat atje.

Ka qenë një dëmtim i madh i buxhetit, një padrejtësi e jashtëzakonshme që na është bërë në këto vite andaj me këtë dakordim po i vjen fundi dhe po mundësohet që për energjinë e konsumuar edhe të paguhet ajo energji nga të gjithë qytetarët, ashtu që të gjithë të jemi të barabartë dhe të mos dëmtohet buxheti”, theksoi ai.

Marrëveshja për Energjinë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë – këto janë pikat e arritura
Lexo po ashtu Marrëveshja për Energjinë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë – këto janë pikat e arritura

Ndërkaq, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, njëherësh kryenegociator i palës kosovare në dialog me Serbinë, ka reaguar pas arritjes së marrëveshjes me palën serbe lidhur me çështjen e energjisë.

Bislimi në një postim në Twitter, ka shkruar se me këtë marrëveshje tani e tutje edhe komunat veriore të Kosovës do të faturohen për energjinë që shpenzojnë.

“Më në fund kemi miratuar Udhërrëfyesin e implementimit për marrëveshjet për energjinë të vitit 2013 dhe 2015. Kjo mundëson faturimin e energjisë elektrike në 4 komunat veriore të Kosovës, sipas ligjeve dhe sistemit rregullativ të Kosovës”, ka shkruar Bislimi.

Për arritjen e marrëveshjes kanë reaguar edhe ambasadat në Prishtinë.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë u ka kërkuar dy vendeve që të vazhdojnë angazhimin urgjent dhe të hapur në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

“Marrëveshja e sotme e udhërrëfyesit për energjinë është dëshmi se kur Kosova dhe Serbia angazhohen me kreativitet dhe fleksibilitet, qytetarët në të dy vendet përfitojnë”.

Ambasada amerikane reagon pas marrëveshjes për energjinë - bën thirrje për angazhim në dialog
Lexo po ashtu Ambasada amerikane reagon pas marrëveshjes për energjinë - bën thirrje për angazhim në dialog

“SHBA u kërkon të dyja vendeve që të vazhdojnë të ndërtojnë këtë sukses përmes angazhimit urgjent dhe të hapur në dialogun e lehtësuar nga BE”, thuhet në reagimin e ambasadës në Twitter.

Reagim ka pasur edhe nga shteti gjerman. Sipas zëdhënësit të qeverisë, Steffen Hebestreit ky vend i mbështet plotësisht hapat e ardhshëm drejt normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Vjen reagimi nga Gjermania pas Marrëveshjes së arritur për Energjinë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë
Lexo po ashtu Vjen reagimi nga Gjermania pas Marrëveshjes së arritur për Energjinë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë

“Urime kryenegociatorët e Serbisë dhe Kosovës dhe Miroslav Lajčák! Siç ka nënvizuar kancelari Olaf Scholz gjatë udhëtimit të tij të fundit në rajon: Gjermania mbështet plotësisht hapat e ardhshëm drejt normalizimit të gjithanshëm të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, ka shkruar Hebestreit në Twitter, përcjell Telegrafi.

Edhe Ambasada e Francës në Kosovë ka reaguar pas arritjes së Marrëveshjes për Energjinë ndërmjet vendit tonë dhe Serbisë.

Sipas tyre, ky dokument paraqet një përparim në dialog dhe se duhet që të sigurohet zbatimi i plotë i Marrëveshjes.

“Franca mirëpret udhërrëfyesin e miratuar sot në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dokument ky që paraqet përparim konkret dhe domethënës në Dialog. Tani e tutje, duhet siguruar zbatimin e plotë të tij”, thuhet në reagim, përcjell Telegrafi.

Për arritjen e marrëveshjes me Serbinë kanë reaguar edhe partitë opozitare.

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku në një postim në Facebook, ka shkruar se pa i hequr asnjë pikë e presje, Kurti është dakorduar për planin e zbatimit të marrëveshjes për energji të dakorduar në Bruksel me 2015.

“Po të njëjtën marrëveshje, Kryeministri atëbotë e konsideronte tradhti kombëtare. E vetmja gjë konsistente tek Kurti është mungesa e konsistencës. Kryeministri ua ka borxh votuesve të tij një sqarim, a e ka pas gabim atëherë, apo e ka gabim tash?”, ka shkruar Çitaku.

Ajo ka theksuar më tej se kryeministri është shndërruar në noter të marrëveshjeve paraprake, duke e kthyer procesin mbrapa e duke humbur kohë.

Edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka dhënë qëndrimin e tij pas arritjes së marrëveshjes Kosovë-Serbi, për energjinë.

Sipas tij, ky udhërrëfyes përcakton implementimin e dy marrëveshjeve paraprake, të viteve 2013 e 2015 – të cilat Kosova asokohe i kishte lidhur me qëllim të ushtrimit të sovranitetit shtetar në gjithë territorin e vet.

Por, siç ka thënë Abdixhiku, kryeministri aktual, Albin Kurti, në kohën kur ishin arritur këto dy marrëveshje, i kishte cilësuar si marrëveshje që legalizojnë ndikimin e Serbisë në Kosovë.

Për dallim nga dy partitë tjera, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, e ka përkrahur këtë marrëveshje duke thënë se nëse zbatohet nga pala serbe, atëherë “nuk është keq në krahasim me gjendjen e tanishme”.

Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj ka deklaruar se e tëra në këtë marrëveshje bazohet në marrëveshjet e mëparshme për energjinë të viteve 2013/2015, veçse sipas tij, këtu janë vënë edhe afatet kohore.

“Sipas kësaj marrëveshjeje, nuk preket sovraniteti energjetik i Kosovës, meqë ai është vendosur me Marrëveshjen e re të kyçjes KOST-ENTSO-E, ku ndërkombëtarisht njihen kufijtë energjetikë të Kosovës, në kufijtë shtetëror dhe operimi I pavarur i KOSTT-it nga EMS (Serbia), si zonë rregulluese brenda sistemit rregullator me OST (Shqipërinë). Operimi I KOSTT brenda Bllokut me Shqipërinë, siç e dini është vendosur me marrëveshjen e njohur edhe nga ENTSO-e, me 26.11.2019”, ka shkruar tutje i pari i AAK-së.

Kosova dhe Serbia kishin nënshkruar Marrëveshjen për çështjen e energjetikës gati një dekadë më parë, përkatësisht në shtator të vitit 2013, e që ishte konfirmuar në gusht të 2015-së. Sipas kushteve, Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) do t’i lëshoj licence Elektroseverit.

Deri vonë, qytetarët e komunave veriore të Kosovës, kanë thënë se kanë pranuar fatura për energjinë elektrike nga “Elektrokosmet”, e që konsiderohet kompani ilegale.

Qytetarët e komunave të Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zveçanit dhe Zubin Potokut – kryesisht serbë – nuk paguajnë për rrymën e shpenzuar tash e më shumë se dy dekada. /Telegrafi/