LAJMI I FUNDIT:

Komplekset e Holokaustit dhe lufta kundër kritikëve hebrenj

Komplekset e Holokaustit dhe lufta kundër kritikëve hebrenj

Nga: Deborah Feldman, shkrimtare, autore e librit Unorthodox: The Scandalous Rejection of My Hasidic Roots and Judenfetisch. Jeton në Gjermani, ndërsa ka nënshtetësi gjermane dhe amerikane / The Guardian (titulli origjinal: Germany is a good place to be Jewish. Unless, like me, you’re a Jew who criticises Israel)
Përkthimi: Agron Shala, Telegrafi.com

Në Gjermani tashmë jetoj për gati një dekadë, por izraelitët dhe palestinezët janë të vetmit njerëz me të cilët ndonjëherë kam qenë në gjendje të diskutoj për konfliktin në Lindjen e Mesme. Gjermanët janë të prirë të ndërpresin çdo përpjekje për bisedë konstruktive, me frazën shumë të preferuar se tema është shumë e ndërlikuar. Si rezultat i kësaj, mirëkuptimet që kam arritur në lidhje me zhvillimet gjeopolitike të tri dekadave të fundit, janë rezultat i bisedave private që në mënyrë të sigurt fshihen prej syve gjykues të shoqërisë gjermane që është e etshme për të na mbajtur ligjërata se si antisemitike është çdo kritikë ndaj Izraelit.


Gjithashtu kam zbuluar se marrëdhënia transaksionale [merr-e-jep] e përcakton përfaqësimin publik të hebrenjve në Gjermani – dhe se i errëson pikëpamjet e shumicës së padukshme të hebrenjve që nuk janë pjesë e komuniteteve që financiarisht mbështeten nga shteti gjerman dhe që nuk e theksojnë pa nda rëndësinë unike të besnikërisë së pakushtëzuar ndaj shtetit të Izraelit. Për shkak të fuqisë së madhe që kanë institucionet dhe komunitetet zyrtare, zërat që janë të pavarur shpeshherë ngufaten ose diskreditohen, duke i zëvendësuar ata me zërat më të zhurmshëm të gjermanëve që kanë komplekset e fajit të Holokaustit që i shtyjnë t’i fetishizojnë hebrenjtë deri në personifikim obsesiv-kompulsiv.

Kur kohët e fundit e botova një libër për këtë veçim të përhapur të popullit hebre në Gjermani – prej oportunistëve që kanë vetëm një qëllim – reagimi ishte dëftues: një gazetar që shkroi në një gazetë hebraike të Gjermanisë, çdo gjë e ndërlidhi me urrejtjen ndaj Izraelit dhe me stresin tim të supozuar post-traumatik, si një grua që u largua nga komuniteti ultra-ortodoks. Spektri i trashëgimisë hebraike vazhdimisht përdoret për pushtet, sepse vetë hebraikja është e shenjtë dhe e paprekshme.

Ashtu si shumica e hebrenjve laikë në Gjermani, jam mësuar me agresionin që kah ne drejtohet nga entiteti i fuqishëm i mbështetur nga shteti i “judaizmit zyrtar”. Shfaqjet teatrore që marrin duartrokitje në Nju-Jork dhe në Tel-Aviv, urdhërohen të anulohen nga Gjermania; autorët nuk ftohen, çmimet tërhiqen ose vonohen, kompanitë e medias janë nën presion për të përjashtuar zërat tanë prej platformat të tyre. Që nga 7 tetori, kushdo që e kritikon reagimin gjerman për sulmet e tmerrshme të organizatës terroriste Hamas, edhe më shumë se rëndomë i është nënshtruar margjinalizimit.

Kur vura re se si palestinezët e Gjermanisë – dhe myslimanët në përgjithësi – mbaheshin kolektivisht përgjegjës për sulmet e Hamasit, unë, së bashku me më shumë se 100 studiues, shkrimtarë, artistë dhe mendimtarë hebrenj, e nënshkrova një letër të hapur në të cilën nga politikanët gjermanë kërkuam që të mos i eliminojnë hapësirat e fundit të sigurta ku njerëzit e shprehin pikëllimin dhe dëshpërimin e vet. Pati reagime të menjëhershme nga komuniteti zyrtar hebraik i Gjermanisë. Më 1 nëntor, pikërisht kur isha gati të shfaqesha në një emision televiziv me zëvendëskancelarin Robert Habeck, ma dërguan pamjen e një postimi në të cilin i njëjti gazetar hebre i Gjermanisë – i cili e sulmoi librin tim – publikisht i diskutonte fantazitë rreth meje duke më mbajtur peng në Gaza. Mbeta e stepur.

Papritmas, gjithçka u bë e qartë për mua. Të njëjtët njerëz që kishin kërkuar që çdo mysliman në Gjermani të dënonte sulmet e Hamasit – në mënyrë që të merrnin leje për të thënë diçka tjetër – ishin në rregull me vdekjet e civilëve, për sa kohë që viktimat ishin njerëz me pikëpamje të kundërta. Mbështetja e pakushtëzuar e qeverisë gjermane për Izraelin jo vetëm që po e pengon të dënojë vdekjet e civilëve në Gazë, por gjithashtu lejon të injorohet mënyra se si hebrenjtë e pabindur në Gjermani dënohen në të njëjtin mënyrë sikurse ata në Izrael.

Njerëzit që mizorisht u vranë dhe u torturuan më 7 tetor, i përkisnin segmentit laik të shoqërisë izraelite – me prirje të majtë; shumë prej tyre ishin aktivistë për bashkëjetesë paqësore. Mbrojtja e tyre ushtarake u eliminua për shkak të kolonëve radikalë në Bregun Perëndimor, shumë prej të cilëve janë fundamentalistë militantë. Për shumë izraelitë liberalë, premtimi i shtetit për sigurinë për të gjithë hebrenjtë, tashti po del se është selektiv dhe i kushtëzuar. Në mënyrë të ngjashme, në Gjermani, mbrojtja e hebrenjve është interpretuar në mënyrë selektive – për t’u zbatuar vetëm për ata që janë besnikë ndaj qeverisë së djathtë nacionaliste të Izraelit.

Nga shumë njerëz në Izrael, pengjet që mbahen nga Hamasi tashmë shihen si të zhdukur, një sakrificë kjo e nevojshme dhe e rëndësishme përderisa mund të përdoret për të arsyetuar luftën e dhunshme për të cilën ka pritur e drejta fetare. Për nacionalistët izraelitë, 7 tetori ishte Dita e tyre personale X, fillimi i përmbushjes së profecisë eskatologjike biblike të Gogut dhe Magogut, ardhja e luftës që ia jep fundin të gjitha luftërave dhe që ia sjell fundin gjithë popujve të huaj. Shumë prej familjeve të viktimave të 7 tetorit – të cilët kanë bërë thirrje për ta përfunduar këtë cikël të tmerrit, të urrejtjes dhe të dhunës, e të cilët e kanë lutur qeverinë izraelite të mos hakmerret në emrin e tyre – nuk po dëgjohen në Izrael. Dhe, meqenëse Gjermania e sheh veten si aleate të pakushtëzuar të Izraelit, si rezultat i Holokaustit, ata që kanë fuqi dhe ndikim në shoqërinë e saj po kërkojnë të krijojnë kushte të ngjashme për diskursin publik në këtë vend.

Disa nga pengjet që mbahen nga Hamasi, kanë nënshtetësi gjermane, kështu që kur e pyeta një politikan nga koalicioni qeverisës gjerman se cili ishte qëndrimi i qeverisë ndaj atyre njerëzve, u trondita kur – privatisht – përgjigja e tij ishte kjo: Das sind doch keine reinen Deutschen, që përkthehet si: Epo mirë, ata nuk janë gjermanë të pastër. Nuk zgjodhi asgjë nga moria e termave krejtësisht të pranueshëm për t’iu referuar gjermanëve me shtetësi të dyfishtë, nuk përdori as mbiemrat e tillë si richtige ose echte për t’iu referuar atyre që nuk ishin tamam gjermanë – përkundrazi, përdori termet e veçanta të nazistëve të vjetër për t’i dalluar arianët nga joarianët.

Publikisht, i njëjti politikan i qendrës së majtë, në secilin rast nëpër media trumbeton me qëndrimin pro-izraelit të Gjermanisë, por duket se në të njëjtën kohë ia bën me sy ekstremit të djathtë antisemitik, duke cilësuar se Gjermania është e pafuqishme të bëjë diçka tjetër pos të pranojë kërkesat e Izraelit – edhe nëse rezultati i bombardimit të saj është humbja masive e jetës së civilëve në Gazë.

A është e habitshme nëse hebrenjtë e Gjermanisë shqetësohen se obsesioni i vendit me Izraelin ka të bëjë më shumë me psikikën gjermane sesa me ndjenjën e tyre për siguri dhe përkatësi?

Në fillim të këtij muaji, Habecku, gjoja si burrështetas, e xhiroi një video mbi antisemitizmin, në të cilën i siguroi gjermanët se e kupton se mbrojtja e jetës së hebrenjve ka rëndësi parësore. Shumëkush e interpretoi si përpjekje për të rritur kredencialet e veta të pushtetit; sigurisht, ishte një përpjekje e qartë për ta zaptuar hapësirën retorike të cilën kancelari Olaf Scholz dhe ministrat e tjerë të rëndësishëm, si Annalena Baerbock, ashiqare dhe në mënyrë të frikshme e lanë bosh.

Nuk e planifikova fjalimin prej dhjetë minutave që ia drejtova Habeckut gjatë paraqitjes sime në televizion, por diçka ndodhi si rezultat i pamjes së tmerrshme të postimit; e përmbysa skenarin dhe të gjithat i thashë, me zemrën që aq shpejt më rrihte saqë mund ta dëgjoja me veshët e mi, me frymën që më ndalej dhe me zemrën që më dridhej. Thashë gjithçka që kisha në zemër dhe në mendje: dëshpërimin për këtë luftë të pafund dhe për pafuqinë tonë përballë tmerreve të saj; frikën nga kolapsi i qytetërimit tonë për shkak të dobësimit të shtuar të sistemit të vlerave që atë e mbajnë të bashkuar; pikëllimin për përçarjen që vjen nga diskursi që prish lidhjet midis miqve, familjes dhe fqinjëve; zhgënjimin nga hipokrizia që haptazi përdoret për të heshtur zërat kritikë; dhe, po, zhgënjimin tim për vetë Habeckun – i cili ishte fanar shprese për votueset si unë – për rrugën e tij jokonvencionale drejt suksesit politik.

Mendova për të mbijetuarit e Holokaustit që më kanë rritur dhe për mësimet që kisha nxjerrë nga literatura e të mbijetuarve, si Primo Levi, Jean Améry, Jorge Semprún dhe shumë të tjerë, dhe iu luta zëvendëskancelarit të kuptonte se pse mbrojtja e pakushtëzuar e të drejtave të njeriut, për të gjithë njësoj, është i vetmi mësim legjitim që duhet nxjerr prej tmerreve të Holokaustit, dhe se duke i zbatuar vlerat tona në mënyrë të kushtëzuar, ne tashmë po i delegjitimojmë ata emra.

Në një moment i thashë: “Duhet të përcaktohesh midis Izraelit dhe hebrenjve”. Për shkak se këto gjëra nuk janë të këmbyeshme, dhe ndonjëherë edhe kontradiktore, meqë shumë aspekte të jetës së hebrenjve kërcënohen nga besnikëria e pakushtëzuar ndaj shtetit i cili vetëm disa hebrenj i sheh si të denjë për të pasur mbrojtje.

Nuk mendoj se e priste fjalimin tim. Por, u përpoq të bënte më të mirën, duke u përgjigjur se teksa e kuptonte se perspektiva ime ishte kundër të keqes, mendonte se posti i tij si politikan në Gjermani, në vendin që kreu Holokaustin, nuk ia lejonte atij ta pranonte këtë qëndrim. Dhe, kështu, në atë moment arritëm në pikën e diskursit gjerman ku tashmë haptazi e pranojmë se Holokausti përdoret si justifikim për braktisjen vlerave të luftës kundër ligësisë.

Shumë gjermanë, duke më përfshirë edhe mua, kishim shpresa te Habecku. E pamë si një djalë të vogël, si njërin prej nesh, si një ëndërrimtar dhe një tregimtar, si dikush që në politikë u fut sepse mendonte se atë mund ta ndryshojë – por, në vend të kësaj, duket se politika e ka ndryshuar atë. Me sa duket, e ka adoptuar të njëjtën qasje merr-e-jep si të gjithë politikanët gjermanë që erdhën përpara tij. Dhe, nëse ai nuk dëshiron të flasë me ne, kush do të flasë?

Teksa partitë e ekstremit të djathtë – si AfD-ja e Gjermanisë dhe Fronti Kombëtar i Francës -kërkojnë të ngjyrosin dekadat e mohimit të Holokaustit dhe të urrejtjes etnike duke përqafuar Izraelin në mënyrë të pakushtëzuar (sepse, pse nazistët duhet të kenë probleme me hebrenjtë që janë larg?), tash mund të shohim se sa të mashtruar ishim të gjithë ne kur menduar se ky lloj i ekuivokut moral nuk është futur në zemër të shoqërisë liberale. Deklaratat e AfD-së të ekstremit të djathtë dhe të qeverisë së qendrës së majtë – në debatin e Parlamentit gjerman gjatë javës së kaluar, mbi përgjegjësinë historike të vendit ndaj hebrenjve – ishin aq të ngjashme saqë assesi nuk ta gjeja dallimin. /Telegrafi/