LAJMI I FUNDIT:

Raportimi i kryeministrit Hoti për dialogun me Serbinë – gjithçka që ndodhi në seancën e Kuvendit

Raportimi i kryeministrit Hoti për dialogun me Serbinë – gjithçka që ndodhi në seancën e Kuvendit
Foto: Arkiv

Plot shtatë orë ka zgjatur seanca e sotme e Kuvendit të Kosovës, ku kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka raportuar lidhur me procesin e dialogut me Serbinë, gjatë së cilave orë ka pasur kritika, përplasje mes kryeparalamentares e deputetëve e gati në fund edhe mes kryetares së Kuvendit e kryeministrit.

Hoti nisi raportimin e tij duke thënë se dialogu Kosovë –Serbi ka rifilluar pas 20 muajsh, teksa ka ripërsëritur se nuk do të ketë dialog teknik, transmeton Telegrafi.

“Detyrimi për përfaqësimin tim në dialog buron nga kushtetuta. E para integriteti territorial i Kosovës është i pacenueshëm, Tërësia e territorit të Kosovës është premisa thelbësore e Republikës së Kosovës, Organizimi kushtetues i Kosovës nuk mund të preket sepse si i tillë garanton organizimin e pushteteve, Marrëveshja me Serbinë do të jetë në përputhje me Kushtetutën”, u shpreh Hoti gjatë raportimit të tij.


Hoti në raportimin e tij në Kuvend: Marrëveshja me Serbinë do të jetë në përputhje me Kushtetutën
Lexo po ashtu Hoti në raportimin e tij në Kuvend: Marrëveshja me Serbinë do të jetë në përputhje me Kushtetutën

Kryeministri ka thënë se në dialog nuk do të bisedohet për integritetin territorial të Kosovës dhe se për një muaj qeverisje kanë kthyer Kosovën pranë miqve të tyre, SHBA-së dhe Bashkimit Evropian.

Pas përfundimit të raportimit të kryeministrit, seanca vazhdoi duke iu dhënë fjala shefeve të grupeve parlamentare e deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Shefi i Grupit Parlamentar të LVV-së, Rexhep Selimi e ka pyetur kryeministrin Avdullah Hoti se a duhet të mësojë të flasë serbisht para takimit me Vuçiqin.

“A duhet se para se të shkosh në takim me Vuçiqin ta mësosh serbishten, ti edhe ashtu nuk je shumë i serbishtes prej dallim prej shefit ton të partisë. Apo ndoshta hoqe dorë nga reciprociteti dhe tu dashtë ta flasësh gjuhën e njërës palë. Z.Hoti është dashur ti thuash shqip që nuk di serbisht, e as që dua ta mësoj serbishten tënde sepse serbishtja juaj është gjuhë e policëve vrasës të Millosheviqit”, ka thënë Selimi.

Selimi ka shtuar se “kryeministër na turpërove”.

Selimi kërkoi nga Hoti që të tregoj nëse emërimi i Skënder Hysenit koordinator shtetëror për dialog, është respektim i traditës dhe shtoi se në takimin e Brukselit, Hoti shkoi pa platformë, pa agjendë e pa ekip.

Pas tij, e mori fjalën shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi ku ka thënë se kryeministri i vendit, Avdullah Hoti para dhe pas dialogut Kosovë-Serb duhet t’i raportoj Kuvendit të Kosovës.

Gashi tha se kryeministri i ka detyrat e veta kushtetuese nga të cilat nuk mund të ik dhe se Qeveria e Kosovës e ka platformën e saj për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, në Bruksel.

Ai po ashtu tha se duhet ruajtur partneriteti me ndërkombëtarët, e jo siç tha ai të futemi në aventura si në qeverisjen e kaluar.

Deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj në seancën ku raportoi kryeministri Avdullah Hoti për takimin e tij në Bruksel në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, ka thënë se po ndjen keqardhje për kryeministrin Hoti.

“Nuk pata përshtypje që dëgjuam diçka të re nga ai takim. Vullneti i kryeministrit dhe qeverisë që të na informoi neve se çfarë po ndodh në Bruksel është jetike. Si deputet i opozitës dhe si një njeri që ka qenë gjatë në këtë proces, ma shumë po ndjej keqardhje sesa me pas motiv të brendshëm të ushtrimit të një kritike të mirëfilltë”, ka thënë Hoxhaj.

Hoxhaj ka folur edhe për emërimin e koordinatorit shtetëror për dialog, Skender Hyseni, duke thënë se është përzgjedhje e mirë pasi që sipas tij, Hyseni është i mbi kualifikuar dhe ka thënë se është shqetësuese mos koordinimi i partnerëve të koalicionit për përzgjedhjen e koordinatorit dhe se kryeministri Hoti po shkon në dialog pa strategji, dhe kjo nuk është e mirë.

Ndërkaq, nga partneri i koalicionit qeverisës, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Daut Haradinaj ka thënë se nuk kemi pse i frikësohemi dialogut me Serbinë.

Haradinaj ka thënë se kërkesa e tyre si grup parlamentar është e qartë dialogu nuk guxon të rrëshqas në dialog teknik, pasi që sipas tij dialogu teknik e favorizon Serbinë.

Ai tutje ka thënë se nuk kanë asnjë keqkuptim në bashkëqeverisje, por që vetëm po kërkojnë përfshirjen e SHBA-së në këtë proces dhe se Bashkimi Evropian e ka mashtruar me dhjetëra herë Kosovën për liberalizim të vizave.

Krejt në fund, Haradinaj pati edhe një kërkesë për kryeministrin Hoti.

“z.Hoti duhet me trajtua seriozisht partnerin e koalicionit, sidomos përfaqësuesin e AAK në dialog Selim Selimi dhe të jetë prezent në tavolinat ku diskutohet për çështjet e Kosovës”, tha Haradinaj.

Haradinaj, Hotit: Kryeministër trajtoje seriozisht partnerin e koalicionit, ne duhet të jemi prezent në tavolinën ku flitet për Kosovën
Lexo po ashtu Haradinaj, Hotit: Kryeministër trajtoje seriozisht partnerin e koalicionit, ne duhet të jemi prezent në tavolinën ku flitet për Kosovën

Rifillimi i dialogut me Serbinë ka nxitur një përplasje mes kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti dhe deputetes të Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli.

Deputetja e LVV-së, Fitore Pacolli, tha se pala kosovare po bëhen si “pula”, para presidentit serb.

“Nuk ka asgjë të re, Hoti vazhdon të udhëheq dialogun sipas marionetave të presidentit, Hashim Thaçi. Ai ia cakton koordinatorin. Hoti është një politikan jo i aftë. Para Vuçiqit ju bëheni pula. Na tregoni se çfarë keni biseduar me Vuçiqin, nëse nuk keni asgjë për të fshehur. PDK, LDK të gjithë na kanë sjellë në këtë situatë ku jemi një shtet i kapur”, ka thënë Pacolli.

Pas kësaj, ka reaguar kryeministri Hoti, i cili tha se LVV po ndërton teori konspirative.

Deputeti i PDK-së Enver Hoxhaj ka propozuar që të nxirret një rezolutë në Kuvendin e Kosovës për dialogun për të mos pasur në tavolinën e negociatave me Serbinë bisedime për çështje teknike, por vetëm njohje reciproke.

Për këtë propozim është pajtuar kryeministri Hoti, por ish-ministri i punëve të Jashtme theksoi se ky propozim nuk është qëndrim i GP të PDK-së, por personal.

Kryeministri Hoti tha se platforma e vetme për bisedime është Kushtetuta, derisa shtoi se integriteti territorial nuk ka qenë ndonjëherë temë, edhe në qeverinë e kaluar u ndërtuan teori konspirative për të mos shkuar në dialog, sepse po negociohet për integritetin territorial.

Hoti po ashtu tha se kanë strategji vetëm për marrëveshje përfundimtare për njohje reciproke dhe për normalizim të marrëdhënieve.

Ndaj deklaratave të kryeministrit ka replikuar deputeti i VV-së Rexhep Selimi i cili tha se po Hoti po e demanton vetveten kur po thotë “ejani në bisedime flasim vetëm njohje reciproke”.

Po ashtu ka kërkuar sqarim nga Hoti të sqarohet se çka ka dashur të thotë presidenti për koordinatorin se është një dakordim ndër shtetëror.

Hoti i është kundërpërgjigjur deputetëve që po akuzojnë për mostransparencë në procesin e dialogut.

Por, ai mohoi këto akuza duke thënë se ka bërë të gjitha gjërat e nevojshme për të qenë sa më transparent për takimet e tij me presidentin

Hoti tha se marrja e njohjes reciproke nuk është parullë dhe se dialogun po e bën në kornizat që i lejon Kushtetuta.

Ndërkaq, për emërimin e Skënder Hysenit koordinator shtetëror për dialogun, Hoti tha se është plotësisht kompetencë e tij për një veprim të tillë.

Jashtë debatit për dialogun Kosovë-Serbi, përplasje pati mes deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku i cili gjatë seancës së sotme në Kuvendin e Kosovës, derisa mori fjalën për të folur, qysh në fillim nxiti reagimin e kryetares së Kuvendit.

Lushtaku e nisi fjalën e tij me fjalët “e nderuara kryetare e Kuvendit, Sherife Osmani”, gjë e cila nxiti reagimin e kryetares së Kuvendit, Vjosa Osmani e cila iu drejtua Lushtakut, duke i thënë se fjalia “The neë sherif in toën”, përdoret si gjuhë institucionale dhe nuk ka të bëj me polici.

Osmani tha se meqë nuk e dinë kuptimin e kësaj fraze, atëherë do ta shpjegojë, ku tha se kjo fjali përdoret edhe kur prezantohen presidenti i ri i zgjedhur në Amerikë.

Në seancë foli edhe nënkryetari i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Memli Krasniqi, i cili tha se PDK nuk beson në procesin e dialogut pa prezencën e SHBA-së në tryezën e bisedimeve.

Në anën tjetër, kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani ka kritikuar kryeministrin e vendit Avdullah Hoti sa i përket dialogut me Serbinë.

Ajo tha se arsyetimi i Hotit se ‘platforma e tij dialoguese është Kushtetuta’ nuk vlen, pasi Hoti tashmë ka shkelur Kushtetutën.

Osmani  u shpreh se Gjykata Kushtetuese nuk lejon “mekanizëm të veçantë për negocim”, gjë të cilën sipas saj qeveria Hoti e bëri me emërimin e Skender Hysenit, koordinator për dialogun me Serbinë.

“Nëse në asgjë tjetër, në këtë pikë po, sepse është shkelë aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese i cili thotë se nuk mund të ketë mekanizëm të posaçëm që negocion. Në këtë rast mekanizmi i posaçëm që është krijuar me një vendim të qeverisë thotë që koordinatori shtetëror e udhëheq këshillin e ekspertëve. Pra me shkrim nuk ia kanë dhënë kompetencën për të negociuar por gojarisht po, u tha edhe sot në Kuvend që z.Hyseni e ka mandatin për të negociuar e hartuar marrëveshjen finale”, tha Osmani në Kuvend.

“Kurse Gjykata Kushtetuese e thotë se nuk mund të merr një kompetencë të tillë”, tha Osmani.

“Ka negociuar në emër të Republikës së Kosovës ky “mekanizëm i posaçëm i quajtur kështu nga vetë Gjykata Kushtetuese”, theksoi ajo, duke thënë se vetë Hyseni një ditë më parë pranoi një gjë të tillë.

“Gjykata Kushtetuese thotë se vetëm kuvendi mund të themeloj trupa të veçantë ose mekanizma të veçantë, por jo me ja marrë kompetencat qeverisë ose Kuvendit”, tha tutje.

Ndërkohë ditë më parë, Hoti ka emëruar Skënder Hysenin në postin e koordinatorit shtetëror në dialogun me Serbinë.

“Duke u bazuar në platformën e Qeverisë së Republikës së Kosovës për dialogun me Serbinë, në mbështetje të vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës të datës 1 korrik 2020, me qëllim të organizimit dhe të bashkërendimit institucional dhe ndërkombëtar të këtij procesi, kryeministri Avdullah Hoti sot ka emëruar z. Skender Hysenin Koordinator Shtetëror për Dialog”, thuhet në njoftimin e qeverisë.

Kreu i Qeverisë, Avdullah Hoti, ka deklaruar gjatë kësaj seance se nuk është pezulluar lobimi për njohje të shtetit të Kosovës, por vetëm janë dakorduar me partnerët ndërkombëtarë që anëtarësimi shtetit tonë në organizatat ndërkombëtare të bëhet bashkë me ata.

Hoti ka shtuar se zëvendësministrat janë zëvendësues dhe këshilltarë të tij dhe për këtë arsye kanë qenë në Bruksel, bashkë me të.

Kurse, në një moment kryeparlamentarja Vjosa Osmani i ka reaguar kreut të Qeverisë, Avdullah Hoti, pasi thotë se e ka quajtur “të shkretë”.

Osmani i tha Hotit që të ketë kujdes me fjalët që përdorë në Kuvend.

Derisa kryeministri nuk dëgjohet duke folur, në foltore Osmani i drejtohet me fjalët “Zotëri kryeministër, mos më quaj mua e shkreta”.

Në anën tjetër Hoti ia kthen duke i thënë: “Nuk e kisha me ty”, ndërkaq vazhdon reagimi i kryetares së Kuvendit.

“Ndoshta e ki me dikë tjetër, por të lutem mos lësho fjalë të tilla, është e pa-dinjitetshme. Kështu që përgjigjuni në këto çështje që janë me rëndësi, për këtë Kuvend dhe për këtë shtet. Nuk ka nevojë kur ne dalim, dhe duke tentuar të krijoj një lloj pajtimi të paktën brenda këtij institucioni dhe kërkojmë përgjigje, për tema konkrete, përgjigjen që e marrim është injoranca dhe ofendimi”, tha Osmani.

Seanca e Kuvendit për raportimin e kryeministrit, Avdullah Hoti rreth rifillimit të dialogut të Kosovës me Serbinë, zgjati më shumë se shtatë orë debat, kurse Hoti, tha se të enjten në Bruksel, në takimin midis Kosovës dhe Serbisë në nivel ekspertësh, është “draftuar kapitulli i marrëveshjes përfundimtare për të pagjeturit e luftës”.

Më 16 korrik, Hoti ka takuar presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në kuadër të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve.

Të enjten, ndërkaq, është zhvilluar një tjetër takim midis palëve, por në nivel ekespertësh.

Hoti tha të premten se, më 16 korrik, është diskutuar për dy tema: të pagjeturit dhe çështjet ekonomike.

Ndonëse për to njoftoi edhe gjatë raportimit të mëhershëm në kuvend, Hoti përsëriti se parimet për çështjen e të pagjeturve janë:

“Në përputhje të plotë me ligjin ndërkombëtar humanitar, të zgjidhet çështja e të pagjeturve, duke ofruar të gjitha informacionet për të pagjeturit – parimi i parë. I dyti: sjellja e drejtësisë në vend dhe, i treti: kujdesi për familjet e viktimave”.

“Mbi këto parime të dakorduara më 16 korrik, dje në Bruksel është draftuar kapitulli i marrëveshjes përfundimtare për të pagjeturit. Kjo është e vërteta”, tha Hoti, për të shtuar se për çështjet ekonomike do të bisedohet njëherë tjetër.

Përfundon seanca për dialogun Kosovë-Serbi
Lexo po ashtu Përfundon seanca për dialogun Kosovë-Serbi

Më herët, gjatë raportimit para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, Hoti përsëriti qëndrimin e tij se dialogu me Serbinë është për njohje reciproke dhe normalizim të marrëdhënieve.

Pas përfundimit të luftës në Kosovë, në vitin 1999, kanë rezultuar rreth 6,500 persona të zhdukur.

Që nga ajo kohë janë kryer zhvarrime në varreza masive në Kosovë dhe Serbi dhe deri më tani janë gjetur rreth 70 për qind e të zhdukurve.

Sipas autoriteteve në Kosovë, të pagjetur vazhdojnë të jenë rreth 1,600 persona, kryesisht shqiptarë. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje

Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje

Kronika e Zezë
Gazeta zvicerane citon Kurtin: Kosova të përgatitet për hakmarrje nga Serbia, s’është koha për bashkim me Shqipërinë

Gazeta zvicerane citon Kurtin: Kosova të përgatitet për hakmarrje nga Serbia, s’është koha për bashkim me Shqipërinë

Lajme
KFOR-i nuk e pohon as nuk e mohon nëse policët e Kosovës hynë në Serbi

KFOR-i nuk e pohon as nuk e mohon nëse policët e Kosovës hynë në Serbi

Siguri
Sekuestrohet një Lamborghini në Prizren, po e voziste një fëmijë 11-vjeçar

Sekuestrohet një Lamborghini në Prizren, po e voziste një fëmijë 11-vjeçar

Kronika e Zezë
Parashikimi i motit për të premten, shi, borë dhe erëra të furishme

Parashikimi i motit për të premten, shi, borë dhe erëra të furishme

Lajme
Hovenier: Sistemi i drejtësisë në Kosovë ende me dënime të buta

Hovenier: Sistemi i drejtësisë në Kosovë ende me dënime të buta

Drejtësi
Kalo në kategori