LAJMI I FUNDIT:

Viti 1928: Poshtë Republika, rroftë Mbretëria!

Viti 1928: Poshtë Republika, rroftë Mbretëria!
Pamje nga atentati i 20 qershorit 1928, në Kuvendin e Jugosllavisë
-->

Cilat janë ngjarjet që kanë shënuar shqiptarët dhe botën në vitin 1928?

Karrieristi dhe oportunisti Ahmet Zogu, e shpërbëu në gusht Parlamentin dhe më 1 shtator 1928 u shpall Mbret i Shqipërisë. Ai ndryshoi mbiemrin nga Zogolli në Zogu. Nëna e tij Sadije Toptani u shpall Nëna Mbretëreshë, kurse familjarët e tjerë të tij morën titujt Princër dhe Princesha. Mbretëria e Shqipërisë ishte mbretëri kushtetuese, parlamentare dhe e trashëgueshme. 10 vjet më vonë, më 1938, Zogu do të bëhej me Mbretëreshë, pasi u martua me konteshën hungareze – Geraldine Margit Virginia Olga Maria Apponyi de Nagy-Appony.

Ahmet Zogu i ri, si turist në Vjenë

Ç’është e vërteta, shumë shqiptarë e mirëpritën këtë vendim, sepse mendonin se një shtet, për t’u zhvilluar (siç po zhvilloheshin shtetet e tjera në Ballkan), duhej ta kishte për udhëheqës një mbret. Madje, flitet se në Kosovë në vitet 1930 u formuan lëvizjet ilegale me ideologji monarkiste, siç do të jenë më vonë marksist-leniniste – varësisht nga sistemi politik që mbizotëronte në Shqipëri. Historiani Ramadan Haziri mendonte se anëtarë të organizatave të tilla monarkiste, si të rinj kanë mundur të jenë edhe Mark Krasniqi dhe Gjon Serreqi. Por, dëshmi për këtë nuk ka!

Shekulli XX është shekulli kur shuhen shumë monarki. Zogu dhe psikopati Jean-Bedel Bokassa janë të vetmit që, për të mos ua rrezikuar kush sundimin, shtetin e organizuan sipas interesave të tyre: i pari u bë mbret e i dyti perandor. As të parit e as të dytit nuk u zgjati ëndrra për sundim deri në shtratin e vdekjes.

Geraldine Appony

Një nga ata që nuk e priti mirë shpalljen e Zogut për mbret, ishte Ataturku. Thuhet se kur mësoi lajmin, sundimtari i Turqisë e goditi me grusht tryezën e tha: “Çfarë! Ta pranoj? Jo, jo. Unë s’do ta njoh kurrë! Mbase do jem i vetmi në botë. Kjo s’ka rëndësi. Ju betohem; ju jap fjalën që s’kam për ta njohur! Duhet dhënë shembulli. Një njeri i zgjedhur nga njerëzit nuk duhet ta tradhtojë kurrë betimin e tij! Kurrë”!

Një e vërtetë tjetër është se Zogu u mundua të krijojë një shtet modern. Mbi të gjitha, investoi në arsim duke dhënë bursa për shumëkënd për të studiuar në shkollat prestigjioze të Perëndimit. Dhe, pasi diplomoheshin, ata ktheheshin në vendlindje për të kontribuar në zhvillimin e vendit dhe në edukimin e brezave të rinj. Shumë nga këta kuadro të shkolluar jashtë, që sollën në frymë të re intelektuale në Shqipëri, e pësuan pas vitit 1945 nga bursisti tjetër i Zogut – Enver Hoxha.

Fotografi nga Shqipëria e vitit 1938, e publikuar në revistën franceze “Regards”

Pos shkollimit, Zogu e rriti sigurinë në vend: reduktoi mentalitetin e cubit dhe të gjakmarrjes, duke çarmatosur popullatën dhe duke shtrirë ndikimin e shtetit ligjor. Në kohën e tij ndërtohen ura, pista aeroporti, nis industrializimi i vendit, elektrifikimi, ndërmirren hapat e parë për zhvillim të turizmit, investohet në shëndetësi, në kulturë, ndalohet poligamia dhe perça… Fatkeqësisht, pikë referimi për Zogun – për të treguar se sa zhvillim po sillte mbretërimi i tij – ishte viti 1912, vit ky kur Shqipëria ishte e copëtuar, e varfër, e shkallmuar… Të njëjtën do ta bëjnë më vonë komunistët, për të cilët të arriturat e tyre mendonin t’i dëshmonin duke krahasuar gjithçka me vitin 1938. Jo me vitin 1939 apo 1940 të pushtimit italian, e sidomos jo me vitin 1941 kur gjatë këtij pushtimi ndodh bashkimi me Kosovën dhe kur me një elitë tjetër politike antizogiste në pushtet, shqiptarët përjetojnë zhvillim më të madh – sidomos në arsim.

Sidoqoftë, si atëherë ashtu edhe sot, Zogut nuk do t’i harrohen kurrë vrasjet politike; mëkati që më 1924 u kthye në pushtet me ndihmën e serbëve, ndërkaq për interesa personale cenoi interesat kombëtare duke nënshkruar një marrëveshje famëkeqe me kryeministrin antishqiptar të Serbisë, Nikolla Pashiq; si dhe që më 1939, gjatë pushtimit italian, ai do ta braktiste popullin e me vete do të merrte pasuri marramendëse për të vazhduar jetën e tij luksoze.

Në ndërkohë, në Kosovë, sipas disa statistikave, 4,326 shqiptarë ikën për në Turqi më 1928; 149 familje u larguan për në Shqipëri. Ndërkaq, kolonizatorët serbë u liruan nga tatimet për pesë vjet.

Pamje nga atentati i 20 qershorit 1928, në Kuvendin e Jugosllavisë

Më 20 qershor 1920, krijesës së quajtur Mbretëria Serbo-Kroato-Sllovene (që njihet edhe si Mbretëria e Jugosllavisë, por që si emërtim i vetëm do të përdorej zyrtarisht nga tetori 1929) i lëkunden themelet që gjoja bazoheshin në vëllazërinë e sllavëve të jugut, kur ultranacionalisti Punisha Raçiq, në Parlamentin jugosllav në Beograd qëllon me armë ndaj deputetëve të Partisë Fshatare Kroate. Krejt kjo sepse deputeti kroat, Stjepan Radiq, disa ministra serbë i kishte quajtur banditë, grabitës dhe kriminelë, ndërsa Raçiqi me të tjerët nuk mundi ta shpallte të çmendur e as ta ndalonte të shprehte mendimin e tij që binte në kundërshtim me politikat serbomëdha. Vdekjen e Radiqit dhe të tjerëve (përfshirë të serbit të Kroacisë Svetozar Pribiçeviq, që kritikonte politikat e mbretit Aleksandër Karagjorgjeviq), me ditë e kishin kërkuar mediat në Beograd dhe e kishin paralajmëruar disa deputetë serbë. Radiqi do të vdiste në spitalin e Zagrebit më 8 gusht, nga plagët e marra në Parlament. Në Zagreb do të vriteshin të paktën pesë demonstrues që dënuan aktin e Punisha Raçiqit, që tashmë ishte shndërruar në hero të madh në Serbi.

Raçiqi rridhte nga fisi malazez Vasojeviq, njëjtë si Sllobodan Millosheviqi (Vasojeviqët kanë antishqiptarë me origjinë shqiptare) dhe me emrin e tij ndërlidhen veprime jo të mira të shqiptarëve. Fillimisht, gjatë luftërave Ballkanike kishte bashkëpunuar me shqiptarët katolikë të veriut të Shqipërisë, të cilët shkurt i kishte bindur të luftojnë në anën e malazezëve kundër otomanëve (pra kundër shqiptarëve myslimanë dhe shqiptarëve katolikë që mbronin Shkodrën). Pastaj, më 1920 do të zgjidhej deputet nga Tetova, si përfaqësues i partisë Xhemijet që përfaqësonte shqiptarët, turqit dhe myslimanët (nga Tetova origjinën e kishte edhe Nikolla Pashiqi, i cili ishte vllah).

Fuqia e quajtur… TV!

Viti 1928 është vit kur bakteriologu anglez, Frederick Griffith, do të vërtetonte ekzistencën e ADN-së. Ky vit ka rëndësi për historinë e televizionit, sepse për herë të parë u bë transmetimi transatlantik i sinjalit televiziv (nga Londra në Nju Jork), si dhe u prezantua televizori i parë me ngjyra. Kjo pajisje do të bëhej më vonë burimi kryesor i informimit dhe zbavitjes.

Në BRSS, më 1 tetor 1927, Josif Stalini nisi planin e parë pesëvjeçar; më 1 nëntor Turqia kaloi nga alfabeti arab në atë latin; ndërsa më 22 nëntor, në Paris jepet premiera e baletit “Bolero” (me muzikën mahnitëse të Maurice Ravelit dhe me koreografi të Bronislava Nijinskas).

Che Guevara – nënshkruesi i certifikatave të vdekjes, që çuditërisht u bë idhull i rinisë së rebeluar. deri në ditët e sotme

Më 1928 lindin emra të mëdhenj të shekullit XX: regjisorët Stanley Kubrick dhe Nicolas Roeg, pop-artisti Andy Warhol, aktorët James Coburn dhe Shirley Temple, kompozitori Ennio Morricone, këngëtarët Serge Gainsborough dhe Fats Domino, politologët Zbigniew Brzezinski dhe Noam Chomsky, aktivisti Elie Wiesel, revolucionari Che Guevara, politikanët Hosni Mubarak dhe Ariel Sharon… Ndërkaq, ndër shqiptarë lindën aktoret Kate Dulaj (e njohur si Katarina Josipi) dhe Esma Agolli, shkrimtari Enver Gjerqeku, historiani Ali Hadri… /Telegrafi/

Katarina Josipi