LAJMI I FUNDIT:

Presidenti Ilir Meta rikthen sërish ligjin për Teatrin Kombëtar në Tiranë

Presidenti Ilir Meta rikthen sërish ligjin për Teatrin Kombëtar në Tiranë

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka rikthyer për herë të dytë ligjin për ndërtimin e Teatrit Kombëtar. Presidenca argumenton se ligji i dytë, që u miratua në sesionin e ri parlamentar në shtator është rikthyer, pasi nga dekreti i parë, që pavarësisht se u miratua në Kuvend nga shumica, nga nëntë pikat që kreu i shteti kërkoi për rishqyrtim, u mor në konsideratë vetëm njëra, por edhe ajo jo e plotë.


Edhe pse në ligjin e ri që u miratua nga Kuvendi në shtator hapet gara për kompanitë e interesuara për ndërtimin e Teatrit të ri, Meta thotë se kjo pikë ka shkelje, pasi paracakton fituesin. Presidenti shprehet ligji i ri parashikon se çdo subjekt që dëshiron të konkurrojë, është i detyruar që të lidhë, apo të ketë lidhur marrëveshje me pronarët e truallit ku do të zhvillohet projekti.

Sipas Ilir Metës, njëri prej këtyre pronarëve rezulton të jetë propozuesi i parë i këtij projekti, “Fusha”, me të cilin Kuvendi me procedurë të përshpejtuar kishte përcaktuar për të bashkëpunuar me të, me trajtim preferencial nëpërmjet një ligji të veçantë, tashmë të rrëzuar.

Kjo pikë, por edhe tetë të tjerat që ishin pjesë e argumentimit nga dekreti i parë ishin arsyet se përse nuk e dekretoi miratimin e ligjit për ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar.

Në thelb ky ligj i ri nuk ka arritur të zgjidhë asnjë prej çështjeve dhe problematikave kushtetuese dhe ligjore të evidentuara nga Presidenti në dekretin nr. 10849, datë 27.07.2018, edhe pse ky dekret rezulton të jetë miratuar në tërësi nga Kuvendi.

Dispozitat e tij përmbajnë kritere diskriminuese që nuk garantojnë konkurrencën e lirë, por përkundrazi, sërish konstatohet një trajtim preferencial që kufizon pjesëmarrjen në garë. Këto konstatime e bëjnë këtë ligj të bjerë sërish ndesh me zbatimin e parimeve kushtetuese të “barazisë përpara ligjit” dhe “lirisë së veprimtarisë ekonomike të shtetasve”, duke cenuar funksionimin e vet shtetit të së drejtës.

Në këtë mënyrë, në tërësi ligji i ri nr.37, datë 20.09.2018, paraqet të njëjtat probleme kushtetuese të evidentuara nga presidenti i Republikës në dekretin e tij, duke e bërë atë të padekretueshëm për shpallje.

Ligji i ri përcakton se çdo palë private që dëshiron të marrë pjesë në konkurrim duhet që propozimin e tij për zhvillimin e projektit të zhvillimit të zonës së Teatrit Kombëtar, duhet ta shoqërojë dhe me marrëveshjet që duhet të ketë arritur, me pronarët e pasurive private që ndodhen në zonën objekt zhvillimi dhe që përfshihen në këtë projekt.

Pra, në thelb vendosja e këtij parashikimi ligjor përbën një kusht parakualifikues për të marrë pjesë në garë, duke e bërë kështu një proces selektiv konkurrimi. Për këtë është me rëndësi të evidentohet se:

Është fakt që, Kuvendi i Shqipërisë, me propozimin e Kryetarit të Bashkisë Tiranë dhe më pas të qeverisë, u investua me procedurë të përshpejtuar në shqyrtimin e propozimit dhe miratimin e ligjit nr. 37, datë 05.07.2018, duke përzgjedhur me ligj bashkëpunimin me shoqërinë propozuese “Fusha” sh.p.k, si një nga pronarët e pasurive prone private në këtë zonë.

Gjithashtu është fakt i bërë publik, që në zonën e përcaktuar për realizimin e këtij projekti ndërmjet rrugëve “Abdi Toptani” dhe “Murat Toptani”, shoqëria propozuese “Fusha” sh.p.k. ka në pronësi pasuri të paluajtshme truall dhe ndërtesa.

Në këtë situatë faktike, ku shoqëria “Fusha”, shpk, rezulton pronare në zonën objekt zhvillimi, vendosja e këtij kushti nëpërmjet ligjit dhe mosparashikimi në ligj i rolit të shtetit si garant për një proces të hapur dhe transparent konkurrimi, sjell si rezultat të vetëm realizimin e një procesi selektiv konkurimi në kushte aspak të barabarta.

Kjo sepse ligji i ri në fakt parashikon se çdo subjekt që dëshiron të konkurrojë, është i detyruar që të lidhë, apo të ketë lidhur marrëveshje me pronarët e truallit, ku një prej tyre rezulton të jetë propozuesi i parë i këtij projekti, me të cilin Kuvendi me procedurë të përshpejtuar kishte përcaktuar për të bashkëpunuar me të, me trajtim preferencial nëpërmjet një ligji të veçantë, tashmë të rrëzuar. /Shqiptarja/