LAJMI I FUNDIT:

“Muzikë më e mirë dhe të drejta autoriale”, dëshira e yjeve për vitin 2017 (Foto)

“Muzikë më e mirë dhe të drejta autoriale”, dëshira e yjeve për vitin 2017 (Foto)

Viti i Ri erdhi dhe thuajse të gjithë kanë hapur dhuratat e tyre, por këngëtarët ishin të vetmit që mbase nuk e morën dhuratën e tyre të shumëdëshiruar për vitin 2017, kjo ngase atyre as nuk u premton koha gjatë festave që të merren me dhurata, sepse janë në punë.

Profesioni i këngëtarit është vërtet i vështirë, aq më shumë për ata që e marrin seriozisht punën dhe vazhdimisht janë të angazhuar.


Ata sakrifikojnë vazhdimisht. Në shumë ditë festive ata mund të mos gjenden pranë familjarëve të tyre për të bërë “Gëzuar” me ta, por janë duke kënduar në një koncert, duke mbushur zemrat e publikut plot emocion.

Por sa i vështirë është profesioni i një këngëtari të mirëfilltë në Kosovë.

Tregu muzikor shqiptar numëron shumë këngëtar, ndoshta edhe më shumë se ç’duhet, kjo është një ndër arsyet pse fluksi i madh edhe mund të dëmtojë apo të lërë në hije këngëtarin e mirëfilltë.

Telegrafi ka qenë pranë artistëve në ditët festive, duke i pyetur ata rreth dëshirave të tyre për vitin 2017, ku përveq familjes dhe shëndetit, ata shpresojnë për më mirë edhe në profesionin e tyre.

A e keni ditur që në Kosovë Ligji i të drejtave autoriale nuk funksionin ashtu siç duhet? Për të mos thënë për mungesën e festivaleve, apo hierarkisë së artistëve, ku në atë që ne po e quajmë estradë, nuk ka një rend, nëse “ky” është për këtë, apo ai tjetri për këtë.

Në vazhdim, Telegrafi ju sjell disa prej prononcimeve ekskluzive nga artistët, se çfarë duan ata edhe më mirë në tregun e muzikës për vitin 2017.

Ermal Fejzullahu është një nga këngëtarët i cili ka shprehur dëshirën për zbatimin e ligjit për të drejtat autoriale në vitin 2017, gjithashtu ka preferuar që Kosovën ta shohë edhe me një festival të mirëfilltë, pasi sipas tij, ai është vendi i përsosur ku karriera e një artisti mund të fillojë:

“Po, sigurisht që një ndër dëshirat më të mëdha për vitin 2017 është që Ligji i të drejtave autoriale të funksionojë, pasi dihet tashmë që shteti i Kosovës është duke u zhvilluar, mirëpo duhet të merret parasysh edhe këto çështje që i përkasin estradës. E vërteta është që kërkohet vazhdimisht nga artistët që të paguajnë tatimet, dhe ne siç e keni parë ka një vit që jemi shumë të rregullt në aspekt, po shteti? Ndodh krejt e kundërta nga ana e qeverisë, e cila nuk ndërmerr diçka për estradën, ndërkohë që duhet të jenë më transparent.
E mira së mirës do kishte qenë që në 2017-tën, Kosova të kishte të paktën një festival të mirëfilltë, pasi unë vet jam këngëtar që karrierën e ka nisur në festivale, dhe festivali lirshëm mund të them se është një pjesë e shpirtit tim, unë më së miri e ndjej vetën kur këndoj aty”.

Ndërsa një mendim pak më ndryshe shpreh kolegia Zanfina Ismaili, e cila preferon që artistët e të ashtuquajturës “estradë” të kenë të gjithë një hierarki, renditje kjo e cila do të identifikonte pozicionin e secilit:

“Së pari do ishte mire që ne të jemi artiste jo vetëm me fjalë, por edhe me një lloj dokumenti identifikues si dhe të kemi të drejta siç kanë artistët anë e mbanë botës”.

Ndërsa reperi Genc prelvukaj mendon se e ardhmja do të jetë edhe më e mirë nëse artistët fokusohen në krijimin e materialeve cilësore siç janë albumet apo edhe bashkëpunimet me këngëtarë, teksa kanë edhe disa obligime të cilat duhet t’i përmbushin.

“Ne si shqiptarë bëjmë muzikë të mire duke përjashtuar ato raste kur personazhe të caktuara shfrytëzojnë tingujt për të bërë humor. Vitin që vjen do të uroja për më shumë prodhim të mirë, ide të guximshme, punë më shumë dhe angazhim më të madh në përgaditjet e materialeve. Do të doja të punohet edhe në albume më shumë sepse pothuajse e gjithë shtresa e artisteve është e fokusuar në prodhimin e këngëve të vetme ( single ). Sa i përket ligjit, ai është funksional, veçse duhet artistet tu biejnë mbas detyrimeve që u takojnë”.

Edhe reperi Majk shpreson që viti 2017 do t’i sjell më shumë fat tregut muzikor. Ai thotë se ligji i të drejtave autoriale ekziston tash e një kohë, por sërish nuk është aq funksional sa për të kënaqur ose shpërblyer mundin e vërtet të tyre:

“Muzika ka nevojë për shumë gjëra që të jetë më e cilësore. Ligji I të drejtave autoriale është tash e disa vite, mirëpo nuk po funksionon ashtu siç duhet. Pse Jo? Do doja që në 2017-tën të kontribohej më shumë në këtë drejtim”.

Njashtu reperi Bim Bimma  shpreh të njëjtën dëshirë. Ai thekson se tash e disa vite bashkë me kolegët e tij paguan taksat, ndërkohë që nuk merr asgjë në ‘shpërblim’ të kësaj. Sipas tij do ishte mirë që qeveria të kontribuonte më shumë në Kulturë, pasi si çdo qytetar të Kosovës, artistët vazhdimisht paguajnë takse, dhe asnjëherë nuk marrin shpërblimin e merituar:

“Ne presim që sa kohë që në muzikë të ndërmerren sa më shumë hapa për ta ngritur dhe për ta bërë edhe më cilësore, sigurisht që presim shumë nga ana ligjore por siç po shihet nuk është duke funksionuar asgjë. Tatimet paguhen nga shumë artiste të estradës, por edhe pse paguhen nuk merret ndërmerret asgjë në zvillimin e muzikës, andaj të paktën si “shpërblim” për tatimet që paguajmë do ishte minimumi që do duhej të ndërmerrej në vitin 2017”.

Gjersa edhe reperi Lyrical Son është shprehur se janë pikërisht artistët pikënisja që të ketë zhvillime edhe më të mira në estradë. Sipas tij ata duhet të jenë më të përgjegjshëm ndaj shtetit duke paguar tatimet dhe duke mbajtur përgjegjësitë e veta.

Në vitin 2017 kisha pas dëshirë që artistët të regjistrohen më shumë dhe të paguajnë tatim më shumë, dhe jo vetëm artistët po të gjithë veprimtarët, të gjithë njerëzit që punojnë në Kosovë, sepse duke i paguar tatimet dhe duke qenë më të përgjegjshëm, ne ecim përpara. Ne si artista duhet të jemi shembull i së mirës.


Këngëtarja Genta ismajli dëshiron që gjithashtu ligjet e të drejtave të futen në zbatim. Ajo poashtu ka shumë besim edhe tek kolegët e saj, për të cilët shprehet se të gjithë së bashku do të përpiqen që në 2017-tën të sjellin muzikë edhe më cilësore:

“Sigurisht, preferoj që viti 2017 të jetë edhe më i veçantë, dhe të ketë shumë risi në tregun muzikor shqiptar. Do ishte mirë sikur ligji i të drejtave autoriale të funksiononte edhe më mirë, gjersa edhe ne artistët të koncentrohemi në sjelljen e projekteve të reja muzikore, sa më kualitative”. /Telegrafi/