LAJMI I FUNDIT:

Kurthi i Akilit: Si e keqkuptoi Amerika, Lindjen e Mesme

Kurthi i Akilit: Si e keqkuptoi Amerika, Lindjen e Mesme
Anëtarët e maskuar të Xhihadit Islamik, para portretit të Saddam Husseinit - gjatë një marshimi në Rafah në Gazën jugore, në mars të vitit 2003 (Bridgeman Images)

Nga: Peter Spiegel / The Financial Times
Përkthimi: Telegrafi.com

A ka ndonjë president amerikan – në historinë moderne politike – i cili e ka kuptuar Lindjen e Mesme tamam siç duhet?


Nuk është kjo thjesht një pyetje akademike për këtë kohë kur Joe Bideni po i shmang kritikat gjithnjë e më të mëdha për paaftësinë e tij për ta zbutur luftën brutale tokësore në Gazë, për të penguar sulmet me raketa ndaj anijeve në Detin e Kuq, si dhe për të shmangur sulmet me dronë ndaj trupave amerikane në Siri dhe në Irak.

Nëse i besohet autorit dhe gazetarit Steve Coll, Bideni do të ishte thjesht i fundit në vargun e gjatë të banorëve të Zyrës Ovale, të cilët janë rrënuar nga përzierja e miopisë, llogaritjeve të gabuara dhe naivitetit të plotë në përpjekjet për të çuar përpara interesat e ShBA-së në një rajon të lagur me gjak dhe të pasur me naftë.

Colli – dy herë fitues i çmimit Pulitzer – është bërë disi kryekronist i aventurizmit të fundit gjeopolitik dhe korporativ amerikan në rajon, pasi tashmë ka botuar libra shumë të vlerësuar mbi llogaritjet e gabuara strategjike në Afganistan në prag të 11 shtatorit (Ghost Wars); ndikimin e tepruar të kompanive të mëdha të naftës në politikën e jashtme të ShBA-së (Private Empire); dhe mënyrë se si Uashingtoni skaliti pasurinë e familjes më famëkeqe të Arabisë Saudite (The Bin Ladens).

Libri i fundit e tij, Kurthi i Akilit [The Chilles Trap], është rrëfim i detajuar për katër presidentë amerikanë dhe për paaftësinë e tyre për të mbajtur nën kontroll diktatorin irakian Saddam Husdein. Ky ishte një dështim kaq i madh i politikës, saqë përfundimisht çoi në pushtimin spektakolar e të gabuar të udhëhequr nga Amerika në vitin 2003 – që la qindra-mijëra të vdekur, ndërsa rivalin më të madh strategjik të Uashingtonit në rajon, Iranin, e la me një dorë më të fortë se në çdo kohë tjetër pas revolucionit islamik të vitit 1979.

Duke i rindërtuar dështimet e administratave të njëpasnjëshme presidenciale, Coll shmang rekomandimet gjithëpërfshirëse të politikave që shpeshherë krijojnë “libra të mëdhenj” të ngjashëm për Lindjen e Mesme. Në vend të kësaj, duket se argumenton me përulje ndaj kompleksitetit dërrmues.

Libri nuk i kursen paraardhësit e Bidenit. Ronald Reagan i kërkoi CIA-s t’ia jepte Saddamit hartat e detajuara për ta ndihmuar atë që të përmbyste përparimet iraniane në kulmin e luftës Iran-Irak – për të miratuar në të njëjtën kohë shitjet e armëve për Teheranin (skandal që do të njihet si afera Iran-Contra), duke thelluar kështu paranojën e Saddamit për qëllimet amerikane. Pasardhësi i Reaganit, George HW Bush – i cili në mënyrë të ngjashme u afrua me Saddamin në fillim të administratës së tij (1989-93) për të kundërbalancuar Iranin – humbi shumë mundësi për ta dërguar një sinjal të qartë se pushtimin i Kuvajtit do të përballet me forcën ushtarake.

Bill Clintoni riautorizoi “planin e fshehtë të veprimit për të nxitur një grusht shteti kundër Saddamit”, por më pas i tërhoqi komplotet e CIA-s – kur iu afruan fazës së nisjes – duke dënuar pothuajse të gjitha figurat e besueshme të opozitës irakiane. Libri i Collit përfundon me rrëfimin shpeshherë të dëgjuar, por jo më pak irritues, për verbërinë e George W Bushit ndaj trillimeve të Ahmed Chalabit dhe të burimeve të tjera të dyshimta irakiane që luajtën me nocionet e paramenduara të administratës për programet e armëve të Irakut dhe me dinamikën e brendshme politike. Është e panevojshme të thuhet se ky nuk është një fund i lumtur.

Seria presidenciale është aq shumë e mbushur me gabime saqë e lë lexuesin të pyesë veten – sipas fjalëve të pavdekshme të menaxherit të ndjerë të bejsbollit, Casey Stengel: “A nuk mundet askush këtu që ta luajë këtë lojë”? Në të vërtetë, nëse ka ndonjë dobësi në rrëfimin e Collit, është supozimi i tij i dytë për vendimmarrësit amerikanë – jo vetëm përmes një pasqyre të përsosur për ngjarjet në prapavijë, por edhe përmes një thesari të inteligjencës së sapo përvetësuar mbi funksionimin e brendshëm të regjimit të Sadamit.

Çuditërisht, Saddami e kishte obsesionin niksonian për regjistrimin e takimeve që zhvillonte me këshilltarët më të lartë – regjistrime që mbetën të mbyllura nga rojtarët e sekretit ushtarak amerikan, të cilët bënë kopje të kasetave pasi i zbuluan gjatë pushtimit të vitit 2003. Një numër i vogël i transkripteve u publikuan në fillim të viteve 2010, për t’u tërhequr më vonë, por Colli ishte në gjendje të merrte një dosje të re për të akuzuar Pentagonin, për t’ia mundësuar atij thurjen e tregimit që saktësisht tregon se si reagoi Saddami ndaj ndryshimeve në politikën amerikane.

Asnjë president amerikan nuk e kishte atë lloj të inteligjencës së kohës reale, duke e bërë të lehtë për Collin të portretizonte Shtëpitë e njëpasnjëshme të Bardha si të shurdhra, frikacake ose të kota – ose shpeshherë si kombinim i të tri këtyre përshkrimeve. Nuk ka dyshim se shumë vendime të politikës ndaj Irakut kërkojnë censurë të tillë, por pse të gjitha ato? Ndoshta politikëbërësit kanë gabuar sepse Lindja e Mesme – me ndarjet e saj fetare, etnike, ekonomike dhe ideologjike – është thjeshtë e vështirë. Vetë Colli e pranon se është problematike të spekulosh për “po sikur” – përkitazi me gjykimet më të mëdha presidenciale. Por, megjithatë angazhohet në to.

Pavarësisht nga kjo mangësi, Kurthi i Akilit – titulli është referencë për emërtimin e koduar që i është dhënë një përpjekjeje të fshehtë të CIA-s për ta përmbysur Saddamin – është rrëfim bindës edhe për ata që janë të zhytur në historinë e ndyrë të marrëdhënieve ShBA-Irak. Përveç njohurive që transkriptet e Collit japin për mendimin e Saddamit, tregimi i tij se sa afër Bagdadi i ishte afruar blerjes së armës bërthamore përpara luftës së Gjirit të vitit 1991 – dhe sa të suksesshëm ishin inspektorët e armëve të OKB-së në çmontimin e sistemeve të armëve bërthamore, kimike dhe biologjike të Sadamit, pas tërheqjes së tij nga Kuvajti – është rrëqethëse dhe tërbuese.

Colli paraqet një rast të besueshëm se si regjimi i inspektimit i pasluftës së viteve 1990 nuk ishte asgjë më pak se një sukses katastrofik. Të motivuar pjesërisht për t’u rikthyer në hiret e mira të Perëndimit, por edhe për të mos u kapur nga inspektorët ndërkombëtarë gjithnjë e më agresivë, në mesin e vitit 1991 togerët e Saddamit urdhëruan eliminim e plotë të programeve të armëve të Irakut të shkatërrimit në masë [WMD]. Por, ishte një çështje e fshehtë, e rastësishme, pa regjistrim, fotografim apo përkujtim tjetër të asaj që ishte bërë. Coll citon kreun e programit bërthamor të dështuar të Irakut, të ketë pranuar: “Nuk e dinim se çfarë u shkatërrua dhe çfarë jo”.

Kjo do të thotë se, kur inspektorët e ardhshëm të armëve erdhën për të kërkuar prova të çmontimit të WMD-së, Bagdadi nuk kishte prova. “Vendimi për të shkatërruar fshehurazi pjesë të mëdha të stoqeve dhe të infrastrukturës së armëve luftarake të Irakut, pa mbajtur të dhënat e duhura, rezultoi të jetë një nga ngjarjet më fatale në marshimin e Saddamit – dhe të Amerikës – drejt katastrofës”, argumenton Coll.

Narrativa e Collit është gjithashtu e mbushur me pamje të freskëta e të kundërta për atë që përndryshe duket si histori e etabluar, veçanërisht puna diplomatike e lavdëruar prej kohësh nga George HW Bushi për të krijuar një koalicion ndërkombëtar për të dëbuar Saddamin nga Kuvajti. Sipas Collit, pushtimi i Saddamit i vitit 1990 mund të ishte lidhje e shkurtë nëse Bushi do ta kishte bërë më të qartë se ofensiva e Bagdadit është e papranueshme. Në të vërtetë, zemërimi i Collit ndaj të Bushit të dytë – dhe nëpunësve si April Glaspie, atëherë ambasador i ShBA-së në Irak – me të vërtetë zhduket nga faqja: “Në ortekun e gabimeve që çuan në pushtimin amerikan të Irakut në 2003, dështimi i administratës së Bushit për ta penguar Saddam Husseinin nga pushtimi i Kuvajtit … del në pah”. Kur ishte në paraburgim nga ShBA-ja, më shumë se një dekadë më vonë, Saddami pyeti hetuesit: “Nëse nuk doje të hyja, pse nuk më the”?

Në fund të librit, pushtimi i vitit 2003 ndihet pothuajse si kod katastrofik, por i pashmangshëm. Historia e nxitimit për luftë e George W Bushit, është ritreguar më gjerësisht diku tjetër. Rrëfimi i Collit sjell nuanca të mirëseardhura duke treguar në detaje se si një Saddam i izoluar dhe paranojak ra në duart e ideologëve të Uashingtonit. Nga dështimi për të dënuar sulmet e 11 shtatorit e deri te supozimi se CIA duhet të ketë ditur që programet e tij për WMD-të ishin zhdukur prej kohësh, Saddami e bëri pothuajse shumë të lehtë – për kampin pro-luftës – përshkrimin për të si mbështetës të terroristëve dhe si kërcënim bërthamor për paqen botërore.

Ndoshta kështu donte Saddami. Gjëja e fundit që shohim për diktatorin irakian është “përmbledhja” e CIA-s, ku hetuesit amerikanë raportuan se ishte i qetë, madje edhe vetëkritik. Për Collin, thuajse e shihte veten si Napoleon modern, duke kaluar ditët e fundit të jetës në Shën Helenë e duke biseduar me rojet e burgut. Presidentët amerikanë që atëherë i kanë përjetuar pasojat. /Telegrafi/