LAJMI I FUNDIT:

Internet në çdo fshat të Kosovës – si u bë që të gjithë banorët të kenë qasje në botën digjitale?

Internet në çdo fshat të Kosovës – si u bë që të gjithë banorët të kenë qasje në botën digjitale?

Çdo ditë dëgjojmë diçka të re në lidhje me teknologjitë e reja digjitale dhe për premtimet të cilat vijnë bashkë me to. Bota digjitale mund të zgjidhë shumë probleme, diçka që e bënë shumicën e kohës.

Por ne shpesh harrojmë se miliarda njerëz nuk e kanë përdorur asnjëherë internetin. Por pse nuk kanë arritur ta bëjnë këtë? Për shkak se së pari ata kurrë nuk kanë pasur qasje në internet. Realiteti i tyre është i ndryshëm.


Shumica e njerëzve pa qasje në teknologjitë digjitale jetojnë në vende në zhvillim, ku interneti me shpejtësi të lartë është një privilegj i lokalizuar gjeografikisht, teksa vetëm pak mund ta përballojnë atë. Ata që jetojnë larg qyteteve – e që e kanë nevojën më të madhe të jetës digjitale – janë personat më të shkëputurit nga interneti. Edhe pse shumica e këtyre vendeve kanë disa lloje të programeve për adresimin e kësaj mangësie, vetëm disa prej tyre janë të suksesshme.

Por Kosova – një nga vendet më të varfra të Evropës – është një përjashtim. Në vitin 2018, ky vend me mbështetjen e Bankës Botërore nisi implementimin e projektit pesë-vjeçar “Kosovo Digital Economy Project” (KODE).

Qëllimi ishte i thjeshtë por i fuqishëm: të sigurojë që kosovarët të cilët jetojnë në cilëndo pjesë të vendit të kenë qasje të barabartë në mundësitë digjitale, qoftë ajo për punë, edukim, shërbime sociale ose argëtim. Projekti ka qenë i suksesshëm – sot, në vitin 2023, pothuajse çdo kush në Kosovë e përdorë internetin, dhe numri i abonentëve të shërbimeve fikse me brez të gjerë është një nga më të lartët në Evropë, shkruan Natalija Gelvanovska-Garcia specialiste e lartë e politikave të TIK në Bankën Botërore, përcjell Telegrafi

Programi ka tërhequr investime të sektorit privat nëpër fshatra, vende ku më parë vetëm pak kanë pasur guxim të investojnë. Tani banorët po kthehen nga qytetet nëpër fshatra për shkak se interneti atje është më i mirë – një tërheqje kjo e rëndësishme gjatë pandemisë COVID-19.

Lidhja e çdo fshati me internet

Me 21 mars 2023, Natalija Gelvanovska-Garcia thotë se ajo me veturë kishte shkuar në fshatin e largët dhe piktoresk të Herticës, në pjesën veri-lindore të Kosovës, për të marrë pjesë në një event ku shënohej një arritje e madhe, lidhja e fundit e një fshati të këtij vendi me internet të shpejtësisë së lartë. Ishte një ditë e ftohtë dhe me shi në Herticë, por se çdo banor i fshatit ishte i mbushur me gëzim dhe krenari. Fëmijët nga shkolla e zonës ishin duke vrapuar me bluza të zeza, ku shfaqej mbishkrimi “Kosovo Connected”, përderisa politikanët, udhëheqësit e fshatit dhe operatorët e internetit flisnin të gëzuar rreth kësaj arritje. Përfaqësuesit e Bankës Botërore dhe të qeverisë shtypën një buton të madh simbolik për të sjellë brezin e gjerë në fshatin e fundit në vend i cili nuk ishte i lidhur me internet.

Si e arriti Kosova lidhjen për të gjithë?

Projekti KODE ofroi pagesa të përputhshmërisë të granteve për operatorët e internetit për të ndërtuar rrjetet e tyre në fshatra të palidhur. “Përputhshmëria” nënkuptonte se nga ky grant mbulohej vetëm një pjesë e kostove – pjesa tjetër u pagua nga operatorët e internetit. Këtyre rrjete të bashkë-financuara u kërkohej që të ofrojnë internet me shpejtësi të lartë (100Mbps) tek çdo shtëpi, shkollë dhe qendër shëndeti. Ishin rregulluar edhe çmimet – ato duhej të ishin të njëjta me çmimet që ofroheshin edhe nëpër qytete. Qeveria u dha grante operatorëve të internetit të cilët kishin kostot më të ulëta për zgjidhjen e çështjes së rrjetit. Konkurrenca në fakt ishte e ashpër: Në Kosovë ka mbi 60 operatorë, shumica e të cilëve janë kompani të zonës. Njëzetenjë operatorë fituan të paktën nga një grant.

Fal kësaj konkurrence, pothuajse çdo grant ishte më i vogël se sa nga ishte planifikuar, duke çuar në një kursim prej 40 për qind. Gjithashtu, shumë grante u dhanë paralelisht, gjë që çoi më shpejt drejt ndërtimit të rrjetit. Teksa programi arrinte më shumë fshatra të largëta, qeveria ofronte grante më të mëdha për të arritur edhe më afër tyre – deri në 80 për qind më shumë. Në total, operatorët e internetit kontribuuan me 30 për qind të financimit të nevojshëm për të lidhur çdo fshat. Natalija shkruan se një operator i kishte thënë asaj se këto para ishin shpenzuar në mënyrë të duhur. Çdo grant kishte sjellë konsumator të ri, dhe kjo e bënte të mundur punësimin e më shumë njerëzve. Çdo punësim i tillë sjell një punë tjetër kualitative në zonat rurale të Kosovës dhe rrit ekonominë lokale.

Fshatrat e largëta lulëzojnë edhe më shumë pas qasjes në internet

Gelvanovska-Garcia shkruan se më parë kishte menduar se banorët e fshatrave nuk kishin nevojë qa të madhe për internet. “Por isha gabim”, vazhdon ajo tutje. Pothuajse çdo shtëpi në çdo fshat të shërbyer nga programi zgjodhi të abonohej në internet. Interneti i mirë është një shpëtim për industrinë e turizmit të zonës, sikurse edhe për çdo biznes tjetër të zonës. P

ër më tepër, lidhja me internet ishte thelbësore për popullatën në përgjithësi gjatë bllokimeve të COVID-19. Banorët patën mundësi të marrin shërbime sociale, të konsultohen me doktorët, dhe fëmijët arritën që të vazhdojnë edukimin nëpërmjet internetit. Tutje Natalia theksoi se kishte dëgjuar se njerëzit po ktheheshin në fshatra nga qytetet e mëdha për shkak se interneti në fshat kishte kualitet më të mirë – diçka që nuk e dëgjon edhe aq shumë.

Kur ajo kishte pyetur operatorët e internetit se çfarë e bëri programin të funksiononte, ata të gjithë thanë se kjo ishte e thjeshtë dhe e shpejtë. Ata ndër të tjera shtuan se për shkak se dizajni i projektit ishte bashkëpunues, ata të gjithë ndiheshin pjesë e tij. Të gjithë ndanë vërtet suksesin e tij. Konkurrenca dhe vendosjet paralele sollën efikasitet në proces. Këtë e bëri të mundur edhe ekipi i motivuar dhe i aftë në Ministrinë e Ekonomisë së Kosovës.

Tani vendi është i gatshëm që të lëvizë tutje në frontin digjital. Teknologjitë e reja për të cilat dëgjojmë çdo ditë tani do ta arrijnë çdo njeri në këtë vend të vogël në Ballkanin Perëndimor. /Telegrafi/