LAJMI I FUNDIT:

Zogu, pasi plagoset nga Beqir Valteri: Qetësi, këto ngjarje kanë ndodhur edhe më parë!

Zogu, pasi plagoset nga Beqir Valteri: Qetësi, këto ngjarje kanë ndodhur edhe më parë!
Leja e hyrjes së Beqir Valterit në Kuvendin Kushtetues, administruar në dosjen hetimore kundër tij, e cila ruhet në AQSh

Nga: Kastriot Dervishi

Kuvendi Kushtetues u çel më 21 janar 1924, por deri në atentatin e 23 shkurtit 1924 nuk ishte zgjedhur kryesia e tij. Pasi u mor vesh se Ahmet Zogu do krijonte një shumicë të re në koalicion me indipendistët e Iljaz Vrionit, opozita e drejtuar nga Avni Rustemi mendoi ta vrasë nëpërmjet një atentati. Në atë kohë, tri institucione ishin në një seli, shtëpinë e Zija Toptanit (sot Akademia e Shkencave). Në katin e parë ishte Këshilli i Ministrave e Ministria e Punëve të Jashtme dhe në katin e dytë, me pamje nga lindja, selia e Kuvendit Kushtetues.


Në orën 14:30 të 23 shkurtit 1924, teksa Kuvendi po bisedonte për mënyrën e zgjedhjes së kryetarit të tij, kryeministri Ahmet Zogu, pas takimit me ministrin britanik në Shqipëri, kur ishte në mes të korridorit u qëllua nga prapa shpine nga Beqir Valteri (i cili ishte maskuar sikur po lexonte gazetën te parmakët e shkallëve të katit të dytë), duke marrë plagë të lehta në dorën e majtë, në bark dhe në pulpën e këmbës së majtë. Duke kujtuar se plumbat erdhën nga deputetët, ai u fut në sallë me armë në dorë dhe i gjakosur, duke u ulur në vendin e sekretarisë. Një gjendje e tillë mund të sillte ndërlikime, pasi të gjithë deputetët ishin të armatosur. Vendin e kryesuesit të përkohshëm, Petro Poga, e zuri Iljaz Vrioni, ndërsa Ahmet Zogu i ftoi të pranishmit për qetësi pasi, sipas tij, “këto ngjarje kishin ndodhur edhe më parë”; ndërsa Ali Këlcyra, Selahudin Blloshmi e Qazim Koculi u ngarkuan të merrnin në dorëzim atentatorin kundrejt garancisë për jetën.

Kuvendi ngarkoi edhe një komision të përbërë nga Eshref Frashëri, Luigj Gurakuqi dhe Ali Këlcyra për të vizituar kryeministrin në shtëpi.

Atentati …
Lexo po ashtu Atentati …

Sipas Eqrem Vlorës, me përgatitjen e atentatit ishin marrë vetë drejtuesit e opozitës, të cilët e kishin stërvitur rregullisht Beqir Valterin, “për të bërë vrasjen atdhetare”. Sipas kujtimeve të Veli Harshovës, Avni Rustemi kishte dashur ta bënte vetë vrasjen e Zogut, por nuk dëshironte t’i vendoste vetes edhe një vrasje të dytë.

Më 24 shkurt 1924, kryeprokurori Avni Dabulla dhe pyetësori i qendrës Avni Drrasa, shkuan në banesën e Ahmet Zogut për t’i bërë disa pyetje. Zogu shprehej se Beqir Valterin e njihte prej 2-3 vjetësh. I kishte dhënë atij dy mijë lireta xhepi për të shkuar në shkollë në Itali dhe pasi e përjashtuan e çoi në Liceun e Korçës. Atje Valteri ishte zënë me drejtorin e ishte kthyer në Tiranë, duke i kërkuar kryeministrit para të tjera. Zogu pohonte se nuk kishte asnjë armiqësi, por i kishte bërë vetëm të mira personit në fjalë. Sipas tij, ngjarja ishte “një komplot i gjerë”, në plan të të cilit kishte qenë vrasja e tij dhe nja dy deputetëve të tjerë, duke shtuar se për këtë çështje kishte dijeni kapiten Osman Gazepi të cilit atentatori ia kishte treguar vetë ngjarjen.

Beqir Valteri pohoi se bënte pjesë në një shoqëri që drejtohej nga Avni Rustemi, kishin anëtarë edhe në Romë, por trima nuk ishin. Këta i kishin thënë atij se nuk do të bënte më shumë se gjashtë muaj burg.

U ngrit në pushtet me gjak, e donin vdekjen e tij: Zogu shkaktoi 600 hasmëri, mbijetoi katër atentate
Lexo po ashtu U ngrit në pushtet me gjak, e donin vdekjen e tij: Zogu shkaktoi 600 hasmëri, mbijetoi katër atentate

Valteri pohonte se kishte dy muaj që vërtitej për të vrarë Zogun dhe se Avni Rustemi e kishte mbështetur në këtë veprim. Megjithatë, në dëshmitë vijuese paraqitet i çoroditur dhe kontradiktor.

Në pyetje u mor edhe Avni Rustemi, i cili pranonte njohjen e tij me Valterin, për të cilin kishte ndërhyrë te ministri i Arsimit. Kur u pyet për bashkëpunëtorët e Valterit, Rustemi mohoi çdo gjë duke thënë se ishte veprim vetjak i atentatorit dhe se nuk kishim të bënim me ndonjë komplot.

Sali Vuçiterni dëshmonte se ditën e vrasjes, Beqir Valteri ishte parë duke shëtitur në “Shallvare” me Avni Rustemin e Sali Hoxhën.

Gjykatësi hetues, Faik Monopati, mori në pyetje Beqir Valterit më 22 mars 1924, në ora 23:00. Për Avni Rustemin, Valteri thotë: “Por, megjithatë më tha: Ju jeni shpresa e kombit, nga ju varen të gjitha, bjeri”. “Ku t’i bie e pyeta? Rrugës unë thashë ma mirë në hotel ‘Internacional’”. Por, Avniu i ka thënë se atentati do ishte më mirë në Kuvend.

Për këto pohime, më 25 mars 1924 është pyetur sërish Avni Rustemi, por ky thekson “sëmundjen e nervave” të Valterit, “shpirtin e tij i nxehtë dhe kundërshtues kundra barbarizmës”.

I marrë në pyetje sërish, Ahmet Zogu këmbëngulte se kurrsesi nuk mund të ishte njeri i vetëm atentatori në planin e tij. Kur u pyet se kush mund të ishin shokët e Valterit, Zogu u shpreh se nuk mund të thoshte gjë dhe as pajtohej kjo gjë me dinjitetin e tij, të caktonte emra, por duhej të hetoheshin pikat që pasonin veprimtarinë: pse ishte larguar nga Liceu i Korçës, cilët persona i bënin shoqëri, nga i kishte marrë armët etj. Zogu sqaronte se ishte njohur një javë më parë për mundësinë e atentatit për ta vrarë brenda kuvendit. Nga kjo dëshmi, më 31 mars 1924 u pyet komisari Sadik Zharri. Ai thotë se e kishte informuar kryeministrin për atentatin. /Telegrafi/

(Artikulli është përshtatje nga tekstet në librat e Kastriot Dervishit, Historia e shtetit shqiptar 1912-2005, Tiranë 2006 dhe Plumba politikës, Tiranë 2009).