LAJMI I FUNDIT:

Votimi i Projektligjit për Rimëkëmbje, LVV: Është detyrë e Qeverisë që t’i ketë votat për miratim

Votimi i Projektligjit për Rimëkëmbje, LVV: Është detyrë e Qeverisë që t’i ketë votat për miratim

Kryesia e Kuvendit në mbledhjen e saj të fundit kishte vendosur që të mërkurën, më 11 nëntor të mbahet seanca ku pritet të hidhet në votim për lexim të dytë Projektligjin për Rimëkëmbjen Ekonomike.

Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Përparim Kryeziu në një përgjigje për Telegrafin ka thënë se është detyrë e Qeverisë që t’i ketë votat për miratimin e Projektligjit.


“Lëvizja Vetëvendosje pavarësisht faktit që e konsideron këtë qeveri jo të ligjshme, në të kaluarën ka përkrahur nismat ligjore, përkatësisht marrëveshjet ndërkombëtare në shërbim të luftimit të pandemisë COVID-19 dhe jo vetëm, për të cilat mbështetja e opozitë ka qenë e domosdoshme – duke qenë se votimi i marrëveshjeve ndërkombëtare kërkon mbështetjen e 80 e më shumë deputetëve. Për çdo dështim të nisma tjetra ligjore që kërkojnë shumicës e thjeshtë për miratim, pra pjesëmarrjen në votim të 61 deputetëve, çka përkon me minimumin e shumicës parlamentare të koalicionit qeverisës, para përgjegjësisë duhet të vihet koalicioni qeverisës përkatësisht qeveria, jo opozita përkatësisht LV. Ky është parimi bazë në demokracinë parlamentare dhe raportit të Qeverisë me Kuvendin. Që nga dita e parë e krijimit të kësaj qeverie, ajo ka qenë e paaftë që të dëshmojë shumicën e nevojshme për të plotësuar programin e saj qeverisës pasi që po e ka të pamundur që të miratojë nismat e saj ligjore – sikurse kjo për masat ekonomike. Është detyrë e Qeverisë që të ketë minimumin e shumicën parlamentare për gjatë gjithë kohës, pra 61 vota, jo vetëm në ditë e formimit të saj”, tha Kryeziu.

Sipas tij, kjo qeveri e ka bërë jofunksional Kuvendin e Kosovës.

“Kjo qeveri duke qenë pa legjitimitet e me një deputet tashmë në burg, e ka bërë jofunksional edhe Kuvendin e Republikës. Ajo edhe për këtë është përgjegjëse. Prandaj, edhe ekziston nevoja e domosdoshme që vendi të shkojë në zgjedhje ashtu që institucionet që dalin nga ato zgjedhje të jenë me legjitimitet të plotë e plotësisht funksionale, si dhe të afta për të adresuar sfidat me pandeminë por jo vetëm”, shtoi ai.

Të premten e kaluar kishte dështuar të mbahet seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit, ku ishte paraparë të hidhet në votim ky Projektligj.

Seanca kishte dështuar në mungesë të kuorumit.

“Nuk ka kuorum për mbajtjen e kësaj seance. Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi duke marrë parasysh zhvillimet politike në vend, ka kërkuar që kjo seancë të shtyhet për datën 11 nëntor 2020”, kishte thënë nënkryetari i Kuvendit, Kujtim Shala.

Ndryshe, më 12 tetor, pas gjashtë dështimeve, Kuvendi i Kosovës me 64 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, kishte votuar në lexim të parë këtë Projektligj.

Nëse Projektligji siguron votat e nevojshme edhe në lexim të dytë, kryetarja e Kuvendit e nënshkruan dhe e dërgon tek Presidenti për shpallje. Ndërkaq, Presidenti ka afat tetë ditë për ta shpallur ose për ta kthyer atë për rishqyrtim në Kuvend.

Në dispozitat e këtij Projektligji është plotësimi dhe ndryshimi e disa ligjeve, me qëllim të rimëkëmbjes së ekonomisë së Kosovës pas efekteve negative të shkaktuara nga pandemia COVID-19. Ky do të mbetet në fuqi deri më 31.12.2021. Pas kësaj date, të gjitha dispozitat e këtij Ligji do të shfuqizohen në mënyrë automatike.

Me anë të këtij Projektligji parashihet zbatimin e Pakos së Rimëkëmbjes Ekonomike në vlerë prej 365 milionë euro. /Telegrafi/