LAJMI I FUNDIT:

Shuarja e AKP-së, reduktimi i shtesave për pensionistët dhe votimi për heqjen e homologimit – disa nga vendimet në 100 ditëshin e Qeverisë Kurti

Shuarja e AKP-së, reduktimi i shtesave për pensionistët dhe votimi për heqjen e homologimit – disa nga vendimet në 100 ditëshin e Qeverisë Kurti

Qeveria e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti gjatë kësaj jave i bënë 100 ditë prej se është votuar në Kuvendin e Kosovës.

Prej kur mori detyrën, ekzekutivi mbajti gjithsej 17 mbledhje qeveritare, ku në takimin e 11-të të saj kishte miratuar Programin Qeverisës, derisa ende nuk e ka miratuar Planin e Punës, shkruan Telegrafi.

Menjëherë pas marrjes së detyrës si kryeministër, Kurti me anë të një letre që i ka dërguar ish-kryetarit, anëtarëve të Bordit dhe drejtorit menaxhues të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, ka kërkuar që të mos marrin vendime që kanë të bëjnë me privatizimin.


Kurti në letrën që kishte siguruar Telegrafi, shkruhet se duhet të pezullohet çdo veprim që ka të bëjë me tjetërsimin apo çfarëdo veprimi tjetër që lidhet me të ardhmen e ndërmarrjeve shoqërore.

“Kërkoj nga Agjencia Kosova e Privatizimit (AKP) që të pezulloni deri në komunikimin tonë të ardhmen çdo vendimmarrje që ka të bëjë me privatizimin, tjetërsimin dhe çfarëdo veprimi tjetër që lidhet me të ardhmen e ndërmarrjeve shoqërore, siç janë edhe qiradhëniet apo shitjet pa tender publik. Po ashtu, kërkoj që të pezulloni çdo vendimmarrje te ndërmarrjet shoqërore që janë të privatizuara në kushte e që janë akoma nën administrimin e AKP-së”, ka kërkuar Kurti.

Kurti i dërgon letër AKP-së: Mos merrni asnjë vendim që ka të bëjë me privatizimin [Dokument]
Lexo po ashtu Kurti i dërgon letër AKP-së: Mos merrni asnjë vendim që ka të bëjë me privatizimin [Dokument]

Dy muaj pas marrjes së mandatit, Qeveria e Kosovës kishte iniciuar në Kuvend kërkesën për shkarkimin e Bordit të AKP-së, gjë që gjatë fushatës zgjedhore, Kurti kishte thënë se synon të shuajë aktivitetin e AKP-së, duke kaluar asetet e kësaj agjencie në pronësi të Fondit Sovran, që pritet të formohet.

Me 65 vota për, dy kundër dhe asnjë abstenim, deputetët e Kuvendit morën vendim që ky Bord të mos vazhdoj më punën.

“Pse duhet të shuhet AKP-ja, sepse duhet të ndërtohet Fondi Sovran, nuk mundemi mi pas të dyja. Për ta shuar AKP-në duhet ta shkarkojmë bordin. Kuvendi ngarkon, Kuvendi shkarkon, AKP-ja shuhet dhe ngritët Fondi Sovran”, ishte shprehur Kurti gjatë diskutimit në Kuvendin e Kosovës, përcjell Telegrafi.

Kuvendi shkarkon Bordin e AKP-së
Lexo po ashtu Kuvendi shkarkon Bordin e AKP-së

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e tetë kishte marr vendim që të rris vlerën prej 10 euro të pensioneve bazë për tre muajt e ardhshëm, por ta largoj shtesën prej 30 euro që ishte marr nga Qeveria e udhëhequr nga Avdullah Hoti.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati ka njoftuar se pensionet të cilat janë nën vlerën e 100 eurove, do të bëhen 100 euro për tre muajt e ardhshëm, ndërkaq familjet me asistencë sociale do të marrin nga 30 për qind të ndihmës aktuale.

“Vendimi i tretë është për vazhdimin e mbështetjes në skemat sociale, që vlejnë për prill, maj dhe qershor, ku bëhet fjalë për familjet që janë pranues të asistencës sociale, të cilët do të marrin 30 për qind shtesë, mbi shumën qe e pranojnë normalisht. Te skemat pensionale do të bëjmë subvencione që për të gjitha pensionet të cilët janë nën 100 euro do të bëhet pra 100 euro”, kishte bërë të ditur Murati.

Në janar të këtij viti, ish-Qeveria e udhëhequr nga Avdullah Hoti kishte vendosur të paguante 30 euro shtesë mbi pensionin bazë për pensionistët për tre muajt pasues. Pra, shumica e pensionistëve nga 90 euro kanë marrë 120 euro me vendim të Hotit.

Tani e tutje, kjo kategori e pensionistëve do të marrin vetëm 100 euro nga 120 sa kanë marrë paraprakisht.

Qeveria zvogëlon shtesën prej 30 euro për pensionistët, nuk preket pensioni bazë
Lexo po ashtu Qeveria zvogëlon shtesën prej 30 euro për pensionistët, nuk preket pensioni bazë

Deputetët, në javën e parë të muajit maj, me 61 vota për kanë miratuar rekomandimet e Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti lidhur me propozimin që Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës (KOSTT) që të marrë përgjegjësinë për pagesën e rrymës për serbët në katër komunat veriore.

Sipas këtij vendimi, për këto komuna në veri të Kosovës janë ndarë 11 milionë euro për pagesën e rrymës.

Pas këtij vendimi, i menjëhershëm kishte qenë reagimi i opozitës.

Partia Demokratike e Kosovës ka akuzuar Qeverinë Kurti se në kundërshtim me zotimet e saj ka miratuar këtë vendim, duke shtuar se e njëjta Qeveri kishte anuluar shtesat prej 30 eurove për pensionistët.

Për Lidhjen Demokratike e Kosovës, kjo qeveri po ndërmerr veprime të cilat i kishte kundërshtuar si opozitë.

Ndërsa në reagimin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës thuhet se 11 milionë euro është shuma të cilën duhet ta paguajnë̈ shumica e qytetarëve të Kosovës, për një pakicë e cila vet dhe në bashkëpunim me Serbinë̈, sfidon institucionet tona.

Kuvendi voton ndarjen e 11 milionë eurove për pagesën e rrymës në veri
Lexo po ashtu Kuvendi voton ndarjen e 11 milionë eurove për pagesën e rrymës në veri

Më shumë se një muaj pas fillimit të punës, përkatësisht në mbledhjen e saj të 11-të, Qeveria Kurti kishte miratuar Planin Qeverisës për vitet 2021 – 2025.

Për sa i përket zhvillimit ekonomik, Programi parasheh krijimin e Fondit Sovran, shuarjen e Agjencisë Kosovare të Privatizimit, mos ndërtimi i Autostradës së Dukagjinit, ridizajnimi i politikave fiskale, qëndrueshmëria e financave publike dhe formalizimi i ekonomisë.

Po ashtu, Qeveria ka paraparë edhe rritjen e pagës minimale në 250 euro si dhe ngritjen e pragut të pagës që nuk tatimohet në nivelin e kësaj page.

Qeveria thotë se do ta krijojë Agjencinë Zhvillimore, si mekanizëm për udhëheqjen e politikave nëpërmjet ministrive dhe agjencive të pavarura.

“Për arritjen e prioriteteve zhvillimore të përcaktuara në Strategjinë Kombëtare për Zhvillim, do të krijojmë Agjencinë Zhvillimore, si një mekanizëm për udhëheqjen e politikave zhvillimore ndërmjet ministrive dhe agjencive të pavarura. Për më tepër, Agjencia do të mbështesë sektorin privat dhe publik në arritjen e synimeve strategjike zhvillimore, nëpërmjet rritjes së kapaciteteve të biznesit vendor, promovimit dhe rritjes së investimeve të jashtme dhe rritjes së eksportit”, parasheh Qeveria, përcjell Telegrafi.

Në Programin Qeverisës parashihet edhe themelimi i Bankës Zhvillimore.

“Banka Zhvillimore do të jetë mekanizëm për mbështetjen e sektorit privat dhe promovimin e investimeve. Ajo do të jetë komponenti kreditues, që do të financohet nga paratë publike dhe shitja e letrave të borxhit, duke investuar në degë të caktuara të industrisë, që krijojnë vende pune dhe përmirësojnë bilancin tregtar”, tregohet në program.

Në plan janë përmendur edhe disa projekte infrastrukturore, por që nuk është paraparë edhe ndërtimi i Autostradës së Dukagjinit.

“Krijimi i sistemit të integruar për transportin rrugor mundëson lidhje më të mirë dhe më të shpejtë mes rajoneve brenda vendit dhe jashtë saj. Për të arritur këtë, do të përfundojmë projektet ekzistuese infrastrukturore, si ndërtimin e segmentit të autostradës Besi-Merdare dhe autostradës Prishtinë-Gjilan, zgjerimi i rrjetit ekzistues rrugor Prishtinë-Mitrovicë dhe autoudhën Kijev-Zahaq, do të zbatojmë projektet e reja si zgjerimi i rrugëve nacionale Istog-Pejë-Deçan-Gjakovë-Prizren, përfshirë rrugët qarkore, rehabilitimin e rrugëve kombëtare Qafë Duhël-Shtime-Ferizaj, që lidhet me autostradën Prishtinë-Shkup, si dhe ndërtimi i rrugëve kufitare Deçan-Plavë, Prizren-Tetovë dhe Gjilan-Kumanovë”, thuhet në planin e Qeverisë.

Në Programin Qeverisë për vitet 2021-2025, zhvillimi i industrisë, ndërmarrësisë, tregtisë, turizmit, bujqësisë, pylltarisë dhe zhvillimit rural.

Më 8 qershor, Qeveria e Kosovës ka marr vendim që të filloj rimbursimin e mjeteve të tërhequra nga 10-përqindëshi i Fondit për Kursime Personale (Trusti).

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati gjatë propozimit të vendimit kishte thënë se pagesat do të fillojnë nga viti 2023.

“Propozimi në fjalë rrjedh nga Ligji për Rimëkëmbje Ekonomike. Përmes një metodologjie do të përcaktohet se si do të paguhen këto mjete. Rimbursimi do të filloj nga viti 2023”, ishte shprehur Murati, përcjell Telegrafi.

Tërheqja e këtyre mjeteve është garantuar me Ligjin për Rimëkëmbjen Ekonomike, i votuar në Kuvendin e Kosovës si ndihmë për periudhën e pandemisë COVID-19.

Me ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Fondin Pensional, Qeveria e Kosovës kishte paraparë kompensimin e mjeteve të tërhequra në vlerë nën 10 mijë euro.

Aplikimi për tërheqjen e 10 përqindëshit kishte filluar më 11 dhjetor 2020, ndërsa kishte përfunduar më 6 prill 2021.

Qeveria merr vendim që rimbursimi i 10 përqindëshit të tërhequr nga Trusti të fillojë nga viti 2023
Lexo po ashtu Qeveria merr vendim që rimbursimi i 10 përqindëshit të tërhequr nga Trusti të fillojë nga viti 2023

Me 70 vota për deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar në parim Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Automjete, që parasheh heqjen e homologimit.

Në hyrje të seancës, ushtruesja e detyrës së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila tha se që nga viti 2009 ka pasur padrejtësi dhe se ka qenë në kundërshtim me rregullat e tregut të lirë.

Me këtë vendim i është hapur rruga largimit të homologimit si detyrim për veturat që importohen nga vendet e Bashkimi Evropian, Zvicra dhe Norvegjia.

Çfarë parasheh Projektligji për heqjen e homologimit të automjeteve në Kosovë?
Lexo po ashtu Çfarë parasheh Projektligji për heqjen e homologimit të automjeteve në Kosovë?

Në ditën kur Qeveria Kurti kishte mbushur 90 ditë, në mbledhjen e saj të radhës kishte marr vendim që ta mbuloj pagesën e polisës kufitare për mërgatën.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati në arsyetimin e këtij vendimi tha se nga 1 korriku Qeveria do ta merr përsipër që të mbulohet ky shpenzim.

“Ky vendim na hap rrugën që së bashku me BQK dhe BSK e marrim përsipër që Qeveria ta mbulojmë këtë pagesë. Mbulimi do të filloj nga 1 korrik. Është një mbulim i përkohshëm. Kosova duhet të gjejë një zgjedhje që të anëtarësohet në Kartonin e Gjelbër”, ishte shprehur Murati.

Qeveria e Kosovës merr përsipër pagesën e polisës kufitare për diasporën
Lexo po ashtu Qeveria e Kosovës merr përsipër pagesën e polisës kufitare për diasporën

Ndërsa, Qeveria e Kosovës në mbledhjen e saj të fundit ka miratuar Projektligjin e Buxhetit të Rishikuar për vitin 2021, ku paraprakisht disa nga ministrat patën kërkesa specifike lidhur me këtë buxhet.

Buxheti i rishikuar për 2021 është mbi 2.5 miliardë euro. /Telegrafi/