Serbia planifikon të ndryshojë statusin e të ashtuquajturës Qendra Humanitare serbo-ruse (SRHC) në Nish, që do të ishte hapi i parë drejt shfuqizimit të organizatës, e cila ka qenë objekt polemikash që nga themelimi i saj.

Siç shkruajnë mediet serbe, ky vendim, që duhet të merret zyrtarisht nga qeveria e re, e cila vjen pas kërkesave ndaj vendit për t’u harmonizuar me politikën e jashtme evropiane, duke i vendosur sanksione ekonomike Rusisë, por edhe të ndërpresë bashkëpunimin me rusët që gjenden në SRHC.

Qendra, e cila u themelua në vitin 2012, e që thuhet se ka për qëllim intervenimet në rast të fatkeqësive dhe emergjencave natyrore, qysh në fillim është përcjellë me polemika dhe akuza lidhur me synimin e vërtetë të kësaj, ku për funksion ka spiunazhin.

Në të njëjtën kohë, ka kërkesa për shfuqizimin e SRHC-së, të cilat janë intensifikuar sërish për shkak të agresionit rus në Ukrainë. Mesazhet e fundit erdhën nga Parlamenti Evropian, ku në Projektrezolutën për Serbinë, kërkohet ndërprerja e “çdo bashkëpunimi ushtarak me Rusinë, siç është Qendra rajonale Humanitare në Nish”. Kërkesa të ngjashme kanë ardhur edhe nga opozita serbe, por edhe nga individë të koalicionit qeverisës.

Zyrtarët evropianë prej muajsh e kanë paralajmëruar Beogradin se Serbia, si vend kandidat, duhet të ndjekë politikën e jashtme të BE-së dhe të vendosë sanksione ndaj Rusisë për shkak të luftës në Ukrainë.

​Deputetët e Parlamentit Evropian kërkojnë mbylljen e të ashtuquajturës 'Qendra Humanitare Serbo-Ruse në Nish' ​Deputetët e Parlamentit Evropian kërkojnë mbylljen e të ashtuquajturës 'Qendra Humanitare Serbo-Ruse në Nish'

Igor Novakoviq, drejtues i hulumtimeve në Qendrën për Çështjet Ndërkombëtare dhe të Sigurisë (ISAC) thekson se asnjë shtet anëtar nuk ka një institucion të ngjashëm siç është SRHC-ja.

Ai thotë gjithashtu se opsioni i shfuqizimit të Qendrës duket i mundshëm sepse objekti nuk ka funksionuar siç ishte paralajmëruar për vite me radhë.

Analisti ushtarak Aleksandar Radiq shprehet se në rrethanat aktuale ndërkombëtare, heqja e SRHC-së është çmimi më i ulët që Qeveria e Serbisë mund ta paguajë për të treguar gatishmërinë për bashkëpunim me Perëndimin.

“Qendra ka qenë gjithmonë nën hijen e këtyre trazirave mes Rusisë dhe Perëndimit”, shprehet Radiq.

Sipas tij, mbyllja e SRHC-së do të ishte një skenar real, para së gjithash sepse Qendra nuk e përmbush detyrën bazë për të cilën është krijuar.

Qendra Humanitare në Nish në shërbim të shërbimit sekret të Rusisë Qendra Humanitare në Nish në shërbim të shërbimit sekret të Rusisë

SRHC si qendër e spiunazhit dhe propagandës ruse

Një nga të paktët zyrtarë të koalicionit qeverisës që kërkon publikisht mbylljen e Qendrës është Dragan Shormaz nga partia SNS që drejtohet nga Aleksandar Vuçiq.

Shormaz ende nuk ka marrë përgjigje nga autoritetet ekzekutive për thirrjet e tij për ta bërë këtë. Ai vlerëson se SRHC-ja në fakt është një qendër spiunazhi dhe e propagandës ruse për zhvillimin e një lufte hibride në Serbi.

SRHC në fillim të vitit ka marrë një tjetër parcelë në shfrytëzim nga qyteti i Nishit, në të cilin, sipas njoftimeve nga Qendra, do të vendosen simulatorët më modernë, të cilët do të sillen nga Rusia. Toka ndodhet pranë Aeroportit “Konstandini i Madh”.

Zgjerimi i Qendrës përkon me deklaratën e fundit të ministrit rus të Mbrojtjes Civile se ai vend do të vazhdojë të zgjeroj objektin në Nish.

Statusi special dhe imuniteti diplomatik?

E ashtuquajtura Qendra Humanitare ruso-serbe në Nish është në pritje të statusit diplomatik që nga viti 2014 dhe pikërisht kjo kërkesë e palës ruse çoi në tensione diplomatike midis Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për qëllimin e vërtetë të SRHC-së si “biznes spiunazhi”.

Në vitin 2017, zyrtari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, i ngarkuar me Evropën dhe Euroazinë, Brian Hoyt Yee kishte shprehur shqetësimin se Qendra mund të shndërrohet në një “spiun” dhe se Serbia, nëse i jepet statusi diplomatik, mund të humbasë kontrollin mbi një pjesë të territorin e saj.

SRHC-ja u krijua në prill të vitit 2012 në bazë të një marrëveshjeje ndërmjet qeverive të Serbisë dhe Rusisë, e nënshkruar në Nish nga ministri i atëhershëm i Brendshëm, Ivica Daçiq dhe ministri rus i Situatave Emergjente, Sergei Shoigu.

Sipas dispozitave, marrëveshja zgjatet automatikisht për pesë vjet, përveç nëse njëra palë, gjegjësisht Qeveria e Rusisë ose e Serbisë, nuk e njofton tjetrën për qëllimin e saj për ta ndërprerë, së paku gjashtë muaj para skadimit të afatit të vlefshëm. /Telegrafi/