LAJMI I FUNDIT:

Mbahet Samiti i Beçiqit për stabilitetin financiar dhe monetar – diskutohet për kushtet dhe rreziqet gjeopolitike të Ballkanit Perëndimor

Me partneritet të Ministrisë malazeze të Financave, Doganës e Tatimeve dhe Bankës Qendrore është mbajtur Samiti i edicionit të 9-të i ministrave të Financave, guvernatorëve të bankave qendrore dhe drejtorëve të administratave tatimore të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Stabiliteti financiar dhe monetar i rajonit në kushte të rreziqeve të theksuara gjeopolitike, ishte tema kryesore e këtij samiti treditor që është mbajtur në Beçiq të Malit të Zi.


Presidenti i Asociacionit të Ekonomistëve serbë, Aleksandar Vlahoviq në hyrje të samitit përmendi vështirësitë që ka kaluar rajoni gjatë kësaj periudhe.

Kurse, shefi i Përfaqësisë Rajonale të Bankës Evropiane për Investime, Alessandro Bragonzi tha se kriza aktuale mund të përballohet duke rritur investimet në inovacion dhe në aftësitë në tregun e punës.

Sipas tij, BEI ka miratuar pako të posaçme që nxisin dhe financojnë investimet në sektorët e teknologjisë, mjedisit dhe energjisë.

Paneli i ministrave të Financave të vendeve të rajonit në Samitin e Beçiqit

Në panelin e diskutimit, ministrja shqiptare e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj tha se ekonomia e vendit pritet që të ngadalësohet vitin që vjen, por sipas saj Shqipëria nuk pritet që të shkojë në recesion.

“Deri tani jemi ende në një moment të mirë ekonomik. Të ardhurat po rriten, punësimi po përmirësohet. Kemi frikë se në pjesën e mbetur të vitit dhe vitin tjetër, do të ketë ngadalësim të aktivitetit ekonomik, por ende besojmë se nuk do të ketë recesion”, tha Ibrahimaj.

Në fund të panelit, drejtoresha e zyrës së FMN-së për Ballkanin Perëndimor, Stephanie Verena Eble duke prezantuar të dhënat për vendet e rajonit theksoi se progresi ekonomik është ngadalësuar në të gjithë botën.

Eble ka sugjeruar që duhet të ketë një bashkëpunim i fortë i politikës fiskale dhe asaj monetare nga vendet e rajonit.

“Tensionet që burojnë nga kriza e luftës në Ukrainë kanë dobësuar më tej zinxhirët e furnizimit dhe kanë dobësuar aktivitetin ekonomik. Për këtë arsye, inflacioni në vendet e Ballkanit Perëndimor u rrit në nivele të larta”, tha Eble.

Pjesëmarrësit në Samitin e Beçiqit

Po ashtu, në këtë samit u tha se buxhetet janë pasuruar me 85 milionë euro falë parandalimit të kontrabandës me cigare.

“Hapi i radhës vendimtar për suksesin e kësaj fushate është vazhdimi i kësaj lufte çdo ditë dhe që cigaret e sekuestruara të asgjësohen, që të mos kthehen më në kanalet kriminale. Japan Tobacco International mbështet përpjekjet e qeverive të rajonit në luftën vendimtare kundër tregtisë së paligjshme të duhanit dhe produkteve të duhanit dhe u kërkon të gjitha vendeve të rajonit të këmbëngulin në këtë luftë, duke punuar së bashku dhe me palët e interesuara në industri, për të mirën e qytetarëve të saj”, tha Goran Pekez, shef për Çështje të Korporatave dhe Komunikimi në JTI Adriatica.

Kosova kishte pranuar thirrjen me fusnotë për pjesëmarrjen në Samitit të Beçiqit, mirëpo, përdorimi i saj ka bërë që guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Fehmi Mehmeti dhe drejtori i Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), Ilir Murtezaj të refuzojnë pjesëmarrjen në këtë samit.

Në një nga panelet ishte pritur të diskutojnë ministrat e Financave të shteteve të rajonit, por në listën e të ftuarve mungon emri i ministrit Hekuran Murati.

Vendi ynë kishte marrë pjesë në edicionet e kaluara. Kujtojmë se fusnota përdoret për ta paraqitur mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës nga ana e Serbisë dhe pesë shteteve anëtare të BE-së. /Telegrafi/