LAJMI I FUNDIT:

1 Maji, Kurti thërret për solidaritet dhe organizim sindikal

1 Maji, Kurti thërret për solidaritet dhe organizim sindikal

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, ka treguar për rezultatet e qeverisjes së tij në ekonomi, punësim dhe ngritjen e pagave. Ai gjithashtu ka folur për organizimin sindikal dhe ndryshimin e Ligjit të Punës dhe Punësimit.

Kurti, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se “gjatë 12 muajve të fundit kemi dëshmuar kujdes të shtuar për gjendjen e punëtorëve në shoqërinë tonë. Inspektorati Qendror i Punës për të mbikëqyrur të drejtat e punëtorëve në vitin 2023, në krahasim me vitin 2020, ka trefishuar numrin e inspektimeve, duke realizuar 8,114 inspektime. Kemi dyfishuar buxhetin për Inspektoriatin i cili përgjatë viteve 2022 dhe 2023 përmes procedurave të rekrutimit ka dyfishuar numrin e inspektorëve të punës. Sivjet numri i inspektorëve arrin në 150 duke përmbushur kësisoj premtimin tonë për pesëfishim të numrit të inspektorëve të punës”.


“Filluam mandatin me masa që nxisin deklarimin e punëtorëve sikurse masa 1.2 e Pakos së Ringjalles Ekonomike. Sepse një punëtor i padeklaruar e pa kontratë, nuk mund të kërkojë as realizimin e të drejtave që i takojnë. E punën për deklarimin e punëtorëve e intensifikuam me nisjen e inspektimeve të përbashkëta të Inspektoratit të Punës dhe Administratës Tatimore të Kosovës ku vetëm dy muajt e parë janë deklaruar mbi 10 mijë punëtorë. Në proces është edhe rregullimi i deklarimit të punëtorëve sezonalë dhe në sektorin e amvisërisë, problem ky disa vjeçar, duke u siguruar kështu që të kemi pagesë të kontributeve pensionale dhe trajtim të dinjitetshëm në të gjithë sektorët e ekonomisë”, ka shkruar Kurti, transmeton Telegrafi.

Më tej, Kurti ka thënë se Qeveria që ai drejton ka ndërmarrë një sërë masash të punësimit të cilat rezultuan në shtim të punësimit për 70 mijë vende pune në tri vitet e para të qeverisjes.

“E krahas masave për punësim, morëm edhe masa për rritjen e pagave. Në sektorin privat subvencionuam rritjen e pagës për 17 mijë punëtorë, kurse në sektorin publik vitin e kaluar ngritëm pagat për 17% mesatarisht e sivjet edhe për 5% tjera. Për rreth 100 mijë punëtorë të sektorit privat miratuam edhe projektligjin që mundëson rritjen e pagës minimale, dhe zbatimi do të fillojë sapo ligji i votuar në Kuvend të Republikës të zhbllokohet nga Gjykata Kushtetuese”.

Kurti ka thënë se “Agjendën e mbrojtjes së të drejtave të punëtorëve dhe punësimit do ta pasurojmë me ndryshimin e Ligjit të Punës dhe Punësimit përmes së cilave do të sigurojmë më shumë të drejta e më shumë mundësi për punësim dinjitoz”.

“Sot është dita kur duhet të tregojmë aktualisht por edhe të përkujtojmë punëtorët historikisht. Në antikitet dhe mesjetë nganjëherë caktoheshin ditët e lira për punëtorët dhe zejtarët. Gjatë Revolucionit Francez një ditë pune e muajit shtator u caktua si ditë feste. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për shumë gjenerata 4 Korriku u festua edhe si Dita e Punës. Kjo praktikë filloi në vitin 1790 kur disa sindikata u bashkuan zyrtarisht me Shoqëritë Jeffersoniane Republikane-Demokratike që luftonin tendencat aristokrate të kohës. Të punësuarit besonin që vetëm duke u bashkuar përmes solidaritetit ashtu siç kishin bërë 13 kolonitë ata do të fitonin fuqinë kolektive për t’i tejkaluar sfidat drejt një të ardhme më të mirë. Në vitet 1820-1830, festimi i 4 Korrikut si ditë e punëtorëve u bë traditë – përmes saj synohej kompletimi i ngjarjes së Ditës së Pavarësisë më 1776, bashkim pra edhe në vendin e punës, dhe kundër tendencave të vjetra të punëdhënësve që trajtonin punëtorin si shpenzim që duhet kontrolluar. Festimi i 4 Korrikut si ditë e punëtorëve në këtë dritë zgjati deri më 1880 kur doli ngjarja e 1 Majit dhe Dita e Punëtorit”, ka shkruar kryeministri.

Ai ka thënë se është me rëndësi të kujtohet që punëtorët asokohe nuk gëzonin trajtimin njerëzor që e kanë sot.

“Punohej nga 10 deri në 16 orë në ditë, për shtatë ditë gjatë javës. Vendi i punës ishte i rrezikshëm e nuk ofrohej kurrfarë mbrojtje. Pagesa për punën e bërë ishte shumë e ulët. Ndryshimet që erdhën më vonë nuk erdhën si pasojë e gjenerozitetit të punëdhënësve ndaj punëtorëve. Ndryshimet erdhën përmes organizimit të punëtorëve të cilët punuan shumë dhe kaluan përplot sfida për t’u bashkuar e për të fituar aleatë në betejën e tyre për më shumë të drejta. Në këtë sekuencë kujtojmë rezistencën e punëtorëve në Çikago të cilët me 1 Maj 1886 hynë në grevë të përgjithshme me kërkesën për orarin 8 orësh të punës, kërkesë kjo që shihej si diçka absurde asokohe por që tashmë ishte bërë pjesë e një lëvizje botërore të punëtorëve. Greva kulmoi me ngjarjen në sheshin “Haymarket” në Çikago ku u vranë punëtorë e policë dhe u plagosën mbi 200 persona. Nga kjo ngjarje 1 Maji festohet botërisht si dita e punëtorëve”.

“1 Maji na mëson se vetëm të bashkuar në shoqëri dhe në vendin e punës mund t’i sigurojmë të drejtat tona e të punojmë për një të ardhme prosperuese për të gjithë. Ky mësim është i vlefshëm sidomos sot marrë parasysh makro agresionin në botë me pandemi, luftë, autoritarizma në ngritje dhe kriza ekonomike. Megjithëkëto, mikro agresioni i çështjeve të tjera që në përditshmëri prekin jetën dhe punën e punëtorit ka tendencë të shtyhet e të lihet anash dhe kjo nuk bënë të ndodhë. E shohim edhe në vendin tonë, nga njëra anë i jepet hapësirë dhe provohet të projektohet një interesim për çështje që lidhen me gjeopolitikë dhe fqiun autokratik, kurse në anën tjetër lufta e punëtorëve në sektorin privat kundër punëdhënësve oligark nuk paraqitet, shtypet e ndrydhet dhe mbahet qëllimisht e heshtur. Punëtorët në sektorin privat duhet të jenë në solidaritet me njëri-tjetrin dhe të organizohen nëpër sindikatat e tyre. Ne duhet të jemi aleatët e tyre të besueshëm e të gatshëm. Vetëm të bashkuar, me sindikata të fuqishme dhe me mbështetje të gjerë shoqërore dhe institucionale zmbrapsen tendencat e punëdhënësve oligark për të shfrytëzuar dhe heshtur punëtorët. Më shumë bashkim, më shumë organizim, më shumë fuqi!”, ka shkruar Kurti. /Telegrafi/