Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, ka kritikuar Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) për mënyrën se si, sipas tij, po trajtohen produktet vendore të qumështit.

Në një konferencë për media, Rafuna ka thënë se prodhuesit vendorë po përballen me vështirësi të mëdha, ndërsa Kosova, sipas tij, është “mbytur” nga importi.


Ai ka kërkuar nga institucionet që të tregohen të kujdesshme me veprimet e tyre dhe të shmangin masat që mund të dëmtojnë imazhin e produkteve vendore dhe të krijojnë panik te konsumatorët.

“Është një situatë e padrejtë që po trajtohen prodhimet tona, për shkak se ky është një zinxhir i tërë që i përfshin. Ne gjithmonë kemi kërkuar që të mbështeten, edhe ashtu kemi pak prodhime që prodhohen në Kosovë dhe na ka mbytur importi. Nëse i krahasojmë me vitet e mëparshme, nga viti 2022 mbi 1 miliard është rritur importi, ndërsa eksporti ka mbetur në vlera të njëjta. Deficiti tregtar nga 18.6 për qind në 2022 është tkurrur në 14.4 për qind”, ka deklaruar Rafuna.

Ai u ka bërë thirrje institucioneve që të mos ndërmarrin veprime të cilat mund të dëmtojnë sektorin vendor.

“Kërkojmë me urgjencë nga institucionet e vendit, nga AUV-i, por edhe nga Ministria e Bujqësisë, që të mos marrin veprime që prishin imazhin dhe krijojnë panik te konsumatorët”, ka thënë Rafuna.

Sipas tij, prodhimet vendore përbëjnë një segment të rëndësishëm të ekonomisë së Kosovës dhe, përkundër konkurrencës së produkteve të importuara, ato kanë arritur të përmbushin standarde të larta.

“Produktet e Kosovës prodhohen me standarde më të larta, produkte që jam dëshmitar që i bëjnë konkurrencë produkteve që prodhohen që 100 vjet, jo vetëm në tregun rajonal, por edhe evropian. Nuk meritojnë këtë trajtim. Kërkojmë që të subvencionohen e të mbrohen. Janë një segment shumë i rëndësishëm ekonomik”, ka deklaruar ai.

Rafuna ka paralajmëruar edhe për pasojat që mund të ketë ndërprerja e prodhimit të qumështit në sektorin e punësimit dhe te fermerët.

Ai ka thënë se me ndalimin e prodhimit, mijëra punëtorë mund të mbesin pa punë, ndërsa pasoja të rënda mund të ketë edhe për fermerët, të cilët mund të detyrohen të humbin bagëtinë e tyre për shkak të mungesës së tregut për prodhimet e tyre.

Kryetari i OEK-ut ka theksuar gjithashtu se Kosova ka kapacitete për të eksportuar produktet e saj edhe në tregun e Bashkimit Evropian.

Megjithatë, sipas tij, AUV-i nuk ka dhënë ndihmën e nevojshme në procesin e certifikimit, në mënyrë që produktet kosovare të njihen dhe të mund të depërtojnë më lehtë në tregun evropian.

Rafuna ka kërkuar nga institucionet që, në vend të veprimeve që mund të dëmtojnë prodhuesit, të ofrojnë mbështetje më të madhe për sektorin vendor, përfshirë subvencionimin, mbrojtjen e prodhimit dhe krijimin e mundësive për eksport.