Të paktën 18 persona, kryesisht adoleshentë, kanë humbur jetën në një aksident të rëndë trafiku në veri të Egjiptit, pasi dy kamionçina që transportonin punëtorë bujqësorë u përplasën.

Aksidenti ndodhi në një rrugë në zonën e Ismailisë, pranë Kanalit të Suezit. Sipas raportimeve fillestare, në mesin e viktimave kishte edhe të mitur, ndërsa viktima më e re ishte 10 vjeç.


Ministria egjiptiane e Shëndetësisë fillimisht njoftoi se në aksident ishin përfshirë 47 persona dhe se rreth 30 kishin mbetur të lënduar. Autoritetet kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet dhe rrethanat e përplasjes.

Kamionçinat përdoren gjerësisht në Egjipt për transportimin e miliona punëtorëve informalë, përfshirë edhe të mitur. Automjetet shpesh janë të mbingarkuara dhe transporti i tillë konsiderohet veçanërisht i rrezikshëm.

Sipas burimeve lokale, punëtorët po udhëtonin drejt një ferme ku punonin. Shumë prej tyre vinin nga fshatra në deltën e Nilit, një zonë ku puna sezonale në bujqësi është e përhapur.

Aksidenti ka rikthyer vëmendjen te problemi i punës së fëmijëve në Egjipt. Sipas të dhënave zyrtare, në vend punojnë të paktën 1.3 milionë të mitur, ndërsa një pjesë e madhe e punësimit zhvillohet në ekonominë informale.

Sipas Organizatës Ndërkombëtare të Punës, ekonomia informale përbën rreth 67 për qind të punësimit në Egjipt dhe përfshin pothuajse të gjithë sektorin bujqësor. Vlerësohet se në vend punojnë nga 8 deri në 13 milionë punëtorë informalë, kryesisht në bujqësi, ndërtimtari dhe industri.

Aksidentet e rënda rrugore janë të shpeshta në Egjipt, ndërsa shpejtësia, kushtet e dobëta të rrugëve, automjetet e mbingarkuara dhe zbatimi i pamjaftueshëm i rregullave të trafikut përmenden shpesh si faktorë që kontribuojnë në to. /Telegrafi/