LAJMI I FUNDIT:

Lufta, identiteti, ironia: Si e ktheu agresioni rus, Evropën Qendrore në hartë?

Lufta, identiteti, ironia: Si e ktheu agresioni rus, Evropën Qendrore në hartë?

Nga: Jacques Rupnik / The Guardian
Përkthimi: Agron Shala / Telegrafi.com

“Je disident?”, e pyeti një gazetar Milan Kunderën, kur në mesin e viteve 1970 u internua nga vendlindja e vet Çekosllovakia, për në Francë. “Jo, jam shkrimtar”, u përgjigj autori i [romanit] Lehtësia e padurueshme e qenies. Jo se ishte indiferent ndaj halleve të atyre që kundërshtonin regjimin çek nga brenda, por ishte i kujdesshëm ndaj etiketës politike që do t’i ngjitej romanit dhe në përgjithësi letërsisë me mesazh, artit në shërbim të idesë politike.


Megjithatë, Kundera – i cili vdiq muajin e kaluar – ishte njeri i ideve të cilat në veçanti i eksploroi në esetë e veta, ku më me ndikim ishte Perëndimi i rrëmbyer: Tragjedia e Evropës Qendrore, botuar në Paris më 1983 dhe ribotuar në anglisht në fillim të këtij viti. Evropa Qendrore, argumentoi Kundera, “në aspektin kulturor i përkiste Perëndimit, politikisht Lindjes dhe gjeografikisht ishte në qendër”. Problemi i kombeve të vogla, midis Rusisë dhe Gjermanisë, ishte se ekzistenca e tyre nuk ishte “e vetëkuptueshme”, por mbeti e lidhur ngushtë me vitalitetin e kulturës së vet dhe historikisht e ndërthurur me atë të Perëndimit nga ku ishin “rrëmbyer” në vitin 1945.

Duke e vendosur Evropën Qendrore sërish në hartë, Kundera i sfidoi perceptimet e atëhershme të gabuara që mbizotëroni për rajonin, e që shiheshin vetëm përmes prizmit të epërsisë së ndarjes ideologjike Lindje-Perëndim. Kjo ese e rëndësishme, në vitet 1980 ndezi debatin në mbarë Evropën dhe kontribuoi në një ndryshim jo vetëm në vetëperceptimin e rajonit, por edhe për hartën mendore të Evropës Perëndimore në kontinent.

Elementi kyç i këtij ndryshimi ishte rizbulimi i trashëgimive të ndryshme kulturore të Evropës Qendrore. Por, çështja më e diskutueshme, në debatin e viteve 1980, kishte të bënte me marrëdhëniet e rajonit me Rusinë, që ishte – dhe mbetet – “përbërësi tjetër” i tij kryesor (Gjermania është tjetra), kundrejt së cilës u formuan kufijtë dhe identitetet e Evropës Qendrore.

Ilustrimi më domethënës i mënyrës se si identitetet kulturore u ndërthurën me ato politike (me jehonën e diskutimeve aktuale të postkolonializmit), mund të gjendet në një debat të paharrueshëm në Lisbonë në vitin 1988, ku përfshiheshin shkrimtarët nga Evropa Qendrore (duke përfshirë Czesław Miłosin dhe György Konrádin) dhe nga Rusia. Megjithëse Kundera fizikisht mungonte, eseja e tij ishte pjesë e madhe e debatit. Joseph Brodsky, poeti i mërguar nga Leningradi, e kritikoi konceptin e Kunderës për Evropën Qendrore, si një komunitet i imagjinuar e pa substancë:

“Në aspektin e letërsisë, nuk ka diçka të tillë si ‘Evropa Qendrore’. Ka letërsi polake, letërsi çeke, letërsi sllovake, letërsi serbokroate, letërsi hungareze, e kështu me radhë. Është e pamundur të flitet për këtë koncept, madje edhe në emër të letërsisë. Është oksimoron”.

Miłosz: “Divide et impera [përçajë dhe pushto]. Ky është parimi kolonial, dhe ju jeni për këtë.

Brodsky: “Divide et impera. Në çfarë mënyre, Czesław? Nuk të kuptoj … A mund jesh konkret?”

Miłosz: “Koncepti i Evropës Qendrore nuk është shpikje e Kunderës. E ke një obsesion se është shpikje e Kunderës. Aspak. Evropa Qendrore është koncept antisovjetik që rrjedh nga pushtimi i atyre vendeve … Dhe, kam frikë se sigurisht ka tabu në letërsinë ruse dhe se tabu është perandoria.”

Gjatë viteve 1980, ideja e Evropës Qendrore kaloi nga kultura në politikë – nga “momenti i Kunderës” në “momentin e Havelit”, dhe kështu përgatiti terrenin për emancipimin e saj jashtë tufës sovjetike.

Dyzet vjet më vonë, rreth 20 përkthime të esesë së Kunderës janë shfaqur brenda një viti (i fundit në tajlandisht dhe koreanisht), një fenomen që sugjeron se ka fituar rëndësi të re në kontekstin që lidhet me luftën në Ukrainë dhe me kthimin e “çështjes ruse”.

Në vitin 1983, argumenti i Kunderës ishte se Rusia e përfaqëson “një qytetërim tjetër”, i përqendruar historikisht në ngritjen e një shteti autokratik perandorak, ku pushteti fetar dhe politik janë shkrirë duke lënë pak ose aspak hapësirë për shoqërinë civile dhe për autonominë e sferës kulturore – dy kushtet e lirisë, siç kuptoheshin në Perëndim.

“Evropianizimi” i Rusisë u shoqërua me zgjerimin e saj drejt perëndimit në Evropë. Në këtë këndvështrim, Rusia sovjetike ishte vazhdimësia e Rusisë perandorake – me mjete të tjera (edhe pse ndonjëherë mjaft të ngjashme). Versioni i Putinit e ofron një sintezë për të dy këto.

Lufta e Rusisë kundër Ukrainës ka të bëjë me punët e papërfunduara postimperiale dhe me sferat e ndikimit. Bëhet gjithashtu fjalë për kufijtë realë dhe të imagjinuar kulturorë dhe politikë në Evropë, përfshirë këtu temën e vazhdueshme për atë që përbën Evropën Qendrore dhe Lindore.

Vetë Ukraina është arsyeja e dytë për ringjalljen e interesimit për esenë e Kunderës. Duke e nisur luftën, Rusia është bërë përbërësi tjetër për kombin ukrainas që tani ndan fatin e atyre që Kundera i ka përshkruar si “kombet e vogla të Evropës Qendrore”, mbijetesa e të cilëve nuk mund të merret si e mirëqenë. Ky ankth ekzistencial nuk është çështje numrash. Për arsye historike, dy milionë letonezë, 10 milionë çekë dhe 40 milionë ukrainas – të gjithë ndryshe-ndryshe, natyrisht – e kanë përjetuar këtë gjendje të vështirë. Agresioni i Putinit veproi si katalizator dhe Ukraina sot për veten mendon si pjesë e “Perëndimit të rrëmbyer”.

Teksa lufta i ripërcakton kufijtë dhe identitetet politike, na kujtohet se Lvivi ka qenë Lvov para Luftës së Dytë Botërore dhe Lemberg para Luftës së Parë Botërore, dhe se një pjesë e Ukrainës ka qenë në Evropën Qendrore – ashtu siç e kuptonte Kundera. Sot, jo vetëm Lvivi, por e gjithë Ukraina po anon drejt Perëndimit, dhe perëndimi më i afërt i saj është Evropa Qendrore. Ironia e historisë është se duke e përfshirë Ukrainën, Evropa Qendrore – dikur “Perëndimi i rrëmbyer” i Kunderës – po e rishpik veten duke u zgjeruar drejt Lindjes. /Telegrafi/