LAJMI I FUNDIT:

“Dekalogu” i Ballit Kombëtar

“Dekalogu” i Ballit Kombëtar

Balli Kombëtar programin e vet politik me titull “Dekalogu” e shpall në muajin mars të vitit 1943, në organin “Oshëtima e Korçës” (nr. 1, mars 1943, f. 23). Në faqen 24 të saj ajo ka emrat e anëtarëve të Komitetit Qendror, që janë: 1. Mithat Frashëri; 2. Fuat Dibra; 3. Faik Quku; 4. Nuredin Vlora; 5. Ali Këlcyra; 6. Hasan Dosti; 7. Kol Tromara. Përmbajtja e “Dekalogut” është kjo:

1. Luftojmë për Flamurin Kuq e Zi, për mbrojtjen e të drejtave të popullit Shqiptar.


2. Luftojmë për një Shqipni të lirë, etnike, demokratike, me baza shoqenore moderne.

3. Luftojmë për një Shqipni ku do të mbretënojë lirija e fjalës dhe e mendimit.

4. Luftojmë për një Shqipni të rregullueme ekonomikisht dhe shoqënisht në mënyrë që të mos ketë shfrytëzues dhe të shfrytëzuem, do me thanë të mos ketë njerëz që jetojnë në shpinë të të tjerëve: mos të ketë bujk pa tokë të veten të mjaftueshme, punëtorë të krahut dhe të mendjes pa banesë dhe jetë të sigurueme; pra për nji Shqipni të rregullueme me një sistem ekonomik rranjësisht të riformuem, simbas shpirtit dhe nevojavet të popullit Shqiptar.

5. Luftojmë për një Shqipni ku do të zbulohen, do të përkrahen dhe do të rriten vlerat e meshehuna në çdo shtresë të popullit me anë të shkollës Shqiptare.

6. Luftojmë për një Shqipni, ku do të çmohen drejtësisht të gjitha vlerat pa dallim moshe, krahine, besimi a klase.

7. Luftojmë për të formue një Shqipni të drejtueme nga njerëz të pa kompromentuem, nga shqiptarë që nuk janë kursye, në çdo kohë e në çdo rrethanë, për shpëtimin dhe të mirën e këtij vendi, prej burrash puntorë të aftë e të ndershëm.

8. Luftojmë për një Shqipni që do të dënojë pa mëshirë dhe në mënyrë shembullore anti-patriotët, tradhtarët, të shitunit, ngatërrestarët, spekulluesit, spiunët; për një Shqipni ku nuk do të kenë vend dallkaukët, servilët, feudalët dhe të gjithë ata që pengojnë zhvillimin dhe përparimin e Shqipnis së Rilindun.

9. Luftojmë për të harmonizue energjinat e Kombit, për të gatue bashkimin mendor dhe shpirtnor të të gjithë Shqiptarëvet.

10. Luftojmë për mobilizimin e të gjitha fuqive të gjalla të Kombit kundra pushtuesit, për realizimin e idealit të lartë kombëtar: Shqipnia e Shqiptarvet!

/Telegrafi/