Kosova importon shumë më tepër sesa eksporton – eksporti mbulon vetëm 14.5% të importit

Kosova vazhdon të përballet me një hendek të madh ndërmjet importit dhe eksportit. Vetëm gjatë muajit korrik 2026, në vend u importuan mallra në vlerë prej 720.5 milionë eurosh, ndërsa eksportet arritën në vetëm 104.8 milionë euro, shkruan Telegrafi.
Sipas të dhënave më të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), eksporti arriti të mbulojë vetëm 14.5 për qind të importit, ndërsa deficiti tregtar për muajin korrik arriti në 615.7 milionë euro.

Krahasuar me korrikun e vitit 2025, megjithatë, eksportet kanë shënuar një rritje dukshëm më të shpejtë sesa importet.
“Eksporti i mallrave në muajin korrik 2026 kishte vlerën 104.8 milionë euro, ndërsa importi 720.5 milionë euro, që është një rritje prej 25.0% për eksport, si dhe një rritje prej 9.1% për import”, thuhet në komunikatën e ASK-së, transmeton Telegrafi.
Pavarësisht rritjes së eksporteve, deficiti tregtar është thelluar. Në korrik të vitit të kaluar ai ishte 576.4 milionë euro, ndërsa këtë vit është rritur në 615.7 milionë euro, apo për 6.8 për qind.
Çfarë eksporton më së shumti Kosova?
Metalet vazhdojnë të dominojnë eksportet e Kosovës. Sipas ASK-së, 27.8 për qind e të gjitha eksporteve gjatë korrikut përbëheshin nga metalet bazë dhe artikujt prej tyre, shkruan Telegrafi.

Pas tyre renditen ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani me 12.7 për qind, plastika, goma dhe artikujt prej tyre me 10.1 për qind, produktet minerale me 9.5 për qind, ndërsa artikujt e ndryshëm të prodhuar përbënin 7.1 për qind të eksporteve.
Në anën tjetër, në strukturën e importeve dominojnë produktet minerale me 15.7 për qind, të pasuara nga ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani me 13.3 për qind. Makineritë dhe pajisjet mekanike e elektrike përbënin 12.4 për qind, ndërsa mjetet e transportit 11.5 për qind të importeve.
Gati gjysma e eksporteve shkuan në vendet e CEFTA-s
Një tjetër statistikë interesante lidhet me destinacionin e produkteve kosovare. 48 për qind e të gjitha eksporteve të Kosovës gjatë korrikut shkuan në vendet e CEFTA-s.
Vlera e eksporteve drejt këtyre vendeve arriti në 50.3 milionë euro, duke shënuar rritje prej 27.4 për qind.
Partneri kryesor në CEFTA ishte Maqedonia e Veriut, me 16.9 për qind të eksporteve të përgjithshme të Kosovës, e ndjekur shumë afër nga Shqipëria me 16.7 për qind. Serbia përbënte 6.7 për qind, ndërsa Mali i Zi 5.1 për qind.
Gjermania, partneri kryesor brenda BE-së
Në vendet e Bashkimit Evropian, Kosova eksportoi mallra në vlerë prej 31.5 milionë eurosh, që përbënin 30.1 për qind të eksporteve totale. Eksportet drejt BE-së u rritën me 9.6 për qind.
Gjermania ishte destinacioni kryesor evropian, duke përfaqësuar 9.6 për qind të eksporteve të përgjithshme, pasuar nga Italia me 3.1 për qind dhe Holanda me 2.9 për qind.

Por dallimi është shumë më i madh kur shikohet importi: nga vendet e BE-së Kosova bleu mallra në vlerë prej 303.4 milionë eurosh, ose 42.1 për qind të të gjitha importeve. Vetëm Gjermania përbënte 12.8 për qind të importeve të Kosovës.
Turqia dhe Kina dominojnë importet jashtë BE-së dhe CEFTA-s
Kosova importoi 328.2 milionë euro mallra nga vendet jashtë BE-së dhe CEFTA-s, që përfaqësojnë plot 45.6 për qind të importeve totale
Në këtë kategori dominojnë Turqia me 13.5 për qind dhe Kina me 13.3 për qind të importeve të përgjithshme të Kosovës. Ndërkaq, te eksportet drejt vendeve të tjera dallohen Zvicra me 7.8 për qind dhe Turqia me 4.3 për qind.

Në total, vetëm gjatë korrikut, Kosova realizoi rreth 825.3 milionë euro tregti të mallrave me jashtë, por për çdo 100 euro mallra të importuara, vendi eksportoi vetëm rreth 14.5 euro./Telegrafi/.





































