Mbyllja faktike e USAID-it nga presidenti Donald Trump ka pasur pasoja në shumë vende - përfshirë Kosovën. Shumë njerëz mbetën pa punë. Donatorë pothuaj nuk ka. A mund të luajë një rol të ri diaspora, pyesin në platformën mediale zvicerane “Republik” dy gazetare me prejardhje nga Kosova, të cilat jetojnë në Zvicër.

Një fazë pasigurie ka kapluar shoqërinë civile në Kosovë pas vendimit të SHBA-së për të ndërprerë fondet e ndihmës ndërkombëtare përmes USAID-it. Kjo organizatë është mbyllur me vendim të presidentit amerikan Donald Trump. Siç është mbyllur edhe Zëri i Amerikës, një radio që ka qenë zë i shumëdëgjuar në shtete autokratike apo demokraci të pakonsoliduara.


Platforma mediale zvicerane “Republik”, me seli në Zürich, ka publikuar një reportazh të gazetareve Arzije Asani dhe Xhemile Asani - dy motra me origjinë nga Kosova - të cilat kanë udhëtuar drejt Prishtinës për të parë nga afër se si po mbijetojnë organizatat joqeveritare vendore dhe nëse diaspora mund ta zëvendësojë donatorët e larguar perëndimorë.

Që nga përfundimi i luftës më 1999, SHBA-ja kishte investuar mbi 2 miliardë dollarë në Kosovë. Me largimin e USAID-it, shkurtimet e buxheteve nga Zvicra e shtetet evropiane, si dhe pamundësinë e BE-së për të mbuluar këtë boshllëk, sektori joqeveritar në Kosovë po përballet me një luftë të ashpër për mbijetesë që ka goditur drejtpërdrejt grupet më të ndjeshme të shoqërisë.

Pasojat e këtij tërheqjeje financiare janë të dukshme në terren. Forumi Kosovar i Aftësisë së Kufizuar, i cili përfaqëson mbi 150 mijë persona, ka humbur 70 për qind të mjeteve të tij financiare, duke u detyruar të largojë nga puna gjysmën e stafit e të ndërpresë disa projekte me rëndësi. Po ashtu, organizata për shëndet mendor QIPS, e cila menaxhon "Linjën e Jetës" si të vetmen linjë falas për parandalimin e vetëvrasjeve, ka humbur mbi 100 mijë euro përkrahje. Si rrjedhojë, shërbimi i kësaj linje emergjente është reduktuar nga 16 orë në vetëm 4 orë në ditë. Kjo valë shkurtimesh ka goditur edhe tregun e punës, ku shumë ekspertë e punonjës të shoqërisë civile po detyrohen të punojnë nëpër call-centra për të siguruar jetesën.

Përballë bllokadës politike të shtetit dhe pamundësisë së qeverisë për të mbuluar këto fonde, shumë organizata po i drejtojnë sytë nga diaspora kosovare, dërgesat e së cilës përbëjnë deri në 22 për qind të PBB-së së vendit. Lirim Krasniqi nga organizata "Germin" vlerëson se largimi i donatorëve të mëhenj krijon hapësirë për forcat lokale, duke propozuar që mbështetja e diasporës të kalojë nga ndihma emergjente familjare në investime të mirëfillta strukturore në tregun e Kosovës.

Megjithatë, autoret e reportazhit shtrojnë dilemën se deri ku duhet të shkojë ky ndikim pa përsëritur gabimet e donatorëve të huaj, ku paraja diktonte politikat vendore. Në fund, nënvizohet se ndihma financiare ndërkombëtare ose ajo nga diaspora nuk mund ta zëvendësojë asnjëherë krijimin e një shteti funksional social, pasi sa kohë që një vend varet nga ndihmat e jashtme, ai nuk është kurrë plotësisht i lirë. /Telegrafi/