Ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Korenica, ka deklaruar se e kishte informuar kryeministrin Albin Kurti lidhur me kontratën për renovimin e vagonëve të Trainkos në Serbi, por se nuk kishte marrë asnjëherë përgjigje.

“E konfirmoj që nuk kam marrë përgjigje asnjëherë nga z. Kurti. Përveç tij kam njoftuar edhe të tjerë, por kanë zgjedhur ta heshtin këtë tender korruptiv që ka cenuar edhe sigurinë publike”, ka deklaruar Korenica për Telegrafin.


Korenica kishte ngritur shqetësime lidhur me kontratën për renovimin e vagonëve të udhëtarëve në Serbi, duke pretenduar se kishte parregullsi në këtë proces dhe se çështja mund të cenonte sigurinë e transportit.

Lidhur me kontratën kanë reaguar edhe deputetë të Aleancës.

Daut Haradinaj ka kritikuar Qeverinë e udhëhequr nga Vetëvendosje për marrëveshjet e lidhura me kompani nga Serbia. Ai ka pretenduar gjithashtu se punëtorët janë larguar nga puna pasi kanë ngritur shqetësime dhe kanë bërë publike informacione lidhur me këto marrëveshje.

Në anën tjetër, deputeti i Aleancës, Burim Ramadani, ka kërkuar shkarkimin e ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

Ramadani ka ngritur si shqetësim edhe kohën kur është nënshkruar kontrata me kompaninë serbe, duke theksuar se ajo është lidhur pak kohë pas sulmit në Banjskë.

Deri më tani, Qeveria e Kosovës nuk ka dhënë ndonjë reagim lidhur me kontratën dhe pretendimet e ngritura nga deputetët e Aleancës. /Telegrafi/