PDK dhe Aleanca kërkojnë zhbllokimin e Kuvendit, kritika ndaj Kurtit dhe LVV-së

Deputetë të PDK-së dhe Aleancë kanë kritikuar sot Lëvizjen Vetëvendosje dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, lidhur me situatën institucionale në vend dhe bllokadën e Kuvendit të Kosovës.
Deputetja e PDK-së, Sala Jashari, nga foltorja e Kuvendit i ka bërë thirrje kryesuesit të seancës sipas moshës, Avni Deharit, që ta thërrasë vazhdimin e seancës konstituive në përputhje me Kushtetutën dhe Rregulloren e Punës së Kuvendit.
“Prandaj, sot nuk po ju kërkoj të hiqni dorë nga mandati që ju kanë dhënë qytetarët. Po ju kërkoj ta respektoni atë. Kthejuni përgjegjësisë. Kthejuni institucioneve. Kthejuni punës. Sepse Kosova ka nevojë për më shumë besim mes duarve që e ndërtojnë atë. Dhe Kosova nuk ka kohë për të pritur”, tha Jashari.
Ajo ka kritikuar edhe Kurtin dhe LVV-në, duke i akuzuar se kanë marrë kompetenca në nivelin qendror dhe po synojnë të zgjerojnë ndikimin edhe në nivelin lokal.
“Dhe pyetja është shumë e thjeshtë: A është kjo mungesë besimi ndaj institucioneve lokale, apo është dëshirë për të pasur gjithnjë e më shumë pushtet?”, deklaroi Jashari.
Sipas saj, nëse nuk mund të arrihet konsensus për konstituimin e Kuvendit, nuk mund të pretendohet se zgjidhja për një shtet më funksional është centralizimi i mëtejmë i kompetencave.
Jashari bëri të ditur se PDK-ja do t’i drejtohet përsëri kryesuesit të seancës, Avni Deharit, me kërkesën që seanca konstituive të vazhdojë brenda 48 orëve.
Ndërkohë, deputetja e Aleancës, Teuta Haxhiu, ka akuzuar LVV-në për, siç tha ajo, keqpërdorim të institucioneve.
“Deputeti Kurti vazhdon ta mbajë të bllokuar Kuvendin. Kosova po përballet me krizë të rëndë institucionale”, deklaroi Haxhiu.
Ajo ka paralajmëruar gjithashtu se, sipas saj, LVV-ja mund ta çojë vendin në zgjedhje.
Haxhiu ka kritikuar edhe çështjen e renovimit të vagonëve të trenave në Serbi, duke e lidhur atë me bashkëpunimin institucional me këtë shtet.
“Qytetarët nuk kanë besuar kurrë se kjo Qeveri, pas disa muajsh pas vrasjes së rreshterit Enver Zymberaj, shkon në Serbi dhe rregullon vagonë”, tha ajo.
Ndërkaq, deputetja tjetër e Aleancës, Time Kadrijaj, ka kërkuar nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, që të rikthehet në Kuvend bashkë me deputetët e LVV-së.
Kadrijaj, në një adresim për media nga holli i Kuvendit, ka akuzuar Qeverinë për bashkëpunim me Serbinë.
Ajo ka pretenduar gjithashtu se Kurti synon të rrisë numrin e ministrive për të krijuar, sipas saj, hapësirë për sistemimin e militantëve partiakë. /Telegrafi/




































