Rënia e perandorit të fundit të Kinës

Nga sundimtari-fëmijë i burgosur në Pallatin e Ndaluar te ish-perandori i moshuar që fshinte rrugët, Aisin-Gioro Puyi është subjekt i një biografie magjepsëse.
Nga: Rupert Cabbell-Manners / The Telegraph
Përkthimi: Telegrafi.com
Natën kur Qyteti i Ndaluar mori flakë, një grup të huajsh vështronin, me kokteje në duar, nga çatia e Grand Hôtel de Pékin-it. Ishin duke dëgjuar një orkestër të emigrantëve rusë - ishte viti 1923 - dhe ora kishte kaluar tashmë dy të mëngjesit. Krahas Brigadës së Zjarrfikësve të Pekinit dhe Brigadës së Zjarrfikësve të Pallatit, të cilët përdorën 300 “Vazot e Fatit” gjigante në territorin e pallatit, një ekip vullnetarësh italianë nga Lagjja e Legatave ndihmoi në krijimin e brezave kundër zjarrit. Nuk kishin si ta dinin se nuk kishin arritur të shpëtonin kryeveprat e bashkatdhetarit të tyre të shekullit XVII, jezuitit Giuseppe Castiglione. Në të vërtetë, askush nuk dinte për to përveç vetë perandorit, i cili vetëm pak kohë më parë i kishte rizbuluar pikturat të mbyllura për shekuj dhe të harruara në sëndukë të kuq druri. Thesare të gjetura e më pas të humbura - ky ishte modeli i viteve të tij të fundit në Qytetin e Ndaluar.
Aisin-Gioro Puyi, i njohur edhe si “Henry Puyi”, Perandori Xuantong i Dinastisë Qing - më vonë Perandori Kangde i Mançukuos dhe, përfundimisht, thjesht një qytetar i Republikës Popullore të Kinës - lindi në Pekin në vitin 1906. Në moshën dyvjeçare, u zgjodh nga perandoresha vejushë Cixi si sundimtari i ri dhe u çua, duke qarë me dënesë, në Pallatin e Ndaluar. Atje do të qëndronte i burgosur, nga statusi i tij suprem, për 18 vjetët e ardhshëm. Edhe kur Kina përtej mureve të pallatit shndërrohej në një republikë të përçarë nga lufta, Puyi kryente ritualete fosilizuara të dinastisë së tij në një bashkësi pa dashuri eunukësh dhe bashkëshortesh perandorake.

Horizonti i tij u zgjerua në moshën 13-vjeçare me ardhjen e një tutori skocez, Reginald Johnston, i cili e njohu me anglishten, letërsinë anglofone, historinë perëndimore dhe risi të tilla si syzet, biçikletat dhe kostumet e qepura me porosi. Në moshën 16-vjeçare, Puyi u martua me dy gra mançure të rangut të lartë - Wanrong (e cila u bë perandoresha e tij) dhe Wenxiu (“përcjellësja dytësore” e tij).
Por, ndjenja e re e pavarësisë së perandorit të ri nuk do të zgjaste. Në vitin 1924, kur ishte 18 vjeç, një kryekomandant verior pushtoi Pekinin, dëboi familjen perandorake dhe e shtyu atë drejt mbrojtjes së dyshimtë nga japonezët. Puyi u bë perandori kukull i Mançukuos, shtetit të Japonisë në Kinën veriore. Ai i humbi të dyja gratë: Wenxiun nga divorci në vitin 1931 dhe Wanrongen nga opiumi gjatë viteve ’30 të shekullit XX.
Pas luftës, Puyi u kap nga ushtria sovjetike në pistën e aeroportit, teksa përpiqej të arratisej drejt Tokios. Çuditërisht, rusët e trajtuan mirë si të burgosur, pasi Stalini e konsideronte një aset politik, por në fund, në vitin 1950, ai iu ekstradua regjimit të ri kinez dhe kaloi një dekadë në Qendrën e Administrimit të Kriminelëve të Luftës në Fushun, duke iu nënshtruar riedukimit. Pas lirimit, vitet e fundit të jetës i kaloi sërish në Pekin, duke punuar si fshirës rrugësh, kopshtar dhe, në fund, si studiues, si dhe përfundoi një libër me kujtime, Nga perandor në qytetar [From Emperor to Citizen, 1961], të mbushur me vetëkritikë komuniste. Vdiq në vitin 1967, në moshën 61-vjeçare.

Historia e re e Paul Frenchit, Perandori i fundit i Kinës [The Last Emperor of China], përqendrohet në vitet 1922-1924, atë periudhë të shkurtër optimizmi midis martesave të perandorit dhe dëbimit të tij nga Qyteti i Ndaluar. Frenchi e rrëfen historinë e “ditëve të rinisë” së Puyit përmes një grupi prej katër vetash: vetë Puyit, perandoreshës së tij “Elizabeth” Wanrong, Reginald Johnstonit dhe tutores amerikane të Wanronges, Isabel Ingram. Në rrëfimin e Frenchit, Pallati i Ndaluar në ato vite ishte një vend argëtimi kryesisht anglofil, ku monarkët e rrëzuar - të pagëzuar nga tutorët e tyre me emrat e monarkëve anglezë - kënaqeshin me pasionin e tyre për tenisin, fotografinë, çiklizmin dhe atë pasion aq britanik, qentë e llastuar.
Puyi, për shembull, dukej se po “kultivonte pamjen e një dendi të Oksfordit”. Të paktën një herë u përpoq të arratisej drejt brigjeve britanike, por u pengua nga mbikëqyrja e departamentit të oborrit perandorak. Kur, në vitin 1924, mbërritën ushtarët për t’i dëbuar, e gjetën perandorin dhe shoqëruesit e tij duke luajtur tenis, të veshur me të bardha vezulluese. (Është një skenë e kapur bukur në filmin luksoz të Bernardo Bertoluccit të vitit 1987, Perandori i fundit / The Last Emperor)

Çifti perandorak ishte vërtet fajtor për akte të rastësishme ekstravagance, si për shembull kur pagoi rrogën e veterinerit që punonte në “parajsën e qenve” të tyre me një byzylyk nefriti dhe thesare të tjera të paçmueshme. Por, deri në vitin 1924, ata kishin filluar t’i kundërviheshin ryshfetit dhe korrupsionit masiv të oborrit perandorak. Ata u përballën me eunukët që shisnin antikitete perandorake në tregun Qianmen dhe dëbuan pothuajse të gjithë 1 500 eunukët pas zjarrit të pallatit të vitit 1923, i cili, sipas të gjitha gjasave, kishte qenë i qëllimshëm për të fshehur një vjedhje masive.
Johnstoni ishte pa dyshim figura udhërrëfyese në jetën e tij: perandori i ri e quante skocezin “pjesën më të madhe të shpirtit tim”. Deri atëherë, Puyi kishte studiuar kryesisht ritualet dhe gjenealogjinë perandorake të dinastisë mançure Qing, nga një vëllim që ishte “tre këmbë i trashë dhe peshonte mbi 23 stonë” [91.4 centimetra,146 kilogramë]; megjithatë, nuk dinte ta gjente Pekinin në hartë. Johnstoni synonte t’i mësonte “Henryt” gjithçka që mund t’i hynte në punë një monarku kushtetues në pritje, ndërkohë që luftonte edhe që atij t’i lejoheshin syzet për të cilat kishte nevojë. Kur gjenerali antimonarkist Feng mbërriti në Pekin në vitin 1924, Johnstoni e ndihmoi Puyin të arrinte në një vend të sigurt, përpara se të detyrohej të arratisej edhe vetë.
Frenchi, edhe vetë emigrant - jetoi në Kinë nga viti 1997 deri më 2013 - shpesh citon ose u referohet veprave të emigrantëve dhe vizitorëve në Kinë, si Osbert Sitwell, Stella Benson dhe Betty Joel. Ai është edhe vetë shkrimtar i mirë udhëtimesh, sidomos në përshkrimet e tij lirike të stinëve që ndryshojnë në qytet: “Deri në mars të vitit 1923, bora ende mbulonte Kodrat Perëndimore dhe Pallatin e Verës; herë pas here binte natën mbi Qytetin e Ndaluar, duke e pudrosur kështjellën me borë. Oborret në orët e hershme të mëngjesit zbulonin gjurmët e këmbëve të shërbëtorëve që nxitonin andej-këndej dhe gjurmët e putrave të kafshëve të vogla e të zogjve”. Disa linja në strukturën e librit janë të dukshme dhe disa informacione zvarriten, si sfondi historik i mançurëve,. Por, në pjesën më të madhe, Frenchi e ndërthur gjithë shtjellimin që i nevojitet në një rrëfim të gjallë e me ritëm të ngutshëm.
Megjithatë, pyes veten nëse libri mund ta largojë vërtet imagjinatën nga imazhet e mëdha të jetës së Puyit: perandori-fëmijë i burgosur në pallat dhe ish-monarku i moshuar që fshin rrugët e Pekinit. Të dyja periudhat janë jashtë fushës së librit të Frenchit, por megjithatë ato përbëjnë portretet më të fuqishme, më magjepsëse. Sepse, pas vitit 1959, pasi e kishin thyer dhe riedukuar, komunistët nuk kishin nevojë ta vrisnin Puyin. Thjesht i dhanë një fshesë, një kapele dhe një kostum Mao. /Telegrafi/









































