LAJMI I FUNDIT:

Kërkohet reforma e sistemit pensional

Kërkohet reforma e sistemit pensional

Në Kosovë aktualisht janë rreth 200 mijë persona që përfitojnë nga skema pensionale. Për këtë Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale është duke përgatitur ligjin e ri, me të cilin do të harmonizohen të gjitha skemat pensionale.

Këtë e ka bërë të ditur zëvendësministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Lulzim Leci, në tryezën e organizuar nga INDEP-i, me temën “Sistemi pensional i Kosovës, sfidat dhe mundësitë”.


Leci ka theksuar se MPMS në kuadër të orarit të vet legjislativ dhe parashikimeve të saj për këtë vit ka dorëzuar në Qeveri që të bëhet një ligj i përbashkët për të gjitha skemat pensionale, të financuara nga shteti, i cili parashihet që të miratohet vitin e ardhshëm.

“Në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale menaxhohen shumë skema pensionale të ndryshme të shoqërisë sonë, që kuptohet në një apo formë tjetër iu dalin në ndihmë personave të moshuar, personave me nevoja që janë përafërsisht 200 mijë përfitues, por që këto ligje të ndara veç e veç sigurisht që paraqesin edhe mungesa në zbatim, paraqesin edhe vështirësi. Besoj se është një nismë e mirë e harmonizimit të në ligj që do të inkorporonte të gjitha skemat pensionale në Kosovë”, tha Leci.

Selatin Kllokoqi nga INDEP-i, ka prezantuar punimin me temën “Sistemi pensional i Kosovës, sfidat dhe mundësitë”, në të cilën janë paraqitur të dhëna të përfituesve të pensionit nga këto skema. Ai e ka quajtur të domosdoshëm reformën në sistemin pensional, pasi numri i atyre që përfitojnë nga skemat pensionale çdo vit po rritet.

“Vitin e kaluar ka qenë diku 338 milionë euro pensione, vetëm pensione. Çdo vit është duke u rritur, këtë vit kemi tri skema të reja që janë duke u implementuar, të cilat me siguri do të arrijnë edhe 20 milionë euro, plus rritja natyrore, diku me siguri 400 milionë euro do të shkojmë me pagesa për pensione. Gjithashtu, kemi në pritje skema të reja në pritje për t’u aprovuar, nëse aprovohen ato do të shtojnë ende koston, kështu që në të ardhmen e afërt qysh janë tendencat do të shkoj duke i rritur”, theksoi Kllokoqi.

Ai tha se deri më tani janë 22 skema, kategori përfituese të pensioneve, të cilat rregullohen me shtatë apo tetë ligje, të cilat i rregullojnë ato.

Kllokoqi tha se Serbia në Kosovë paguan diku 32 mijë pensione, ndërsa ata mund të marrin në Kosovë edhe pensionin bazë 75 euro. Sipas tij, ka edhe pensionist që merr pensionin nga Gjermania, Zvicra apo shtetet tjera dhe merr pensionin bazë 75 euro.

Ndërsa, kryetarja e Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale, Besa Baftiu, theksoi se sistemi pensional aktual në Kosovë nuk ka bërë zgjidhje në vitet e pas luftës.

“Ne e mbështesim dhe e përkrahim si komision këto iniciativa të Ministrisë, sepse kanë të bëjnë me një sistem pensional të unifikuar, sistem i cili po besojmë që do të bëjë zgjidhjen e pensionistëve të cilët tash e 18 vite pas luftës janë nëpërkëmbur dhe u janë shkelur të drejtat që janë të garantuara me konventat ndërkombëtare dhe ligjet e Kosovës”, u shpreh Baftiu.

Kritik ndaj ligjit aktual për skemat pensionale janë shprehur pensionistët dhe përfaqësuesit e sindikatave. Sylejman Metaj, kryetar i Federatës së Sindikatës së Pensionistëve dhe Invalidëve të Punës së Kosovës, tha se pensionistët po ballafaqohen me diskriminim gati tash e 20 vjet.

Sipas tij, Ligjin për skemat pensionale me ngulm e ka kundërshtuar federata para aprovimit, madje kanë dhënë edhe peticion në Kuvend, pasi ka qenë shumë i mangët.

“Ligji i skemave pensionale për federate sindikale të pensionistëve dhe invalidëve të punës është diskriminues. Me vetë faktin që aty nuk merren shumë gjëra parasysh, mbetet si një trup i pa gjymtyrë. Nuk merret shembull stazhi i punës, nuk merret kualifikimi, që aty thuhet se merret kualifikimi, që në të vërtetë nuk merret parasysh kualifikimi si dihet, lihen anash prej magjistrit, profesorit, profesorit ordinar, akademikut, e tjerë, lihen anash dhe pothuajse ata janë sikur një punëtor teknik, fizik, kur të del në pension as që i numërohet stazhi i punës”, tha Metaj.

Edhe kryetari i Sindikatës së Pavarur të Administratës së Kosovës, Ndue Kalaj, theksoi se ligji aktual mbi skemat pensionale është diskriminues.

“Ne si sindikatë profesionale që jemi ndër sindikatat më profesionale nga viti 2015 i kemi bërë një analizë studimore këtij ligji dhe kemi konstatuar se ka elemente diskriminuese. Tash a duhet ato elemente diskriminuese t’i durojmë, sepse ne shqiptarët jemi mësuar dhjetë vite të durojmë diskriminimit serbë në bazë të ligjeve diskriminuese serbe, a duhet t’i durojmë edhe tash është çështje për pyetje për Mistrinë dhe Kuvendin që e kanë miratuar një ligj me përmbajtje tipike diskriminuese”, tha Kalaj.

Pati edhe ide për Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale që të futen në projektligjin e ri, në mënyrë që pastaj ai projektligj të jetë i kënaqshëm për të gjithë. /KP/ Telegrafi/