LAJMI I FUNDIT:

Izraeli është në makth: Kush do të jemi, kur të ngrihemi nga hiri?

Izraeli është në makth: Kush do të jemi, kur të ngrihemi nga hiri?

Nga: David Grossman, shkrimtar i përkthyer në më shumë se 30 gjuhë / The Financial Times
Përkthimi në anglisht: Jessica Cohen
Përkthimi në shqip (nga anglishtja): Agron Shala / Telegrafi.com

Vitet kur shqiptarët sundonin Jerusalemin: U pritën si çlirimtarë, sollën barazi për të gjithë
Lexo po ashtu Vitet kur shqiptarët sundonin Jerusalemin: U pritën si çlirimtarë, sollën barazi për të gjithë

Rreth 1 000 të vrarë, më shumë se 3 000 të plagosur, dhjetëra njerëz të marrë peng. Çdo i mbijetuar është histori e mrekullueshme e shkathtësisë dhe trimërisë. Mrekulli të panumërta, akte të panumërta heroizmi dhe sakrificash nga ushtarët dhe nga civilët.


Shikoj fytyrat e njerëzve dhe shoh tronditje. Mpirje. Zemrat tona janë rënduar nga barrët e vazhdueshme. Pa pushim i themi njëri-tjetrit: është makth. Një makth përtej krahasimit. Nuk ka fjalë për ta përshkruar. Nuk ka fjalë për ta përmbajtur.

Gjithashtu shoh ndjenjën e thellë të tradhtisë. Tradhtinë e qytetarëve nga qeveria e tyre – nga kryeministri dhe nga koalicioni i tij shkatërrimtar. Tradhti ndaj gjithë asaj që ne çmojmë si qytetarë dhe në veçanti si banorë të këtij shteti. Tradhti e idesë së tij formuese dhe zotuese. Tradhti ndaj depozitës më të çmuar nga gjithë të tjerat – shtëpisë kombëtare të popullit hebraik – që është dorëzuar tek udhëheqësit për ta mbrojtur dhe të cilën ata do të duhej ta kishin trajtuar me respekt. Por, në vend të kësaj, çfarë kemi parë? Atë çfarë jemi mësuar të shohim, thuajse gjithçka ishte e pashmangshme? Ajo që kemi parë ishte braktisja e plotë e shtetit në favor të agjendave të vogla, lakmitare dhe të politikave cinike, mendjengushta, delirante.

Ajo që tash po ndodh është çmimi konkret që po paguan Izraeli duke qenë, për vite me radhë, joshje për udhëheqjen e korruptuar që atë po e çon nga e keqja te më e keqja; udhëheqje që po gërryen institucionet e ligjit dhe të drejtësisë, ushtrinë, sistemin arsimor; udhëheqje që ishte e gatshme ta vendoste vendin në rrezikun ekzistencial, me qëllimin për të mbajtur kryeministrin jashtë burgut.

Tashti, vetëm mendoni se me çfarë kemi bashkëpunuar përgjatë viteve. Mendoni për gjithë energjitë, mendimet dhe paratë që shpenzuam duke parë Netanyahun dhe familjen e tij duke luajtur dramat e tyre të stilit Çaushesku. Mendoni për iluzionet groteske që krijuan për sytë tanë mosbesues.

Në nëntë muajt e fundit, miliona izraelitë dolën në rrugë, për çdo javë, për të protestuar kundër qeverisë dhe njeriut në krye të saj. Ishte lëvizje e rëndësisë së madhe, përpjekje për ta rikthyer Izraelin në rrugën e vet, në nocionin fisnik të rrënjëve të ekzistencës së tij: krijimi i një shtëpie për popullin hebraik. Dhe, jo çfarëdo shtëpie. Miliona izraelitë donin ta ndërtonin një shtet liberal, demokratik, paqedashës që respekton besimin e të gjithë njerëzve. Por, në vend që të dëgjonte se çfarë kishte për të ofruar kjo lëvizje e protestës, Netanyahu zgjodhi ta diskreditonte, ta përshkruante si tradhti, të nxiste kundër saj, të thellonte urrejtjen midis faktorëve të saj. Megjithatë, e shfrytëzoi çdo mundësi për të deklaruar se sa i fuqishëm ishte Izraeli, sa i vendosur dhe mbi të gjitha – sa i përgatitur ishte për ta përballuar çdo kërcënim.

Është mirë t’ua thuash këtë prindërve që po çmenden nga pikëllimi, foshnjës së hedhur mëtanë rrugës. Pengjeve. Njerëzve që të votuan. Tetëdhjetë çarjeve të gardhit më të avancuar kufitar në botë.

Por, mos gaboni dhe mos u ngatërroni: me gjithë tërbimin ndaj Netanyahut dhe njerëzve të tij dhe politikave të tij, tmerri i këtyre ditëve të fundit nuk u shkaktua nga Izraeli. U krye nga Hamasi. Pushtimi është krim, por të vrasësh qindra civilë pa mëshirë – fëmijë dhe prindër, të moshuar dhe të sëmurë – është krim më i keq. Edhe në hierarkinë e së keqes ekziston një “renditje”. Ekziston shkalla e ashpërsisë që arsyeja jonë e shëndoshë dhe instinktet natyrore mund ta identifikojnë. Dhe, kur sheh fushat e vrasjes në lokacionin e festivalit muzikor, kur sheh terroristët e Hamasit me motoçikleta që ndjekin të rinjtë që zbaviten, disa prej të cilëve vazhdojnë të kërcejnë pa kuptuar se çfarë po ndodh …

Nuk e di nëse operativët e Hamasit duhet të quhen “kafshë”, por padyshim që kanë humbur njerëzoren.

Netët dhe ditët i kalojmë si somnambulë. Me përpjekjen për t’i rezistuar tundimit për të parë videot e tmerrshme dhe për t’i dëgjuar thashethemet. Ndjenja e frikës depërton në mesin e atyre që për herë të parë në 50 vjet – që nga lufta e Jom Kipurit – po përjetojnë perspektivën e tmerrshme të humbjes.

Kush do të jemi, atëherë kur ngrihemi nga hiri dhe kur futemi sërish në jetën tonë? Atëherë kur në thelb ndiejmë dhimbjen e fjalëve të autorit Haim Gouri, të shkruara gjatë luftës arabo-izraelite të vitit 1948: “Sa të shumtë janë ata që nuk janë më me ne”. Kush do të jemi dhe çfarë lloj qeniesh njerëzore do të jemi pasi shohim atë që kemi parë? Ku do t’ia fillojmë pas shkatërrimit dhe humbjes së kaq shumë gjërave që çmonim dhe besonim?

Nëse mund të hamendësoj: pas luftës, Izraeli do të jetë shumë më i djathtë, më militant dhe më racist. Lufta e detyruar do të çimentojë stereotipat dhe paragjykimet më ekstreme dhe më urrejtëse që mund ta etablojnë – dhe do të vazhdojnë edhe më shumë ta etablojnë – identitetin izraelit. Dhe, ky identitet tash e tutje do të mishërojë edhe traumën e tetorit 2023, si dhe polarizimin, përçarjen e brendshme.

A është e mundur se ajo që humbi – ose pafundësisht u pezullua – më 7 tetor, ishte shansi i vogël për dialog të vërtetë, për pranimin e vërtetë të ekzistencës së tjetrit nga secili komb? Dhe, çfarë thonë tani ata që vringëllonin me nocionin absurd të “shtetit binacional”? Izraeli dhe Palestina, dy kombe të shtrembëruara dhe të korruptuara nga lufta e pafundme, nuk mund të jenë as kushërinj me njëri-tjetrin – a beson ende dikush se mund të jenë binjakë të bashkuar? Do të duhet të kalojnë shumë vite pa luftë, para se të mund të merret parasysh pranimi dhe shërimi. Ndërkohë, ne vetëm mund t’i paramendojmë përmasat e frikës dhe të urrejtjes që do të dalin në sipërfaqe. Shpresoj dhe lutem se do të ketë palestinezë në Bregun Perëndimor të cilët, pavarësisht urrejtjes së tyre ndaj Izraelit – okupatorit të tyre – do ta distancojnë veten qoftë me veprim apo me fjalë nga ajo çfarë kanë bërë bashkatdhetarët e tyre. Si izraelit, nuk kam të drejtë t’ju predikoj apo t’ju them se çfarë duhet të bëjnë. Por, si qenie njerëzore kam të drejtë – dhe detyrim – të kërkoj prej tyre një sjellje njerëzore dhe morale.

Nga fundi i muajit të kaluar, udhëheqësit e Shteteve të Bashkuara, të Izraelit dhe të Arabisë Saudite, me entuziazëm folën për një marrëveshje të paqes midis Izraelit dhe sauditëve, që do të bazohej në marrëveshjet e normalizimit të Izraelit me Marokun dhe me Emiratet e Bashkuara Arabe. Palestinezët pothuajse nuk janë të pranishëm në këto marrëveshje. Netanyahu arrogant dhe me vetëbesim, ia doli – sipas fjalëve të tij – të shkëpuste lidhjen mes problemit palestinez dhe marrëdhënieve të Izraelit me shtetet arabe. Marrëveshja izraelito-saudite nuk është e ndarë nga ngjarjet e “Të shtunës së zezë” midis Gazës dhe Izraelit. Paqja që do të krijonte është paqe e të pasurve. Është përpjekje për të kapërcyer thelbin e konfliktit. Ditët e fundit kanë vërtetuar se është e pamundur të fillohet me zgjidhjen e tragjedisë së Lindjes së Mesme, pa ofruar zgjidhjen që lehtëson vuajtjet e palestinezëve.

A jemi ne në gjendje të shkundim formulat e konsumuara dhe të kuptojmë se ajo që ka ndodhur këtu është shumë e madhe dhe shumë e tmerrshme për t’u parë përmes paradigmave bajate? Edhe sjellja e Izraelit edhe krimet e tij në territoret e pushtuara për 56 vjet, nuk mund të justifikojnë apo zbusin atë që doli në shesh: thellësinë e urrejtjes ndaj Izraelit, kuptimin e dhimbshëm se ne izraelitët duhet të jetojmë gjithmonë me vigjilencë të shtuar dhe me gatishmëri të vazhdueshme për luftë. Në përpjekjen e pandërprerë për të qenë njëkohësisht Athinë dhe Spartë. Dhe, me dyshimin thelbësor nëse ndonjëherë do mund të jemi në gjendje që ta çojmë një jetë normale, të lirë, të pakufizuar nga kërcënimet dhe nga ankthet. Një jetë të qëndrueshme, të sigurt. Një jetë që është vatër shtëpie. /Telegrafi/

https://telegrafi.com/izraelitet-dhe-palestinezet-po-perballen-momentin-e-rrezikut-te-madh-qe-nga-viti-1948/
Lexo po ashtu https://telegrafi.com/izraelitet-dhe-palestinezet-po-perballen-momentin-e-rrezikut-te-madh-qe-nga-viti-1948/
Nuk do të ketë jetë, nëse nuk e arrijmë paqen
Lexo po ashtu Nuk do të ketë jetë, nëse nuk e arrijmë paqen

Në trend Kultura

Më shumë
VETMI

VETMI

Fjala+
DIKUSH E DOGJI AMERIKËN

DIKUSH E DOGJI AMERIKËN

Poezi
VITET E ARTA

VITET E ARTA

Poezi
FËMIJA

FËMIJA

Poezi
“PLURALIZËM”

“PLURALIZËM”

Kulture
SHTËPIA E RE

SHTËPIA E RE

Poezi
Kalo në kategori