Nga: Vedat Kokona (Bredhje gjatë një fluturimi, prill 1991)

Më vërshëllinte në vesh, përmes zhuzhimës së pandërprerë të avionit, fjala “pluralizëm”, që kishte marrë hov të madh dhe përdorej rëndom kohët e fundit.

Fjalorin e Gjuhës së Sotme Shqipe, që e kisha në çantë, e hapa dhe desha të di se si e përcaktonte këtë fjalë ky fjalor. Edhe lexova:

“Sistem shtetëror në një vend borgjez e revizionist, që ka shumë parti politike, grupe e forca shoqërore me interesa, botëkuptime e pikëpamje të ndryshme etj. etj.”

Edhe thashë: O Perëndi, sa çudi! Sa shpejt vjetrohen fjalorët e shkretë! Mjerë ai qyqar që merret me fjalorë që fishken më shpejt se trëndafilat e Saadiut dhe të Ronsardit! Pa shiko, brenda një dhjetëvjeçari, që s’është as sa një e miliarda e miliardës së miliardës së një sekonde të sekondës së sekondës në kronometrin e kohës kozmike që tallet me ne, fjala ‘borgjez”, që ka vrarë kaq shqiptarë gjatë dyzet e pesë vjetëve, i vishet si me një thupër magjike kësaj Shqipërie të gjorë, që u sfilit e u gris e u shkafanjis në drizat e materializmit historik e dialektik dhe, pasi u leckos e u gjakos dhe la mishrat atje, vendosi një mëngjes të bukur të bëhet, më në fund, jo më pak se një shtet borgjez, borgjez moj Shqipëria ime, jo shaka, si Anglia, si Franca e më the të thashë, sa hap e mbyll sytë, ndërsa s’u bëmë dot socialist as për dyzet e gjashtë vjet! /Marrë nga profili në Facebook i studiuesit Aurel Plasari/