Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se vendi është duke u përballur me një “fushatë sulmesh hibride”, gjatë një interviste për CNN International, ku u pyet për projektin e planifikuar në zonën e Zvërnecit.

Në intervistën e drejtpërdrejtë, Rama u shpreh se kritikat dhe protestat e raportuara ndaj projektit janë të ekzagjeruara dhe të ndikuara nga dezinformimi, duke theksuar se nuk ka pasur protesta në të gjithë vendin, por vetëm në disa raste të izoluara.


Sipas tij, Shqipëria po përballet me një kombinim faktorësh, përfshirë “armiq të njohur”, konkurrencën rajonale në Mesdhe dhe, siç tha ai, rrjete të organizuara të profileve të rreme në rrjetet sociale që synojnë krijimin e perceptimeve negative.

“Jemi në një luftë hibride”, u shpreh Rama, duke shtuar se shumë prej reagimeve publike janë të ndikuara nga informacion i pasaktë.

Ai gjithashtu hodhi poshtë pretendimet për përfshirjen e familjes së ish-presidentit amerikan, Donald Trump, dhe biznesmenit Jared Kushner në një të ashtuquajtur “projekt ishulli në Zvërnec”, duke i cilësuar këto raportime si të pavërteta.

“Një gjë e tillë nuk ekziston,” tha Rama, duke theksuar se nuk ka asnjë projekt që lidhet me familjen Trump në zonat e mbrojtura apo në hapësirat bregdetare të vendit.

Zona e Zvërnec është përmendur kohët e fundit në debatet publike për zhvillime të mundshme turistike, të cilat kanë ngjallur reagime nga grupe të ndryshme mjedisore dhe qytetare.