Dennis Buzukja ka reaguar pas humbjes së diskutueshme ndaj Bogdan Gradit në UFC Beograd, duke shprehur zhgënjimin e tij për mënyrën se si përfundoi përballja.

Luftëtari shqiptar me nënshtetësi amerikane pretendoi se nuk kishte dhënë shenjë dorëzimi gjatë aksionit vendimtar në raundin e dytë, por gjyqtari ndërpreu duelin duke i dhënë fitoren Gradit me dorëzim.


Buzukja, përmes një postimi në rrjetet sociale, falënderoi mbështetësit dhe theksoi se edhe pse ishte i dëshpëruar, e pranon rezultatin si pjesë të sportit.

“Nuk di çfarë të them. Ishte një luftë e vërtetë dhe hyra në ring për të fituar ose për të vdekur. Nuk e kuptoj si u ndërpre dhe mu rrëmbye fitorja në atë mënyrë, pa dhënë asnjë shenjë dorëzimi”.

“Por, sido që të jetë, gjithçka është vullneti i Zotit. Respekt për kundërshtarin tim, Bogdanin. Nuk e kuptoj si e ndërpreu gjyqtari ndeshjen apo pse mendoi se u dorëzova, kur kapja nuk ishte e fortë dhe kishin mbetur edhe 10 sekonda”.

“Nuk di çfarë të bëj apo çfarë drejtimi të marr tani, por dua thjesht t’i falënderoj të gjithë. Jam shumë i dëshpëruar dhe mendoj se do të kishte qenë një raund i tretë fantastik, por kjo është jeta”, ka shkruar Buzukja.

Përballja mes Buzukjas dhe Gradit ishte një nga momentet më të diskutuara të UFC Beograd, pasi ndërprerja e gjyqtarit shkaktoi reagime të shumta.

Edhe vetë Bogdan Grad pranoi pas duelit se nuk ishte i sigurt nëse kishte ndjerë një “tap” nga kundërshtari, por theksoi se vendimi i takonte gjyqtarit./Telegrafi/

telegrafi sport app