Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka dekretuar marrëveshjen e huasë me vlerë 302 milionë dollarë ndërmjet Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në kuadër të financimit të jashtëm ushtarak (Foreign Military Financing – FMF) për fushën e mbrojtjes.

Marrëveshja, e ratifikuar me ligjin nr. 91/2026, parashikon financimin e kapaciteteve mbrojtëse të Shqipërisë dhe forcimin e bashkëpunimit strategjik me SHBA-në në fushën e sigurisë.


Në dekretin e firmosur më 30 korrik 2026, kreu i shtetit ka shpallur ligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas direkte ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Financave, dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përfaqësuar nga Agjencia e Bashkëpunimit për Sigurinë e Mbrojtjes (DSCA), në kuadër të financimit të jashtëm ushtarak (FMF)”.

Gjithashtu, Presidenti Begaj ka dhënë pëlqimin për hyrjen në fuqi menjëherë të këtij ligji.

Financimi përmes programit FMF synon të mbështesë modernizimin e kapaciteteve të mbrojtjes së Shqipërisë dhe rritjen e ndërveprimit me strukturat e sigurisë së aleancës euroatlantike.