Tre orë i shtrirë në plazh, ndërsa festa vazhdonte: Detaje të reja nga vrasja e turistit portugez në Ksamil

Shqiptaro-britaniku, David Gjana alias Heurtevent nga Kukësi, rezulton të jetë personi i dytë, që dyshohet se ka marë pjesë në vrasjen me dashje të shtetasit Portugez, Luis Miguel Varela Mendez, ngjarje kjo e ndodhur në Ksamil të Sarandës.
Sipas dëshmive të mbledhura tek klientët e lokalit dhe pamjeve filmike të sekuestruara, ka rezultuar se David Gjana, ka qëlluar i pari shtetasin Portugez.
Konflikti mes tyre sipas dëshmive ka nisur për ngacmimin e një vajze dhe më pas situate ka dalë jashtë kontrollit, duke hyrë në sherr dhe kamarierët e lokalit.
Siç raportohet, Gjana rezulton të ketë lidhje familjare me Bekim Bulicën, pasi janë nga e njëjta zonë, Kolesjani i Kukësit.
Aktualisht Bekim Bulica, është shpallur në kërkim policor.
Në ndihmë të Kuksianit, David Gjana, ka shkuar dhe Sokrat Lipan alias Vata, i cili shërbente si punonjës sigurie në lokalin e natës, dhe ishte punëtor i policisë private “Elite Security Group”.
Të dy së bashku dhe kamarierët e lokalit e kanë dhunuar 20-vjeçarin Portugez.
Ndaj Gjanës dhe Sokrat Vatës, tashmë është ngritur akuza e “Vrasjes me dashje” kryer në bashkëpunim.
I riu portugez është tërhequr zvarë nga lokali dhe çuar në pjesën e plazhit, ku dhe është qëlluar me thikë për vdekje.
Sipas dëshmitarëve ai është lënë për tre orë me radhë i shtrirë, ndërsa festa dhe harbimi në lokal “Principotes” ka vijuar nën tingujt e muzikës të lëshuar nga një DJ nga Franca.
Sipas Policisë, ngjarja ka nisur rreth orës 05:15 të 18 gushtit në ambientet e “Principote” dhe më pas është zhvendosur në plazhin e “Paradise”.
Megjithëse brenda lokalit ku ndodhi vrasja kishte jo vetëm policë privatë, por dhe punonjës të Policisë së Shtetit e habitshme është fakti se asnjëri prej tyre nuk ka parandaluar ngjarjen dhe asnjëri prej tyre s'ka njoftuar policinë.
Gjatë konfliktit, Sokrat Vata dyshohet se ka goditur disa herë me thikë në trup turistin portugez, ndërsa në të njëjtën kohë David Gjana alias Heurtevent e ka goditur me grushte.
Para sulmit me thikë, në përleshje dyshohet se janë përfshirë edhe kamarierët e “Principotes”.
Vata u arrestua rreth pesë orë pas krimit në Levan të Fierit, ku ishte fshehur në bagazhin e një automjeti me dy shtetas turq, ndërsa Bekim Bulica vijon të jetë në kërkim, raportojnë mediat në Shqipëri.




































