Florentino Perez 'zyrtarizon' Jose Mourinhon te Real Madridi, por kjo ndodh vetëm nëse fiton zgjedhjet presidenciale

Florentino Pérez ka bërë të ditur se José Mourinho do të jetë trajneri i ri i Real Madridit në rast se ai fiton zgjedhjet e ardhshme presidenciale.
Kandidatura e tij ka shpërndarë në rrjetet sociale një video me portugezin, të shoqëruar me mesazhin: “Ka ende shumë histori për t’u shkruar”.
Në klipin e shkurtër, Mourinho shqipton vetëm një fjalë: “Po”. Njoftimi u publikua në të njëjtën kohë kur një tjetër kandidat për president, Enrique Riquelme, po shfaqej në emisionin “El Hormiguero”, ku pritej të prezantonte planet e tij për përforcime.
MOUcha historia por hacer. pic.twitter.com/7wLmDk8r2M
— Florentino 2026 (@Florentino2026_) June 3, 2026
Detajet e marrëveshjes
Sipas raportimeve, nëse Pérez fiton, lëvizja e parë do të jetë konfirmimi zyrtar i rikthimit të Mourinhos – një operacion që thuhet se ka qenë në proces prej gati dy javësh gjatë periudhës parazgjedhore. Marrëveshja mes trajnerit dhe klubit është arritur më herët, ndërsa Jorge Mendes raportohet se ka negociuar detajet me Benficën.
Edhe pse klauzola e lirimit prej 7 milionë eurosh kishte skaduar më 26 maj, Benfica në fund ka pranuar të lëshojë pe. Klubi nga Lisbona fillimisht kërkonte 15 milionë euro, shifër e barabartë me pagën vjetore bruto të Mourinhos, por raportohet se është tërhequr për të hapur rrugën e afrimit të trajnerit të preferuar, Marco Silva (Fulham), i cili përfaqësohet po ashtu nga Mendes.
Mourinho pritet të nënshkruajë një kontratë dyvjeçare me Real Madridin, me mundësinë e një zgjatjeje automatike edhe për vitin e tretë nëse klubi fiton La Ligën. Synimi kryesor i tij dhe arsyeja e rikthimit në Madrid mbetet Liga e Kampionëve.
Në mandatin e parë (2010-2013), ai fitoi kampionatin, Kupën dhe Superkupën e Spanjës, por u ndal tri herë radhazi në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve.
Megjithatë, Pérez ka theksuar vazhdimisht se Mourinho ishte trajneri që “vendosi themelet” për epokën e mëvonshme të sukseseve, kur Reali fitoi gjashtë Liga të Kampionëve në 11 vjet.

Plani për blerje dhe profilin e lojtarëve
Zyrtarizimi i rikthimit të Mourinhos pritet të ndodhë menjëherë pas zgjedhjeve, nëse Pérez fiton të dielën. Portugezi dëshiron të nisë punën sa më shpejt të jetë e mundur, duke qenë i vetëdijshëm se periudha e zgjedhjeve ka konsumuar kohë të rëndësishme në planifikimin e merkatos.
Kërkesat e tij thuhet se janë të qarta: ai synon një ose dy qendërmbrojtës, një mbrojtës të djathtë, një mbrojtës të majtë, si dhe dy mesfushorë – një krijues dhe një shkatërrues/mbrojtës.
Disa lëvizje raportohet se janë përgatitur tashmë, siç është marrëveshja me Ibrahima Konaté, kontrata e të cilit me Liverpoolin thuhet se po shkon drejt skadimit, me Realin që synon ta marrë si lojtar të lirë, në një skenar të ngjashëm me afrimet e dikurshme të Alabas dhe Rüdigerit.
Për krahun e djathtë të mbrojtjes, është përmendur emri i Denzel Dumfries, por Mourinho thuhet se dëshiron të presë fillimin e parasezonit për të vlerësuar skuadrën përpara vendimeve përfundimtare mbi përforcimet. /Telegrafi/

































