Ishte operacioni më i guximshëm ushtarak në histori - dhe suksesi i tij varej nga meteorologu James Stagg.

Nga: Caryn James / BBC
Përkthimi: Telegrafi.com


Në ditën e inaugurimit të tij, në vitin 1961, John F. Kennedy e pyeti presidentin në largim, Dwight D. Eisenhower, se çfarë i kishte dhënë epërsi ndaj nazistëve në Ditën-D, kur Eisenhoweri ishte Komandant Suprem i Forcave Aleate. “Kishim meteorologë më të mirë se gjermanët,” tha Eisenhoweri. Kjo anekdotë citohet në fund të filmit të ri Pressure [Presioni], i cili sugjeron se përgjigjja e Eisenhowerit nuk ishte aspak ekzagjerim i madh. Filmi tregon historinë e vërtetë të vendimeve jetike të cilat meteorologu kryesor i Aleatëve, kapiteni skocez i Forcave Mbretërore Ajrore James Stagg (Andrew Scott), dhe Eisenhoweri (Brendan Fraser) duhej të merrnin në tri ditët para pushtimit aleat të Normandisë - të cilin historiani Antony Beevor, në librin e tij të vlerësuar D-Day: The Battle for Normandy [Dita-D: Beteja për Normandinë], e quan “pothuajse me siguri operacionin më ambicioz në historinë e luftës.”

Lexo po ashtu:
- Shqiptari që për pak nuk e ndërroi rrjedhën e Luftës së Dytë Botërore: Dosjet sekrete të Operacionit Cicero
- Historia e spiunit që siguroi suksesin e zbarkimit në Normandi
- Mashtrimi i madh britanik i Luftës së Dytë Botërore: Ushtria e madhe e cila nuk ekzistoi
- Zbarkimi që solli mposhtjen e Gjermanisë naziste
- Gjenerali i Luftës së Dytë Botërore që tejkaloi rivalin e tij kryesor

Ndërsa ngjarjet zhvilloheshin, më 6 qershor 1944 gati 160 mijë trupa aleate mbërritën në Normandi nga ajri dhe deti, gjë që rezultoi të ishte pikë kthese në luftë. Por, disa ditë para zbarkimit, i cili fillimisht ishte planifikuar për 5 qershor, Staggu mund të shihte se një stuhi e rrezikshme po afrohej - edhe pse ekipi i meteorologëve që ai drejtonte nuk ishte aspak dakord me të. Detyra e tij ishte të përmblidhte parashikimet në një rekomandim të thjeshtë “Shko” ose “Mos shko” për Eisenhowerin. Por, kjo ishte e mbushur me rreziqe: hyrja në stuhi mund të kishte kushtuar me mijëra jetë, ndërsa një shtyrje mund të nënkuptonte pritje për javë të tëra për kushtet e duhura dhe rrezikonte që informacioni për operacionin të rridhte te nazistët.

Filmi i ri “Pressure” ka në role kryesore Andrew Scottit (djathtas) si Staggun dhe Brendan Fraserin (majtas) si Eisenhowerin(Focus Films)

Bazuar në dramën e vlerësuar të David Haigut nga viti 2014, filmi i shndërron këto ngjarje në një dramë të tensionuar, plot përplasje opinionesh dhe egoje. Dhe, siç tregojnë krijuesit e tij për BBC-në, ai është gjithashtu një histori për mbështetjen te provat e forta të shkencës dhe heroizmin e të treguarit të të vërtetave të pakëndshme.

“Si mund ta bësh një sistem moti - që lëviz ngadalë - të duket emocionues? Nuk është vetëm moti,” thotë regjisori i filmit, Anthony Maras (regjisor i filmit Hotel Mumbai), i cili shkroi skenarin së bashku me Haigun. “Si t’i shohim personazhet, t’i vendosim nën presion të jashtëzakonshëm dhe të shohim se si transformohen dhe ndryshojnë?” Nga kjo perspektivë, thotë ai, “mund të bësh që një film për një sistem moti, që lëviz ngadalë, të ndihet si gjëja më e madhe në Tokë, sepse për këto karaktere ashtu është.”

Përplasje personalitetesh

Scotti e portretizon Staggun ashtu siç e përshkruajnë burimet historike: një person të rezervuar dhe të përmbajtur. Ai kishte, thotë Haigu, “një integritet të qetë dhe të hekurt,” dhe Scotti na lejon të shohim thellësinë e ndjenjave nën pamjen e tij të ashpër. Pjesa më e madhe e filmit zhvillohet në zyra dhe dhoma të mbushura me harta moti në Sarajin Sauthui, prona e shekullit XIX pranë Portsmuthit që përdorej si seli e Aleatëve e ku, për arsye sigurie, meteorologët nuk mund të komunikonin me botën e jashtme. Atje Staggu ishte pa emocione në sipërfaqe, edhe kur ka marrë lajmin se gruaja e tij shtatzënë është duke lindur.

Meteorologu rival i tij është një amerikan i zhurmshëm dhe mendjemadh, Irving Krick (Chris Messina), i cili gëzonte besimin e Eisenhowerit. Parashikimi i Krickut, që parashihte qiell të kthjellët përpara, bazohej në analizimin e modeleve historike të motit. Në atë kohë, thotë Haigu, kjo qasje kishte kuptim “për Afrikën e Veriut dhe ShBA-në,” ku Kricku kishte bërë parashikime të suksesshme, por nuk merrte parasysh motin e paqëndrueshëm anglez. Ndërkohë, Staggu vërente ndryshime shqetësuese në rrymat ajrore që po afroheshin, një metodë atëherë shumë moderne e parashikimit të motit - jo e zakonshme në vitin 1944.

James Staggu kundërshtoi kolegët e tij për të bindur udhëheqësit ushtarakë që ta shtynin operacionin për një ditë(Alamy)

Të gjithë - nga Eisenhoweri te Kricku dhe mareshali britanik Bernard Montgomery (Damian Lewis) - donin të vazhdonin më 5 qershor, sipas planit. Staggu duhej t’u jepte rekomandimin “Mos shkoni.” Marasi thotë: “Kishe një personazh si Staggu, i cili nuk ishte i interesuar t’u thoshte njerëzve atë që donin të dëgjonin, por ishte i vendosur t’u thoshte atë që kishin nevojë të dëgjonin. Dhe, mendoj se ka një lloj heroizmi në këtë.” Në fund, Staggu e shpëtoi operacionin duke kuptuar se më 6 qershor do të kishte një ndërprerje të shkurtër të motit të keq, por ai nuk mund ta kishte parashikuar këtë kur e dha verdiktin e tij të padëshiruar.

Pse kjo histori ia vlen të ritregohet

Vendimi i Staggut rezonon edhe sot, në një kohë kur faktet dhe shkenca shpesh shihen si opinione. Marasi thotë për Staggun: “Ai pa drejt e në sy komandantët më të frikshëm ushtarakë në planet, të paktën në anën aleate” dhe u tha, në thelb: “Gjithçka që mund të bëjmë është të mbështetemi në atë që dimë. Ka prova dhe ka të dhëna.” Dhe, vendosmëria e tij nuk është thjesht zbukurim holivudian. Beevori shkruan: “Staggu ndjeu se ishte i detyruar të ndiqte instinktin e tij dhe të shpërfillte pikëpamjet më optimiste të kolegëve të tij amerikanë.”

Ndërsa Staggu do të jetë një figurë pak e njohur për publikun e filmit, po ashtu do të jetë edhe Eisenhoweri që shohim në ekran, gjithashtu bazuar në përshkrime historike. Në imagjinatën popullore, presidenca e tij e ka lënë në hije karrierën e tij ushtarake. Fraseri thotë se para se të lexonte skenarin, emri Eisenhower do t’i sillte ndër mend sloganin e famshëm dhe tërheqës nga fushata e tij presidenciale dhe imazhin e thjeshtëzuar që ka mbetur ndër dekada. “Do të mendoja për një stemë fushate ku shkruhej I like Ike dhe për një vizatim të një burri tullac që buzëqeshte, për të cilin gjithashtu e dija se kishte qenë i përfshirë në planifikimin e Operacionit Overlord,” siç quhej zyrtarisht pushtimi i Ditës-D.

Por, gjatë viteve të luftës së Eisenhowerit, thotë Marasi, “ai ishte një njeri që pinte katër deri në gjashtë paketa cigare në ditë, që konsumonte rreth 20 deri në 24 filxhanë kafeje në ditë, trupi i të cilit po shkatërrohej, që kishte një ulçerë në shpinë, një plagë të hapur. Ishte në gjendje të rënduar. Dhe, ishte jashtëzakonisht i pambrojtur në momentet e tij private.”

Ne e shohim këtë ndjeshmëri në momentet që ai ndan me shoferen dhe ndihmësen e tij personale, togeren Kay Summersby (Kerry Condon). E caktuar fillimisht për Eisenhowerin si pjesëtare e korpusit motorik britanik, ajo u bë personi i tij më i besuar. Prej kohësh ka pasur spekulime të padëshmuara për një lidhje mes tyre, por filmi e paraqet lidhjen e tyre të ngushtë emocionale pa sugjeruar se kishte ndodhur diçka më tepër.

Eisenhoweri i vërtetë duke folur me trupat përpara Ditës-D - ai ishte komandanti suprem i forcave aleate(Getty Images)

Bisedat e tyre private në ekran tregojnë sa shumë e rëndonte Eisenhowerin përgjegjësia që mbante, pjesërisht për shkak të hijes së rënduar nga Exercise Tiger [Ushtrimi Tigër]. Fjala është për një stërvitje me municion të vërtetë për Ditën-D, të autorizuar nga Eisenhoweri gjashtë javë më parë. Filmi hapet me një rikrijim të asaj stërvitjeje, e cila dështoi në mënyrë katastrofike: më shumë se 700 amerikanë humbën jetën kur mungesa e komunikimeve çoi në zjarr ndaj forcave miqësore dhe në një sulm nga anijet gjermane.

Fraseri e sheh historinë e Luftës së Dytë Botërore në film si një mësim për ditët e sotme. “Le të na kujtohet se si dukej udhëheqja dikur dhe të shohim rëndësinë e përkushtimit të vëmendjes ndaj fakteve dhe shkencës, si edhe nevojën për t’i thënë të vërtetën pushtetit,” thotë ai. Dhe, më 5 qershor 1944, shpërtheu vërtet një stuhi e furishme, pikërisht ashtu siç kishin parashikuar provat e Staggut. /Telegrafi/