“UÇK-ja është një realitet”, Ahmeti tregon çfarë u përcoll Rugovës nga LPK-ja

Ali Ahmeti ka rrëfyer për raportet mes Lëvizjes Popullore të Kosovës, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe figurave kryesore politike shqiptare gjatë viteve ’90.
Në emisionin “Debat Plus”, në ciklin “Dosjet”, Ahmeti ka folur edhe për njohjen e tij me Sabri Novosellën, duke sqaruar se me të nuk ka pasur kontakte organizative.
“Unë kam banuar në familjen e Sabri Novosellës. Si student, prej fillimit deri në arratisje, kam banuar te vëllai i Sabri Novosellës, Adnani, djali i Qazimit. Familje patriotësh, familje e rreshtuar historikisht në anën e duhur të kombit”, tha Ahmeti.
Ai shtoi se Sabri Novosellën e ka njohur nga distanca.
“Me Sabri Novosellën nuk kam pasur kontakte. E njoh nga distanca, por nuk kam pasur as lidhje organizative, as kontakte më vonë”, deklaroi ai.
Ali Ahmeti: Në Arau të Zvicrës u vendos që të gjitha njësitet të vepronin nën një mekanizëm – UÇK-në

Duke folur për raportet mes LPK-së dhe LDK-së, Ahmeti tha se, pavarësisht dallimeve në mënyrën e veprimit politik, nuk ka pasur hasmëri mes tyre.
“Lindja e pluralizmit në ish-Jugosllavi është një fakt që lëvizjen e fshehtë e defaktorizoi, si në Kosovë, ashtu edhe në Maqedoni. Mirëpo, e vërteta është që nuk u krijua hasmëri”, u shpreh Ahmeti.
Sipas tij, në organet drejtuese të LPK-së ishte konkluduar se përfaqësuesit e LDK-së nuk duhej të konsideroheshin armiq.
“Ne kemi komunikuar me të gjithë ata që drejtonin Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe ka konkluza në organet drejtuese të Lëvizjes Popullore të Kosovës që këta nuk janë armiq. Këta janë vëllezërit tanë dhe duhet të gjejmë urat e komunikimit dhe të afrimit”, tha Ahmeti.
Ahmeti tregoi se, ndonëse nuk ka pasur takim personal me Ibrahim Rugovën, delegatë të LPK-së, të cilët ai i kishte sugjeruar, janë takuar me të.
“Unë nuk kam pasur takim me Ibrahim Rugovën, por të deleguarit tanë që i kam sugjeruar të takohen me Ibrahim Rugovën, në mesin e tyre janë Ahmet Haxhiu, Xhavit Haziri dhe Azem Syla, që kanë shkuar dhe janë takuar”, deklaroi ai.
Sipas Ahmetit, në këto takime Rugova ishte informuar për veprimtarinë e rezistencës dhe për ekzistencën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“I bëjnë me dije që Ushtria Çlirimtare e Kosovës është një realitet”, tha ai.
Ahmeti tha se më vonë ka pasur kontakte edhe me Bujar Bukoshin dhe bashkëpunëtorë të tjerë, me qëllim të koordinimit të veprimeve për çlirimin e Kosovës.
“Në këtë takim ne kemi kërkuar bashkëveprim, që të koordinohemi. Në vazhdimësi kemi qenë të interesuar që kontaktet, lidhjet dhe organizimet për çlirim të unifikohen”, u shpreh Ahmeti.
Ai mohoi se në nivelet e larta të organizimit ka pasur përplasje mes LPK-së dhe LDK-së.
“Nuk ka pasur fërkime, divergjenca në mes të lëvizjes legale dhe asaj të fshehtë. Flas në nivele të larta ku janë bërë politikat. Poshtë sigurisht që ka pasur përplasje, ka pasur ndasi, por në organet drejtuese, në përcaktime, asesi nuk është motivuar apo inkurajuar Lëvizja Popullore e Kosovës që të jetë në front dhe përplasje me partitë legale”, tha Ahmeti.
Ai tregoi edhe një komunikim që kishte pasur me Skender Zogajn para fillimit të luftës në Maqedoni.
“Po i them, Skender Zogaj, të lutem, shko, njoftoje presidentin Rugova që këto krisma që dëgjohen është Ushtria Çlirimtare Kombëtare që së shpejti do të dalë në sipërfaqe”, rrëfeu Ahmeti.
- YouTube youtu.be
Sipas tij, Rugova më pas kishte dhënë një mesazh për të.
“Ai ka thënë, çoji porosi Ali Ahmetit: të gjitha i ka në dispozicion. Për çka i nevojitet atij, me spitale, me depo. Zoti t’i ndihmojë”, tha Ahmeti.
Ai foli edhe për stërvitjet e pjesëtarëve të grupeve të para të UÇK-së në Dajt, duke thënë se LPK-ja ishte në dijeni për to.
“Po, e dinim. Kanë qenë, shumica kanë qenë shokë tanë. Dhe ne nuk u kemi thënë që të mos e pranoni një mision të tillë. Absolut. Përkundrazi, i kemi inkurajuar”, deklaroi Ahmeti.
Ndërsa për pretendimet se këto stërvitje mund të kenë çuar në dekonspirimin e pjesëtarëve të UÇK-së, Ahmeti tha se nuk mund të japë një vlerësim pa dokumentacion të plotë.
“Kjo është një përgjegjësi shumë e madhe ta gjykosh pa pasur dokumentacionin e duhur”, tha ai.
Ahmeti tregoi se kishte pasur vetëm një bisedë të shkurtër me Adem Jasharin.
“Unë kam pasur vetëm një bisedë të shkurtër me Adem Jasharin, që më paraqitet prej Tiranës dhe na thotë: ‘Na keni lënë në rrugë’. I them: ‘Po, përse ju kemi lënë në rrugë?’. ‘Duhet me na dalë zot, me na pajis, me na rregullu kështu’, më tha”, rrëfeu Ahmeti.




































