Lushnje: Kapet një orë pas ngjarjes i dyshuari për vrasjen e nënës dhe plagosjen e babait

Policia shqiptare ka arrestuar rreth një orë pas ngjarjes personin e dyshuar për vrasjen e nënës dhe plagosjen e babait në fshatin Zhymë të Lushnjës.
Sipas Policisë, pas ngjarjes forca të shumta rrethuan zonën, ngritën pika kontrolli dhe nisën ndjekjen e të dyshuarit, i cili konsiderohej me rrezikshmëri edhe për banorët e tjerë.
Pas angazhimit të shërbimeve të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier dhe Komisariatit të Policisë Lushnjë, i dyshuari është lokalizuar pranë Spitalit Memorial në Fier dhe është vënë në pranga rreth një orë pas ngjarjes.
Bëhet fjalë për shtetasin F.D., 45 vjeç, i cili dyshohet se po drejtonte automjetin e vëllait të tij dhe po tentonte të largohej nga qarku Fier.
Ai është shoqëruar në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, së bashku me automjetin që drejtonte, ku po kryhen veprimet procedurale.
Grupi hetimor po vijon punën për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe sqarimin e rrethanave që çuan në vrasjen dhe plagosjen.





































